
ITALI- Një vrasje brenda familjes ka tronditur zonën e Astit në Itali, ku një vajzë 18-vjeçare ka vrarë babanë e saj, ndërkohë që ka pranuar krimin.
E reja rrëfeu se kishte goditur me thikë për vdekje babain, Akhyad Sulaev, 50 vjeç, për të mbrojtur nënën e saj gjatë një debati në shtëpinë e familjes, me origjinë ruse.
“Na keqtrajtonte prej disa kohësh, ishte i dhunshëm”, ka deklaruar vajza në polici, ndërkohë që të njëjën dëshmi e ka dhënë dhe bashkëshortja e viktimës. Sipas vajzës, babai ishte i dhunshëm vetëm me të dhe të ëmën, dhe jo me vëllezërit më të vegjël. Ajo që ngriti alarmin për vrasjen, ishte një grua që ndiqte fëmijët e vegjël të viktimës me detyrat e shkollës.
Zanafilla e konfliktit, që më pas çoi në vrasje, ishte fakti se burri kishte dhënë dorëheqjen nga puna në një restorant (një zonë ku punon edhe gruaja e tij). Nuk do të ishte hera e parë që 50-vjeçari largohej papritur nga puna, duke vënë në vështirësi ekonomike familjen, sipas asaj që thaë nënë e bijë.
Policia që po heton vrasjen, tha se në drejtim të viktimës nuk janë ngritur akuza zyrtare për keqtrajtim apo dhunë në familje. Mirëpo, nga dëshmitë dhe elementët e mbledhur nga hetuesit del fotografia e dhunës që vuajti prej disa kohësh 18-vjeçarja Makka së bashku me nënën e saj.
Fqinjët, në godinën e vogël në qendër të Nizza Monferrato, janë dyshues dhe vazhdojnë të flasin për "njerëz të mirë, të rezervuar, të sjellshëm", të cilët erdhën nga Kaukazi rus disa vite më parë dhe po përpiqeshin të integroheshin. “Nuk po debatonin, ishin të qetë”, thonë ata, përveç faktit që të premten është parë një debat në rrugë mes burrit dhe gruas së tij. Ai bëri shenjë, ajo tundi kokën, por ata nuk e dinë se çfarë po thoshin, përveç se burri sapo kishte hequr dorë nga puna.
“Nuk kishte asnjë shenjë dhe asgjë që mund të sugjeronte diçka të tillë. Jemi pranë familjes për dhimbjen që po përjetojnë por nuk ka pasur paralajmërime apo shenja dhune. Ishte një familje normale", tha kryebashkiaku i Nizza Monferrato, Simone Nosenzo.
"Këtu në fshat nuk ka komunitet çeçen: familja kishte ardhur këtu tre vjet më parë dhe ishte integruar. Vajza e re shkoi në shkollë dhe, si babai dhe nëna e saj, punonte në disa vende të qytetit. Ata bënin një jetë të rregullt. Nuk ka pasur shenja debati në familje”, vijoi kryebashkiaku. “Për momentin nëna e 18-vjeçares dhe tre vëllezërit e saj, të gjithë të mitur, janë nën kujdesin e shërbimeve sociale dhe janë transferuar në një mjedis të mbrojtur”.
Avokati i 19-vjeçares: Ajo duhet të mbrohet
"Shqetësimi më i madh si mbrojtje tani është mbrojtja e kësaj vajze, e cila pas ngjarjes gjendet në kushte të vështira psikologjike. Është në vështirësi të mëdha. Prandaj është kërkuar një strukturë e mbrojtur për të", deklaroi avokati, Massimo Sfolcini.
“Vajza kishte marrë një rol të rëndësishëm në familje, pasi përveç studimeve të suksesshme, kujdesej për vëllezërit e motrat më të vogla. Në fundjavë, nga e premtja në të diel, punonte në të njëjtin vend ku nëna ishte e punësuar për të ndihmuar financiarisht. Ato flisnin rusisht me njëra-tjetrën dhe kjo kishte sjellë vështirësi që ato të krijonin miqësi të forta”, vijoi avokati./ZËRI