
SERBI- Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka deklaruar këtë të premte se presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka arritur të bindë Bashkimin Europian për të mos sanksionuar Serbinë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Veri të Kosovës. Sipas saj “marrëveshja” e Vuçiç u arrit në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada.
Ana Brnabiç: Mendoj se ka arritur të largojë rrezikun e menjëhershëm të vendosjes së sanksioneve, por nuk mund të flas për detaje.
Ajo deklaroi se që pas sulmit në Banjskë të Zveçanit Kosova ka dezinformuar në lidhje me presidentin serb dhe ka hedhur dyshime të pabaza se Beogradi zyrtar kishte dijeni për veprimet e grupit terrorist të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiç.
Ana Brnabiç: Një ortek dezinformatash nga Prishtina për të sulmuar Serbinë dhe për ta përdorur atë tragjedi për të vendosur sanksione ndaj Serbisë dhe presidentit.
Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai