
MEKSIKË- Një operacion arrestimi ka “zhbllokuar” situatën mes bandave në Culiacan, kryeqyteti i shtetit të Sinaloa, i njohur si qendra e operacioneve për Los Chapitos. Forcat e armatosura të Meksikës kapën Mario Alexander Gamez Cuevas, pjesë e grupit “El Nini”, udhëheqës brenda strukturave të Los Chapitos. Ai është transferuar në Mexico City, në një distancë të madhe nga zona e kontrolluar nga Los Chapitos, me qëllim shmangien e ndonjë tentative për hakmarrje apo shpëtim.
Cuevas, i cili mban pseudonimin “El Piyi”, konsiderohet një prej individëve që kanë gjeneruar më shumë dhunë në Culiacan dhe më gjerë. Ai shërbente si kreu i sigurisë për Iván Archivaldo Guzmán Salazar, djalin më të madh të El Chapo-s, dhe kishte një rol të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e liderëve të Los Chapitos. Arrestimi i tij vjen 10 ditë pas trazirave dhe dhunës në rajon, të cilat kanë shkaktuar afro 50 vrasje, sipas mediave vendase.

Ky arrestim erdhi në një moment të tensionuar për kartelin Sinaloa, që po përballet me një luftë të brendshme për pushtet mes dy fraksioneve të mëdha. Pas arrestimit të Ismael Zambada Garcia, një prej themeluesve dhe ish-udhëheqësve të kartelit, më 25 korrik, karteli është përfshirë në një luftë të ashpër midis besnikëve të "Los Chapitos" dhe atyre të Zambada-s. Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ka konfirmuar se kjo luftë civile ka shkaktuar të paktën 48 viktima deri tani, por shifrat mund të jenë edhe më të larta. Arrestimi i Cuevas është parë si një hap i madh nga ana e autoriteteve në përpjekjen e tyre për të rikthyer rendin pas valës së dhunës që filloi më 9 shtator.
Për sa i përket figurës së Cuevas, ai është një pjesë e rëndësishme e grupit të drejtuar nga “El Nini”, një tjetër udhëheqës brenda strukturave të sigurisë së Los Chapitos. Ky grup është i përfshirë drejtpërdrejt në luftën për kontrollin e territorit dhe mbrojtjen e trashëgimisë së kartelit Sinaloa, të cilën e kanë marrë përsipër djemtë e El Chapo-s pas arrestimit dhe burgosjes së babait të tyre. "El Piyi" është konsideruar prej kohësh si një prej njerëzve më të fuqishëm në Culiacan, duke qenë një faktor kyç në fuqizimin e fraksionit të Los Chapitos dhe përpjekjet e tyre për të mbajtur kontrollin e rrjetit të trafikut të drogës në Meksikë./ ZËRI