Bota

Kampe refugjatësh në Kosovë? "The Times": Britania e Madhe do të negociojë me vendin ballkanik

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, ka thënë gjithashtu se vendi i saj do të ishte “i hapur” për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme për të pranuar azilkërkuesit e refuzuar të Britanisë.

k.m.
Kampe refugjatësh në Kosovë? "The Times": Britania e
Edi Rama dhe Keir Stramer

BRITANI E MADHE- Britania do t'i kërkojë Kosovës të pranojë emigrantët që kanë shkuar në vendin ishullor me varka. Ky është plani më i ri i Britanisë së Madhe për të hapur "një qendër kthimi", jashtë vendit. Sipas "The Times", vendi i Ballkanit Perëndimor është një prej disave në një listë të shkurtër prej nëntë që po konsideroheshin. Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, ka thënë gjithashtu se vendi i saj do të ishte “i hapur” për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme për të pranuar azilkërkuesit e refuzuar të Britanisë.

Ende nuk kanë filluar bisedime zyrtare, por lihet të kuptohet se ministrat duan që të ketë bërë përparim në negociata deri në kohën kur Britania të organizojë një takim të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Londër në vjeshtë. Në këtë takim, emigrimi i paligjshëm do të jetë çështja kryesore e axhendës. Ministrat kishin shpresuar se Shqipëria do të ishte e hapur për të pritur emigrantët e paligjshëm, por kryeministri Edi Rama e tha fjalën e tij të fundit, që ishte një "jo". Burime qeveritare thanë se Kosova ishte një vend “i mundshëm” për ngritjen e një qendre kthimi sepse ndodhet në njërën nga rrugët kryesore të përdorura nga emigrantët e paligjshëm në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Sipas Ministrisë së Jashtme, gati 22,000 migrantë të paligjshëm përdorën rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE vitin e kaluar.

Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë, ka një popullsi prej rreth 1.6 milion banorësh dhe kufizohet me Serbinë në veri dhe lindje, Maqedoninë e Veriut në juglindje, Shqipërinë në jugperëndim dhe Malin e Zi në perëndim. Presidentja Osmani e Kosovës tha javën e kaluar se vendi i saj do të ishte i hapur ndaj idesë së pritjes së një prej qendrave të kthimit të Britanisë.

“Nuk ka pasur bisedime zyrtare me Mbretërinë e Bashkuar për këtë çështje. Nuk është ngritur deri më tani. Do të ishim të hapur ta diskutonim, megjithatë nuk mund të them më shumë se kaq sepse nuk i di detajet. Nuk mund të jap një përgjigje për një kërkesë që nuk është bërë deri më tani,”- tha ajo. Disa vende të tjera evropiane po eksplorojnë qendra jashtë vendit për emigrantët e paligjshëm, përfshirë Italinë, Danimarkën, Gjermaninë, Holandën dhe Zvicrën.

Sekretari i Jashtëm, David Lammy, vizitoi Kosovën muajin e kaluar ku arriti një marrëveshje për të furnizuar teknologjinë e Mbretërisë së Bashkuar me qëllim që vendi të mos përdoret nga grupet e krimit të organizuar për të kontrabanduar mallra të paligjshme dhe emigrantë që shkojnë në Britani. 

Burime qeveritare kanë përjashtuar mundësinë e ndërtimit të një qendre kthimi në Ruandë, sepse Partia Laburiste nuk e sheh atë si një vend të sigurt. Burime qeveritare kanë thënë se çdo skemë e qendrës së kthimit do të duhet të përmbushë testin e Starmer për të qenë "e përballueshme, e realizueshme dhe e ligjshme"./ZËRI

Poll

MOS HUMB