
PARIS- Gara e notit në lumin Senë në Lojërat Olimpike Paris 2024 është shtyrë për shkak të niveleve të dobëta të cilësisë së ujit, njoftoi organi drejtues i sportit, World Triathlon.
Sipas CNN, gara e notit u planifikua për të martën, por ekipi mjekësor i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe zyrtarët e qytetit të Parisit morën vendimin për të shtyrë garën deri të mërkurën.
“Paris 2024 dhe World Triathlon ritheksojnë se prioriteti i tyre është shëndeti i sportistëve. Testet e kryera sot në Senë zbuluan nivele të cilësisë së ujit që nuk ofronin garanci të mjaftueshme për të lejuar mbajtjen e ngjarjes”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Shirat e dendur goditën Parisin gjatë fundjavës, ku u ngritën shqetësime për cilësinë e ujit në lumë, i cili zakonisht bie pas nivelit të ujit.
Dy javë më parë, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo u zhyt në lumin Senë për të treguar se cilësia e ujit është e pastër dhe mund të zhvillohen Lojërat Olimpike. Por, pavarësisht investimit të rreth 1.4 miliardë dollarëve në përgatitjen e Senës për Lojërat Olimpike, kryesisht për të parandaluar rrjedhjet e ujërave të zeza në lumë, cilësia e ujit ulet kur bie shi, dhe nuk është e rekomandueshme të mbahen zhytjet.
Politikanët janë zotuar të pastrojnë Senën për dekada. Jacques Chirac, ish-presidenti francez, bëri një premtim të ngjashëm në vitin 1988 kur ishte kryebashkiak i Parisit, por noti në lumë është ndaluar për më shumë se një shekull. /ZËRI/