
BAZEL - Aeroporti i Bazelit është evakuuar pasditen e së enjtes, për shkak të një alarmi për bombë. Jashtë aeroportit pati skena kaotike, teksa qindra udhëtarë janë larguar që aty.
Autoritetet kanë bërë me dije se kërcënimi për bombën është dhënë rreth orës 13:30 minuta. “Paralajmërimi u dërgua me mesazh dhe aty thuhej se është vendosur bombë në aeroport”, deklaruan zyrtarët për median lokale zvicrane.
Për të garantuar sigurinë e të gjithë pasagjerëve dhe stafit në aeroport, prefekti i Departamentit Haut-Rhin ka aktivizuar protokollet e nevojshme të sigurisë. Për rastin, janë aktivizuar edhe qentë për zbulimin e eksplozivëve.
Udhëtarët e prekur nuk kishin marrë asnjë informacion për statusin e fluturimeve të tyre. Aktualisht është e paqartë nëse disa udhëtimë do të ndryshohen në orare apo do të anulohen. Siqoqoftë, sipas njoftimeve në internet, shumë udhëtime janë anuluar.
Autoritetet theksuan se po punojnë që aeroporti të kthehet në funksionim normal. Ana, një udhëtare, deklaroi se donte të shkonte në Amsterdam dhe shpreson të jetë në gjendje të fluturojë të premten. "Unë në fakt kisha paguar tashmë për hotelin", tha Ana. Marc kishte fat më të mirë. “Pasi prita për orë të tëra në shi, mora një fluturim zëvendësues për në Bukuresht,” tha ai për mediat në Zvicër.
Kërcënime për bomba në Europë
Në Francë, u vendos nivel i lartë sigurie, pas një sulmi në Bruksel, që kishte lidhje me luftën midis Izraelit dhe Hamasit, në të cilin u vranë dy tifozë suedezë të futbollit. Në Francë, disa aeroporte rajonale u mbyllën të mërkurën dhe të enjten pas kërcënimeve me bombë. Disa udhëtime janë anuluar.
Edhe në Bruksel, policia është në gatishmëri, pasi pasagjerët lajmëruan, për një person të dyshimtë, që lëvizte në metro./Zëri.ai/