Bota

Shuhet ish-presidenti italian Giorgio Napolitano

Gjendja e tij shëndetësore filloi të lëkundet në vitin 2018, kur u shtrua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua një operacioni në aortë.

k.m.
Shuhet ish-presidenti italian Giorgio Napolitano
Giorgio Napolitano

ITALI- Giorgio Napolitano u nda nga jeta sot në moshën 98-vjeçare. Javët e fundit gjendja shëndetësore e ish-kreut të shtetit italian ka qenë kritike dhe së fundmi është përkeqësuar. 

Kush ishte Giorgio Napolitano?

Ai lindi në Napoli më 29 qershor 1925, i martuar me Clio Bittoni, ka dy fëmijë, Giovanni dhe Giulio. Ai u diplomua për drejtësi në dhjetor 1947 në Universitetin e Napolit me një tezë për ekonominë politike. Në vitet 1945-46 u aktivizua në lëvizjen për Këshillat Studentorë të Fakultetit dhe delegat në Kongresin e I-rë Kombëtar të Universitetit. Që nga viti 1942, në Napoli, pasi u regjistrua në Universitet, ishte pjesë e një grupi të rinjsh antifashistë dhe iu bashkua, në vitin 1945, Partisë Komuniste Italiane, militant e më pas drejtues deri në themelimin e Partisë Demokratike të së Majtës. Nga vjeshta e vitit 1946 deri në pranverën e vitit 1948 ishte pjesë e sekretariatit të Qendrës Ekonomike Italiane për Jugun. Ai gjithashtu mori pjesë aktive në Lëvizjen për Rilindjen e Italisë Jugore që nga lindja e saj (dhjetor 1947) dhe për mbi 10 vjet.

U zgjodh për herë të parë në Dhomën e Deputetëve në vitin 1953 dhe ishte pjesë e saj, me përjashtim të legjislaturës së katërt, deri në vitin 1996, gjithmonë i rikonfirmuar në zonën elektorale të Napolit. Napolitano nga fundi i viteve 1980 ishte ndër protagonistët e tranzicionit të PCI-së drejt socializmit demokratik të stilit europian. Postet institucionale që ai mbajti më pas ishin të ndryshme dhe të rëndësishme: nga kryesia e Dhomës së Deputetëve (1992-1994) deri te funksionet e ministrit të Brendshëm.

Në maj 2006 ai u zgjodh në presidencën e republikës, duke marrë detyrën nga Carlo Azeglio Ciampi. Në prill 2013, në një situatë ngërçi politik që u shfaq pas zgjedhjeve legjislative, Napolitano u bë kreu i parë i shtetit në historinë e Republikës italiane që u rizgjodh nga Parlamenti për një mandat të dytë. Sidoqoftë, Napolitano u largua përfundimisht nga 'Quirinale' në fillim të 2015.

Gjendja e tij shëndetësore filloi të lëkundet në vitin 2018, kur u shtrua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua një operacioni në aortë. Në maj të vitit të kaluar ai iu nënshtrua një operacioni abdominal në spitalin Spallanzani në Romë.  Ai ishte një lider i lindur. Ai mishëronte figurën e një presidenti të vetëdijshëm për identitetin e tij politik: ai ndërhynte, korrigjonte, mbikëqyrte dhe vëzhgonte. Ndërhyrja e tij e fundit parlamentare daton në 23 mars 2018, kur, si dekan i Palazzo Madama, ai kryesoi seancën inauguruese të legjislaturës së tetëmbëdhjetë. Giorgio Napolitano ishte një zotëri që jetoi 70 vjet të jetës publike me stil të pamohueshëm republikan./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB