
PRISHTINË- Policia e Kosovës ka nxjerrë foto nga armët dhe municionet e sekuestruara, të cilat u përdorën sot në Banjskë të Zveçanit. Disa kamionë janë ngarkuar me armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov, ndërsa bie në sy që mes tyre, serbët kishin marrë me vete edhe...një çokollatë.

Ndërkohë që armët po verifikohen, Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë dërguar në mbajtje për 48 orë gjashtë persona të persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 24 shtator 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se që nga marrja e informatave të para lidhur me sulmin e ndodhur në mëngjesin e sotëm, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në vendin e ngjarjes ka dalur prokurori i PSRK-së për të mbikëqyrur aksionin e sotëm. Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme. Prokuroria Speciale i shpreh ngushëllime familjes së Policit të vrarë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion iu uron shërim të shpejtë. PSRK, thekson se hetimet nga vendi i ngjarjes po vazhdojnë në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante përgjegjëse. Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Çfarë ka ndodhur në Kosovë?
Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë reshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë. Deri tani janë vrarë 3 agresorë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Pas mbledhjes Kurti ka deklaruar se më shumë se 30 persona të armatosur – profesionist ushtarakë dhe policorë serbë – po mbahen të rrethuar në manastirin e Banjskës, mes tyre pretendon se ka edhe forca Wanger. Kurti iu bëri thirrje atyre që të dorëzohen, ndërsa Serbia ende hesht./Zëri.ai