
BRUKSEL- Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të njoftojë më 20 qershor se do të heqë dorë nga gara për t’u bërë shef i ardhshëm i NATO-s. Ai është pengesa e vetme në rrugën e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, për ta marrë postin e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake, shkruajnë mediat e huaja.
Emërimi i një sekretari të ri të përgjithshëm të NATO-s kërkon konsensus nga të 32 anëtarët e aleancës dhe shumica duket se janë të gatshëm të mbështesin Rutte, megjithëse Hungaria kishte qëndruar kundër deri këtë javë. Stoltenberg mbështeti 57-vjeçarin, duke thënë se ai ishte një "kandidat shumë i fortë" për këtë detyrë. SHBA, Britania e Madhe, Franca, Sllovakia, Hungaria dhe Gjermania kanë mbështetur publikisht Rutte si pasardhësin e Stoltenberg.
Ndërkohë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se ai ishte "i gatshëm të mbështeste" kandidaturën e Rutte, pasi siguroi një garanci nga udhëheqësi holandez se Budapesti nuk do të duhej të kontribuonte në ndonjë dërgesë të koordinuar të armëve të NATO-s për Ukrainën./ZËRI