
TEL AVIV - Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një konference për mediat ka dënuar grupet e të drejtave të njeriut, grupet e grave dhe OKB-në për dështimin për të folur rreth përdhunimeve dhe mizorive të tjera të kryera nga Hamasi kundër grave izraelite.
Duke folur në një konferencë shtypi në Tel Aviv së bashku me ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe ministrin Benny Gantz, Netanyahu tha se ai u takua më parë me pengjet e liruar dhe me të afërmit e atyre që ende mbahen peng. “Kam dëgjuar histori rrëqethëse abuzimi”, thotë ai. "Kam dëgjuar, siç keni dëgjuar, për abuzim seksual dhe raste të paprecedenta të përdhunimeve mizore", deklaroi kreu i qeverisë izraelite.
Benjanim Netanyhu theksoi se pavarësisht raportimeve të tmerrshme, nuk ka dëgjuar grupet e grave dhe grupet e të drejtave të njeriut të flasin për këtë. "A keni heshtur sepse ishin gra hebreje?”, pyeti ai. Duke folur anglisht, Netanyahu tha: “Unë u them organizatave për të drejtat e grave, organizatave të të drejtave të njeriut, ju keni dëgjuar për përdhunimin e grave izraelite, mizoritë e tmerrshme, gjymtimin seksual? Ku dreqin jeni? Pse nuk reagoni?”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi se pret nga të gjithë liderët e civilizuar, qeveritë dhe kombet, që të flasin për këto krime të pashoqe. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë në Gaza dhe ka bombarduar enklavën./Zëri.ai/