
GJERMANI- Ngjarja e rëndë në prag të Krishtlindjeve në Gjermani, ku katër persona, duke përfshirë një fëmijë, u vranë pasi një makinë u përplas me turmën në treg, ka tronditur mbarë opinion publik. Dëshmitarët okularë thonë se makina, 'BMW' e zezë, është përplasur në orën 19:04 të së premtes me turmën në sheshin para bashkisë. Videot në mediat sociale tregojnë një makinë që kalon me shpejtësi në turmë dhe njerëz që vrapojnë në panik nga vendi i ngjarjes.
Banorët thanë se makina e sulmuesit pasi ka kaluar barrierat është përplasur në një treg me disa familje. Ata shtojnë se shoferi ka qenë duke lëvizur në mënyrë zig-zag. Shumë prej tyre arritën të hidheshin anash dhe të shpëtonin. CNN.greece, shkruan se gazetari i BILD Johannes Proft ka folur edhe me dëshmitaren okulare Nadine nga Wolfsburgu. Ajo kishte udhëtuar drejt Magdeburgut me të dashurin e saj Marco.
“Kishte kudo ambulanca, kishte polici, kishte shumë zjarrfikës, ishte një situatë vërtet kaotike. Pamë gjak në dysheme, pamë njerëz të ulur pranë njëri-tjetrit dhe rreth tyre kishin gjethe ari dhe argjendi. Dhe ne pamë shumë mjekë që përpiqeshin t'i mbanin njerëzit ngrohtë dhe t'i ndihmonin ata me lëndimet e tyre. Është një tronditje e madhe. Është një tronditje e madhe për çdo person këtu në Magdeburg dhe për çdo person në Saksoni-Anhalt”, tha ai.
Tronditëse është dëshmia e një burri që dëgjoi njerëzit të bërtisnin ndërsa makina kalonte me shpejtësi nëpër tregun e Krishtlindjeve. Clowes raportoi se makina ishte rreth 15 metra larg tij dhe ai e pa atë të përplasej me njerëzit. Ai shprehet se shoferi nuk frenoi dhe makina thjesht kaloi nëpër turmë.
“U ktheva dhe në fillim mendova se zhurma ishte karuseli i fëmijëve që ishte menjëherë pas nesh. Papritur një makinë vjen nga e djathta jonë drejt matanë. Ai po ngiste të paktën 48-64 km/h dhe njerëzit po kalonin mbi makinë. Ne e dinim se ishte një incident i rëndë pasi po ndodhte. Shoferi nuk frenoi apo asgjë, makina thjesht kaloi nëpër turmë," shtoi ai.
Ndërsa zjarrfikësi Johannes ishte një nga të parët që nxitoi në tregun e Krishtlindjeve. Johannes shprehet se ishte se në një film të keq. Gjithashtu ai thotë se ka marrë të plagosurit që nuk kishin njeri me vete dhe i ka çuar në qendrat shëndetësore.
“Ishte si të ishe në një film të keq. Eca nëpër tregun e shkatërruar, njerëzit ishin shtrirë majtas e djathtas. Dhe gjithçka që mund të mendoja ishte: Cilin prej tyre do të ndihmoj tani? Më pas i kam kapur të plagosurit që nuk kishin njeri me vete dhe i kam çuar në qendrat përkatëse të trajtimit. Kam përdorur një shënues për të shkruar fjalët jeshile, të verdhë ose të kuqe në fytyrën e të dëmtuarit. Varësisht nga niveli i lëndimit të tyre”, zbuloi ai.