Bota

Dështon tenderi për pajisjet e repartit për IVF-në në QKUK

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për REL-in se tenderi për pajisjet e IVF-it ka dështuar.

k.m.
Dështon tenderi për pajisjet e repartit për IVF-në në
Foto ilustruese

Ka dështuar tenderi për ta pajisur repartin e dedikuar për metodën e fertilitetit të asistuar mjekësor (IVF) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Për disa kërkesa dhe pajisje nuk janë pranuar fare oferta,”- thuhet në një dokument të divizionit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Ky divizion tha se për të vazhduar procesin për pajisjen e raportit, “sipas profesionistëve duhet të rishikohen specifikat teknike” para se të hapet sërish tenderi.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për REL-in se tenderi për pajisjet e IVF-it ka dështuar.

“Gjatë procesit tenderues janë pranuar shumë pyetje sqaruese dhe janë bërë korrigjimet e kërkuara me qëllim të lehtësimit dhe mundësisë më të gjerë për ofertim. Por, meqenëse nuk kishte oferta të përgjegjshme pritet që gjatë ritenderimit, të arrijmë t’i kontraktojmë,”- u tha në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkaq, më 21 shtator Kuvendi i Kosovës pritet të votojë në parim Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar. Në këtë legjislacion është përfshirë edhe pjesa që gratë e pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës IVF. Megjithatë, disa deputetë kanë shprehur kundërshti për këtë.

Sipas legjislacionit që Qeveria i ka dërguar Kuvendit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF-në në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro. Aktualisht, kjo metodë kryhet vetëm në institucionet private. Në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të së cilës do të jetë reparti i IVF-së, po presin pajisjet për këtë metodë mjekësore. Punimet në infrastrukturë për repartin e ri veçse janë kryer.

IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale.

Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas ai vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.

Por, as kjo metodë nuk është 100 për qind e suksesshme./REL

Poll

MOS HUMB