
MBRETËRI E BASHKUAR- Një burrë 40-vjeçar vdiq të dielën duke u përpjekur të kalonte Kanalin Anglez nga Franca veriore. Sipas prefekturës në Calais, burri ishte me origjinë indiane dhe pati një arrest kardiak pasi varka në të cilën ndodhej me rreth 50 burra, gra dhe fëmijë të tjerë u shfry disa minuta pasi u largua nga bregu francez.
Sipas "TheGuardian", të gjithë u kthyen me not në breg, por 40-vjeçarin nuk ia dolën dot ta mbanin në jetë. Vdekja e tij e çon totalin në 57 duke shënuar kështu vitin më vdekjeprurës. Megjithatë, kjo nuk duket se i ka penguar njerëzit të tentojnë kalimin e paligjshëm drejt vendit ishullor.
Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, tha: Kjo është një tjetër humbje tragjike dhe e parandalueshme, vdekjet tani po bëhen tronditëse të shpeshta. Ne nuk duhet të pranojmë shpeshtësinë dhe shkallën e këtyre tragjedive si të pashmangshme duke u bërë imun ndaj tyre. Çdo vdekje është një kujtesë se ata që bëjnë këto udhëtime të rrezikshme janë burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar, të cilët janë qenie njerëzore, që po ikin nga terrori, lufta dhe shtypja në kërkim të një jete të siguritë.
Një zëdhënës i Home Office tha: Kjo tragjedi është një kujtesë se bandat e kontrabandës së njerëzve kujdesen vetëm për fitimet që bëjnë, jo për jetët që vënë në rrezik. Ne nuk do të ndalemi para asgjëje për të çmontuar modelet e tyre të biznesit dhe për t'i sjellë para drejtësisë.
Që nga e shtuna, numri i personave që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla deri më tani këtë vit ka tejkaluar totalin e mbërritur në të gjithë vitin 2023, sipas shifrave të publikuara nga Home Office. Deri më tani këtë vit 29,642 persona kanë bërë udhëtimin, krahasuar me 29,437 vitin e kaluar. Nuk ka gjasa që totali i vitit 2022 prej 45,755 personave që mbërritën me varka të vogla të tejkalohet deri në fund të dhjetorit 2024. Të shtunën 64 persona kaluan Kanalin me një varkë./ZËRI