
HOLANDË- Gjurmët e kanabisit të gjetura brenda paketimeve të karameleve "Haribo" në Holandë nuk ka ndodhur gjatë procesit të prodhimit. Me këtë deklaratë zyrtare ka dalë vetë kompania, pasi në fund të majit, Haribo tërhoqi nga tregu pako me ëmbëlsira në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg. Kjo për shkak se brenda disa pakove u gjetën gjurmë kanabisi.
Organi i sigurisë ushqimore në Holandë (NVWA) tha se tre pako 1 kilogramëshe Haribo Happy Cola F!ZZ ishin të "kontaminuara". Hetimi i Haribo-s dhe testet nga një laborator i pavarur zbuluan se kanabisi nuk kishte hyrë në produkt gjatë prodhimit.
"Jemi të kënaqur të konfirmojmë se rezultatet e këtyre testeve janë të gjitha negative dhe nuk ka shenja kontaminimi. Hetimet tona të brendshme tregojnë gjithashtu se nuk ka pasur parregullsi në proceset tona të prodhimit,"- tha një zëdhënës i Haribo-s.
Ndaj, tashmë kompania ka nisur bashkëpunimin me autoritetet për të zbuluar sesi ka ndodhur gjithçka. Hetimet nisën pasi disa persona, përfshirë fëmijë, ishin ankuar se nuk ndiheshin mirë. Dy fëmijë u trajtuan në spital dhe njëri ishte përkohësisht në koma. E gjitha kjo për shkak të konsumimit të kanabisit./ZËRI