
MOSKË - Një ish-kryebashkiak i diskretituar rus, i dënuar për ryshfet, iu hoq dënimi me burg, pasi nënshkroi një kontratë për të luftuar me ushtrinë ruse në Ukrainë, njoftuan mediat lokale të dielën.
Oleg Gumenyuk, i cili shërbeu si kryebashkiak i qytetit lindor të largët dhe qendrës kulturore të Vladivostok midis viteve 2018 dhe 2021, u dënua vitin e kaluar për marrjen e ryshfeteve me vlerë 38 milionë rubla (rreth 432,000 dollarë) dhe u dënua me 12 vjet burgim. Megjithatë, ai u lirua pasi ra dakord të mbante armë dhe të luftonte si pjesë e operacionit ushtarak të vendit të tij në Ukrainë, që filloi gati dy vjet më parë, tha avokati i tij Andrei Kitaev për gazetën ruse Kommersant.
Ai tha se vendndodhja e politikanit ishte e panjohur, por Gumenyuk ishte udhëzuar të raportonte në njësinë e tij ushtarake më 22 dhjetor. Zyrtarët lokalë të Shërbimit Federal të Ndëshkimit në rajonin Primorsky, ku mbahej ish-kryetari i bashkisë, nuk i konfirmuan raportet. Fotot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një burrë që i ngjan Gumenyuk, duke mbajtur një armë, ndërsa ishte i rrethuar nga ushtarakë të tjerë. Rusia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të pasur shumë trupa në Ukrainë, duke përfshirë dërguarjen në luftë të mijëra të burgosurve nga burgjet e vendit. Të burgosurit që regjistrohen për gjashtë muaj në vijën e pare, falen pas kthimit të tyre.
Nuk është hera e parë që autoritetet përdorin një taktikë të tillë, pasi Bashkimi Sovjetik kishte përdorur më parë "batalionet e të burgosurve" gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu të dielën, bombardimet vazhduan me një sulm rus në qytetin ukrainas Kherson, duke plagosur gjashtë persona, sipas administratës ushtarake të rajonit të dielën.
Katër zjarrfikës u lënduan gjithashtu, pasi një dron goditi një stacion zjarrfikës në rajonin Kherson. Ndërkohë, një sulm ukrainas me dron plagosi një person në fshatin kufitar rus Tetkino, tha në mediat sociale guvernatori i rajonit të Kursk, Roman Starovoyt./ZËRI/