Bota

‘Mos na i sillni neve informacionet’, vëllai i Liridonës thirrje qytetarëve

Ai i fton qytetarët që të dorëzojnë informacionet në polici, dhe jo pranë familjes

E.K
‘Mos na i sillni neve informacionet’, vëllai i Liridonës
Liridona dhe Naimi, dhe Leonard Ademaj

KOSOVË- Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj ka shkruar në një postim në rrjetet sociale se shumë qytetarë i ofrohen me informacione për rastin e motrës së tij, që lidhen drejtpërdrejt me vrasjen. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai iu kërkon të gjithë personave që mund të kenë informacion t'ia dorëzojnë Policisë. Leonardi thekson se pret drejtësi nga ana e gjykatës dhe se hetimet iua ka besuar pikërisht Policisë dhe Prokurorisë.

“Ditët e fundit jemi duke u kontaktuar nga shumë njerëz të cilët kanë ofruar të ndajnë me neve informacione rreth vrasjes së Liridonës tonë. Ju lusim që të gjitha informacionet që i posedoni t’i ndani me policinë dhe prokurorinë dhe jo me neve. Hetimet ua kemi besu atyre dhe presim drejtësi profesionale dhe të shpejtë nga ana e gjykatës. Interesi i familjes sonë dhe interesi i përgjithshëm është që hetimet të mos dëmtohen nga askush. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, shkruan ai në Facebook.

Vrasja e Liridonës ndodhi mbrëmjen e 28 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./ZËRI

Poll

MOS HUMB