
ZUBIN POTOK- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar për shpërthimin në Zubin Potok ku u hodh në erë kanali i ujit në këtë zonë. Ai tha se nuk do të kërkojë flaje, pasi Serbia nuk ka asnjë lidhje me sulmin me eksploziv që ndodhi gjatë mbrëmjes në Zveçan. Vuçiç tha se ai nuk do të justifikojë veten në diçka që Serbia nuk e ka bërë.
“Pse mendoni se nuk nxitova sot në mëngjes të them se Serbia nuk ka lidhje me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc. Çfarë, t’i kërkoj falje dikujt? Dhe ata e dinë që ne nuk e bëmë! Nëse vrapoj nëpër mediat botërore për të justifikuar veten, ata do ta interpretojnë si të duan”, tha Aleksandër Vuçiç.
Më herët, kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi Serbinë se qëndron pas këtij sulmi. Ai tha se deri më tani janë arrestuar disa persona, dhe përgjegjësit do të marrin dënimin e merituar.
Gjatë natës u hodh në erë kanali i ujit të pijshëm në Zubin Potok, ku si pasojë në qytetin e Mitrovicës është ndërprerë uji i pijshëm dhe energjia elektrike. SHBA dhe BE e dënoi këtë sulm, duke thënë se përgjegjësit do të marrin dënimin e merituar. Pavarësisht akuzave nga qeveria e Kosovës, ajo serbe tha se nuk ka lidhje me këtë sulm, madje shtoi se është gati të paguajë financiarisht dëmet, pasi kjo cënon jetën e serbëve në Veri, Po ashtu edhe krerët politikë të Shqipërisë reaguan pas këtij sulmi duke e dënuar ashpër dhe bënë thirrje që të hetohet rasti. /ZËRI