
SHBA-Brenda pak ditësh, një gjykatës në Nju Jork pritet të vendosë mbi të ardhmen e perandorisë së pasurive të paluajtshme të ish-Presidentit Donald Trump. Vendimi ka të bëjë me një çështje civile ku Trumo akuzohet se mashtroi huadhënësit dhe kompanitë e sigurimeve, duke fryrë vlerën e pasurive të tij në pasqyrat financiare.
Dënimi ndaj tij mund të përfshijë gjoba miliona dollarëshe dhe ndalimin për të bërë biznes në shtetin ku ai ka lindur. Nëse ky vendim merret, ditët e Donald Trumpit si manjat i pasurive të paluajtshme në Nju Jork mund të marrin fund.
Nërkohë një gjykatës po shqyrton mundësinë e shqiptimit të dënimeve të reja për ish-presidentin, mbi akuzat se ai mashtroi.
Në shtator të vitit 2023, gjykatësi Arthur Engoron vlerësoi se Trump kishte mashtruar. Ndër të tjera, gjyqtari Engoron zbuloi se pasqyrat financiare të Trump pretendonin se apartamenti i tij në Kullën Trump ishte gati trefish më i madh sesa madhësia reale e tij.
Gjyqtari gjeti po ashtu se Trump mbivlerësoi pronën e tij në “Mar-a-Lago” në Palm Beach të Floridas, bazuar në idenë se aty mund të ndërtoheshin objekte të tjera banimi, megjithëse zoti Trump kishte hequr dorë nga e drejta për të ndërtuar në këtë pronë.
Në një paraqitje me video në prill të vitit 2023, zoti Trump mbrojti pasqyrat financiare që janë në qendër t çështjes kundër tij.
Tani, gjykatësi Engoron duhet të vendosë për çështje të tjera në këtë rast, duke përfshirë ato nëse zoti Trump ishte i përfshirë në një komplot për të ekzagjeruar pasurinë e tij dhe nëse ai, ose të pandehur të tjerë, mashtruan kompanitë e sigurimeve.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James kërkon një dënim prej 370 milionë dollarësh dhe vendosjen e kufizimeve të rrepta ndaj tij për të bërë biznes në Nju Jork.
Gjykatësi ka ngritur mundësinë e likuidimit të bizneseve dhe pronave të zotit Trump. Ish-presidenti mohon të ketë shkelur ligjin. Për shkak se kjo është një çështje civile dhe jo një çështje penale, zoti Trump nuk rrezikon të dënohet me burgim./VOA