
MAQEDONI E VERIUT – Një krizë e re duket se ka nisur mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për shkak të një incidenti në ceremoninë e betimit të presidentes së re Gordana Siljanovska-Davkova. Shkak për incidentin u bë vendimi i presidentes së re, për ta quajtur vendin e saj Maqedoni dhe jo Maqedoni e Veriut që është emërtimi i ri i shtetit ballkanik. Pas braktisjes së ceremonisë së betimit nga ambasadorja greke, reagimet nga Athina zyrtare por dhe nga BE kanë qenë shumë të ashpra, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Prespës. Në një reagim të bërë ditën e sotme, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, tha se Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut zgjodhi të provokojë duke shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe duke e quajtur vendin e saj me një emër tjetër, gjë që sipas Mitsotakisht është “e paligjshme dhe e papranueshme”.
“Zgjedhja provokuese e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një nismë e paligjshme dhe e papranueshme. Një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën e vetë shtetit të saj. Duke minuar sidoqoftë të ardhmen e vendit gjithashtu, siç kanë deklaruar edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel”, shkruan Mitsotakis në reagimin e tij, ndërsa shton se Greqia nuk do ti pranojë deklarata të tilla.
“Nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues nga shteti fqinj dhe sigurisht nga shmangia e sfidave të tilla”, tha Mitsotakis duke i bërë thirrje Davkovës që t’i kthehet detyrave ligjore dhe sjelljeve të rolit që ajo ka marrë tashmë.
Mediat greke i kanë bërë jehonë edhe reagimit të BDI-së, e cila tha se përveçse Davkova dhunoi Kushtetutën krijoi një krizë në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
“Presidentja foli për unitet, por gjatë fjalimit të saj, përpos që e ngriti në qiell, Kryetarin e partisë së saj, po ashtu përmendi në një rast edhe Kryetarin e një partie tjetër, duke përmendur vetëm dy liderë në bllokun politik maqedonas dhe duke i përjashtuar kështu nga thirrja për unitet gjithë të tjerët. Përveç që ishte fjalim për 8 Mars nuk pati asgjë substanciale, nuk u përmend asgjë sa i përket NATO-s, BE-së, procesit eurointegrues. Nuk u përmend asgjë sa i përket marrëdhënieve të mira ndëretnike. Nuk u përmend fare Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë”, tha Arbër Ademi.
Fjalimi i presidentes së re të RMV-së nuk u prit mirë as nga Bashkimi Europian. “BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë,” tha zëdhënësi Peter Stano.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në një postim në rrjetin X (Twitter) tha se “që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të tij detyruese, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës”.
Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel është shprehur i zhgënjyer me presidentin e re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pasi nuk respektoi emrin kushtetues të shtetit.
“Shumë zhgënjyese që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së sotme të betimit. BE rikujton rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha ai.
/ZËRI