
MITROVICË - Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në mesnatë në “Lagjen e Boshnjakëve” në veriun e Mitrovicës.
Kjo zonë ka popullsi të përzier, pasi aty jetojnë shqiptarë dhe serbë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani konfirmoi lajmin për mediat e Kosovës.
“Ekipi i specializuar ka dalë në terren gjatë mesnatës. Duket se kemi të bëjmë me një shpërthim të granatës së dorës M75”, tha Elshani. Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës, ndërsa dyshohet se ka vetëm dëme materiale.
Një makinë mësohet se ka pësuar dëmtime si pasojë e incidentit. Policia tashmë është në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet.
Reagimi i ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Zveçla
Në lidhje me shpërthimin në Mitrovicën e Veriut, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla. Zveçla ka thënë se shpërthimi ka lidhje me arrestimin e djeshëm të tre serbëve, që dyshohen për krime lufte.
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Ata dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, tha ai.
Më tej, Sveçla shton se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. “Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve. Inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë”, deklaroi ai.
Ministri ka pohuar se “Serbia me në krye Vuçiçin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës”. “Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës. Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë”. /Zëri.ai/