
ITALI- Papa Françesku ka bërë sërish thirrje në lutjen e kësaj të diele për arritjen e një armëpushimi në luftën Izrael-Hamas. Papa shpreson që të ndiqen rrugët diplomatike në mënyrë që të shmanget gjakderdhja e mëtejshme e jetëve të pafajshëm.
“Unë vazhdoj të mendoj për situatën e rëndë në Palestinë dhe në Izrael ku shumë e shumë njerëz kanë humbur jetën. Në emër të Zotit, ju lutem të ndaloni: ndaloni përdorimin e armëve! Shpresoj se do të ndiqen rrugët diplomatike në mënyrë që një përshkallëzim i konfliktit të shmanget absolutisht”, tha Papa, në një postim në platformën X.
Ndërkohë edhe Presidenti palestinez, Abu Mazen, i tha Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Ramallah se duhet të ketë një "armëpushim të menjëhershëm" në Gaza në mënyrë që ndihma humanitare të mund të hyjë në Rripin e Gazës. Konflikti në Lindjen e Mesme ka sjellë shkatërrimin e jetëve të mbi 2 milionë njerëzve.