
Policia peruane arrestoi të premten vëllanë e presidentes, Dina Bolluarte, pasi dyshohet se ishte përfshirë në një rrjet korrupsioni që emëronte zyrtarë të lartë në këmbim të rryshfetit, thanë prokurorët. Hetimi vjen pasi presidentja, popullariteti i së cilës është vetëm 10% sipas sondazheve, është përfshirë në një skandal të njohur si Rolexgate, pasi ajo akuzohet se zotëron disa orë luksoze dhe akuzohet për "pasurim të paligjshëm".
Ajo pretendon se i kishte marrë hua orët. Nicanor Boluarte Segarra, 64 vjeç, vëllai më i madh i presidentes, u arrestua në banesën e tij në Lima. Ministria e Brendshme beson se ai ishte kreu i një rrjeti që emëronte prefektë dhe deputetë në këmbim të "dhuratave financiare". Këta zyrtarë përfaqësojnë qeverinë në provinca të ndryshme të vendit. Ata emërohen drejtpërdrejt nga presidenca dhe ministria e brendshme.
I arrestuari dyshohet se ka përfituar nga kompetencat që i ka dhënë motra për të ‘’shitur’’ poste. Sipas prokurorëve, organizata "zhvilloi aktivitetin e saj kriminal menjëherë pasi zBoluarte mori detyrën", më 7 dhjetor 2022. Një këshilltar ligjor i presidencës dhe gjashtë persona të tjerë u arrestuan gjithashtu si pjesë e operacioneve policore të kryera në shumë qytete të vendit dhe gjatë së cilës “u kryen kontrolle të plota në 26 banesa”./ZËRI