
GREQI- Gjykata e Kretës ka lënë në ambientet e paraburgimit, Gentian Minon, 39-vjeçarin shqiptar që vrau me armë zjarri partneren e tij rumune, javën e kaluar në zonën e Kretës. Në Gjykatë gjatë ditës së sotme, ai ka pretenduar se arma i është shkrepur gabimisht, teksa po “ngacmonte” të dashurën e tij 29-vjeçare, pasi kjo e fundit nuk ndihej mirë kur shikonte pistoletën.
Sipas Minos, ditën e ngjarjes tragjike, ata kanë qenë të dy të ulur në tapetin e dhomës së ndenjes përballë tavolinës, duke pirë e duke biseduar. Shqiptari ka rrëfyer se Nina pa pistoletën dhe nuk ndihej mire, dhe se 29-vjeçarja nuk e donte pistoletën në shtëpi dhe nuk donte ta shihte para saj.
Sipas tij, ajo i kërkoi që t’ia hiqte nga sytë dhe shqiptari ka pretenduar se reagimi i partneres iu duk qesharak, ndaj ka vendosur ta ngacmojë edhe më shumë, siç pretendon ai, duke i drejtuar armën për të cilën mendonte se ishte në siguresë, njoftojnë mediat greke.
Por teksa 39-vjeçari bënte shaka, arma që mbante në dorë është shkrepur sipas tij, duke qëlluar për vdekje të renë. Ai ka njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën. 39-vjeçari pohon se ai dhe Nina ishin shumë të dashuruar. Ai mohon të ketë pasur sjellje abuzive ndaj saj, siç kanë raportuar disa fqinjë, në dëshmitë e tyre.
Mino pranon se si çift kanë pasur disa grindje, por asnjëherë dhunë. Madje pretendon se jeta e tyre intensive seksuale ndoshta i shqetësoi disa fqinjë që u ankuan. Mësohet se miq të viktimës, po mbledhin para për transportin e trupit në Rumani pasi prindërit nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet. Mes tyre është edhe vetë i akuzuari për vrasjen e të resë. Shqiptari dyshohet se ka qenë përdorues i rregullt i alkoolit dhe ka qenë i dënuar për drogë.
/ZËRI