SHBA-Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndalojë sulmet ushtarake ndaj Iranit brenda dy deri tre javësh, dhe se Teherani nuk ka nevojë të bëjë një marrëveshje për të përfunduar konfliktin.
“Do të largohemi shumë shpejt,” tha Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se tërheqja mund të ndodhë “brenda dy javësh, ndoshta tre.”
Kur u pyet nëse një marrëveshje me Iranin ishte e nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit, ai u përgjigj: “Jo, Irani nuk ka nevojë të bëjë marrëveshje me mua.”
Më parë, presidenti kritikoi aleatët evropianë, duke thënë në rrjetin social Truth Social se vendet “si Mbretëria e Bashkuar” që nuk mund të marrin karburant për avionët për shkak të kufizimeve rreth Ngushticës së Hormuzit duhet “të mbledhin pak guxim, të shkojnë në Ngushticë dhe thjesht ta marrin.”
Ndërkohë, luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme. Kryeqyteti i Libanit, Beirut, është goditur nga sulme ajrore të rënda, ndërsa ushtria e Izraeli tha se po synonte një komandant të Hezbollah dhe një figurë tjetër të lartë. Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se Trump do t’i drejtohet kombit të mërkurën në mbrëmje, dhe ngjarja do të përcillet drejtpërdrejt./ZËRI