
GAZA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dërgimin e ndihmave të para humanitare në Gaza, që nga fillimi i luftës. Ndihma është dhënë përmes parashutave, nga 3 avionë ushtarakë, ndërsa janë hedhur më shumë se 30 mijë vakte për popullsinë vendase, që është prej kohësh në gjendjen e katastrofës humanitare. Operacioni është kryer në bashkëpunim me forcat ajrore të Jordanisë, ndërsa ishte paralajmëruar prej kohësh nga presidenti amerikan, Joe Biden. Ky i fundit premtoi të premten se SHBA, do të rrisë mbulimin e saj me ndihma, për shkak se 112 njerëz u vranë me njëri tjetrin, teksa turmat prisnin në radhë për të marrë ushqime.
Ndihma nga ajri vjen pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se korniza e një marrëveshjeje për një armëpushim gjashtë-javor në Gaza ishte në fuqi. Zyrtari i administratës Biden tha të shtunën se Izraeli kishte "pranuar pak a shumë” një marrëveshje për një armëpushim të ri.
"Do të jetë një armëpushim gjashtë-javor në Gaza duke filluar nga sot nëse Hamasi pranon të lirojë kategorinë e përcaktuar të pengjeve si të sëmurët, të plagosurit, të moshuarit dhe gratë," tha zyrtari i paidentifikuar.
Ndërmjetësuesit do të mblidhen sërish në Kajro gjatë ditës së sotme, dhe zyrtarët egjiptianë thanë se delegacionet nga Hamasi dhe Izraeli pritej të mbërrinin për negociatat.
Një zyrtar tha se disa çështje teknike rreth një marrëveshjeje të mundshme duhet ende të zgjidhen, si për shembull sa të burgosur palestinezë do të liroheshin nga Izraeli në këmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Të shtunën, avionët e transportit C-130 hodhën më shumë se 38,000 vakte ushqimore përgjatë vijës bregdetare të Gazës, tha në një deklaratë Komanda Qendrore e SHBA.
“Këto fluturime janë pjesë e një përpjekjeje të qëndrueshme për të marrë më shumë ndihma në Gaza, duke përfshirë zgjerimin e fluksit të ndihmës përmes korridoreve tokësore”, shtoi ai.
Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Egjiptin dhe Jordaninë, kanë dërguar më parë ndihma në Gaza, por kjo është e para nga SHBA.
Zyrtarët e administratës thanë se "incidenti tragjik" i së enjtes kishte theksuar "rëndësinë e zgjerimit dhe mbajtjes së fluksit të ndihmës humanitare në Gaza në përgjigje të situatës së tmerrshme humanitare"./ZËRI