Bota

Izraeli luftë me Hamasin, gjithçka që ka ndodhur

Me mijëra persona kanë vdekur nga konflikti i armatosur mes palëve. Mediat ndërkombëtare raportojnë se shumë shtete mund të kenë mbështetur sulmin

D.XH
Izraeli luftë me Hamasin, gjithçka që ka ndodhur
Sulmet ajrore në Gaza

GAZA- Izraeli i ka shpallur luftë grupit militant palestinez Hamas, pasi ky i fundit kreu një sulm të paprecedentë nga ajri, deti dhe toka të shtunën më 7 tetor. Sulmi i papritur ka lënë të vdekur mbi 1000 persona në Izrael, por që u pasua më tej me kundërsulm izraelit. Izraeli nga ana e tij vrau më shumë se 750 palestinezë.

Ndërsa Hamasi u tërhoq në Gaza, militantët pretenduan se kishin marrë të paktën 100 pengje me vete dhe i kanë kërcënuar se do i vrasin, nëse Izraeli vazhdon sulmet ajrore mbi Gazën, pa paralajmërim. Izraeli është zotuar se Hamasi do të paguajë një çmim të rëndë dhe tani po përgatit një aksion tokësor në Gaza.

Çfarë ndodhi më 7 tetor e në vazhdim?

Militantët nga Gaza hodhën mijëra raketa drejt qyteteve izraelite të shtunën në mëngjes, përpara se të çanin gardhin kufitar të fortifikuar me Izraelin dhe të dërgonin militantë në territorin izraelit. Atje, persona të armatosur të Hamasit vranë qindra njerëz, duke përfshirë civilë dhe ushtarë, si dhe morën pengje, ndonjëherë edhe nga shtëpitë e tyre.

Trupave izraelite iu deshën më shumë se dy ditë për të rimarrë kontrollin e territorit, ndërsa luftime ka pasur edhe në rrugë. Të hënën, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kishin rimarrë kontrollin e të gjitha territoreve izraelite në afërsi të Gazës në kufirin e saj jugor, pasi luftimet me Hamasin përfunduan.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus tha të martën se trupat e pajetë të rreth 1500 luftëtarëve të Hamasit janë gjetur brenda territorit të Izraelit, që nga sulmi i së shtunës. Sulmet ishin të paprecedenta në taktikë dhe përmasa, pasi Izraeli nuk është përballur me kundërshtarët në beteja në rrugë në territorin e tij, që nga lufta arabo-izraelite e vitit 1948.

Gjithashtu, Izraeli kurrë nuk është përballur me një sulm terrorist të këtyre përmasave, që ka marrë jetën e kaq shumë civilëve. Hamasi ka rrëmbyer izraelitë më herët, por organizata  kurrë më parë nuk ka marrë dhjetëra pengje në mënyrë të menjëhershme. Në mesin e pengjeve janë dhe fëmijë e të moshuar.

Hamasi e quajti operacionin "Stuhia Al-Aksa" dhe tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj atyre që i përshkroi si sulme izraelite ndaj grave, për përdhosjen e xhamisë al-Aksa në Jerusalem dhe rrethimin e vazhdueshëm të Gazës.

Izraeli luftë me Hamasin, gjithçka që ka ndodhur
Një e afërme e një izraeliti të zhdukur, gjatë sulmit të Hamasit

Si u përgjigj Izraeli?

Në përgjigje të sulmit, Izraeli ka shpallur luftë dhe ka nisur "Operacionin Shpatat e Hekurta", duke goditur objektivat e dyshuar të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Gaza.

“Qindra persona janë vrarë në Gaza që nga e hëna, duke përfshirë dhjetëra fëmijë”, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza.

Izraeli luftë me Hamasin, gjithçka që ka ndodhur
Ushtarë izraelitë

Ushtria izraelite u ka kërkuar civilëve në Gaza që të largohen menjëherë nga zonat e tyre të banuara për sigurinë e tyre pasi operacionet ushtarake izraelite vazhdojnë të synojnë Hamasin. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha të hënën se ai kishte urdhëruar një "rrethim të plotë" të Gazës. “Do i lëmë pa energji elektrike, pa ushqim, pa karburant. Gjithçka do jetë e mbyllur”, tha ai.

Si arriti konflikti në këtë pikë?

Tensionet midis izraelitëve dhe palestinezëve kanë ekzistuar që para themelimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948. Mijëra njerëz nga të dyja palët janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë dekadave.

Dhuna ka qenë veçanërisht e mprehtë këtë vit. Numri i palestinezëve – militantë dhe civilë – të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga forcat izraelite që nga fillimi i vitit është më i larti në gati dy dekada. E njëjta gjë vlen edhe për numrin e izralitëve të vrarë nga Hamasi.

Izraeli pushtoi Gazën në luftën e vitit 1967. Territori, vendbanimi i rreth 2 milionë palestinezëve, ra nën kontrollin e Hamasit në 2007 pas një lufte të shkurtër civile me Fatahun, një fraksion rival palestinez, që është autoritete kryesor i Autoritetit Palestinez.

Human Rights Watch e ka quajtur territorin e Gazës një "burg në  natyrë". Më shumë se gjysma e popullsisë së saj jeton në varfëri dhe vuan mungesën e ushqimeve dhe gati 80% e popullsisë së saj mbështetet në ndihmën humanitare. Hamasi dhe Izraeli kanë zhvilluar disa luftëra. Para operacionit të së shtunës, lufta e fundit mes të dy palëve ishte në vitin 2021, e cila zgjati për 11 ditë dhe vrau të paktën 250 njerëz në Gaza dhe 13 në Izrael.

Sulmi i së shtunës ndodhi 50 vjet pothuajse nga dita e luftës së vitit 1973, kur fqinjët arabë të Izraelit filluan një sulm të befasishëm ndaj Izraelit në Yom Kippur, ditën më të shenjtë në kalendarin hebre, më 6 tetor 1973.

Izraeli luftë me Hamasin, gjithçka që ka ndodhur
Qytete izraelite, pas sulmeve të Hamasit

Çfarë është Hamasi dhe si u krijua?

Hamasi është një organizatë islamike ushtarake, që u krijua në vitin 1987, duke dalë nga Vëllazëria Myslimane, një grup islamik sunit që u themelua në fund të viteve 1920 në Egjipt.

Grupi, si shumica e fraksioneve dhe partive politike palestineze, këmbëngul se Izraeli është një fuqi pushtuese dhe se po përpiqet të çlirojë territoret palestineze. Ajo e konsideron Izraelin një shtet të paligjshëm dhe ka bërë thirrje për rrëzimin e tij.

Ndryshe nga disa fraksione të tjera palestineze, Hamasi refuzon të angazhohet për negociata me Izraelin. Në vitin 1993, Hamasi kundërshtoi Marrëveshjen e Oslos, një pakt paqeje midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO). Si pasojë e paktit, PLO hoqi dorë nga rezistenca e armatosur kundër Izraelit në këmbim të premtimeve për një shtet të pavarur palestinez përkrah Izraelit. Hamasi e paraqet veten si një alternativë ndaj Organizatës për Çlirimin e Palestinës, e cila ka njohur Izraelin dhe është angazhuar në iniciativa të shumta të dështuara të paqes me të. PA drejtohet nga presidenti Mahmud Abbas.

Hamasi ndër vite ka marrë përsipër shumë sulme ndaj Izraelit dhe është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Izraeli. Izraeli akuzon armikun e tij kryesor Iranin për mbështetjen e grupit.

A mund të çojë kjo luftë në një konflikt më të gjerë rajonal?

Operacioni i Hamasit u krye në një mënyrë të sofistikuar dhe të koordinuar dhe ka marrë një kohë të konsiderueshme planifikimi. Kanë qenë të shumta spekulimet se grupi mund të ketë marrë ndihmë nga jashtë, gjë që, nëse vërtetohet, mund të ngrejë spektrin e një lufte më të gjerë rajonale.

Izraeli thotë se Irani e mbështet Hamasin, duke i dhënë deri në 100 milionë dollarë në vit. Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021 tha se grupi merr fonde, armë dhe trajnime nga Irani, si dhe disa fonde që mblidhen në vendet arabe të Gjirit.

Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha të shtunën se ishte shumë herët për të thënë nëse Irani ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulm, por se Uashingtoni do ta ndjekë çështjen "shumë nga afër".

Presidenti iranian Ebrahim Raisi foli me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh me telefon të dielën dhe më vonë uroi popullin palestinez për "fitoren"  mbi Izraelin. Megjithatë, të hënën, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se Republika Islamike nuk ishte e përfshirë në përgjigjen e Palestinës, duke iu referuar sulmit të Hamasit. “Sulmi është ndërmarrë vetëm nga vetë Palestina", tha ai.

Viktimat dhe të plagosurit:

Izraelitë të vrarë: mbi 1000

Izraelitë të plagosur: 2741

Palestinezë të vrarë: mbi 788

Palestinezë të plagosur: 3900. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB