Bota

Stano: Urat zakonisht bashkojnë njerëzit, por fatkeqësisht jo ajo e Ibrit! Duhet dialog

Stano tha se Bashkimi Evropian nuk është një forcë ndërhyrëse.

f.t
Stano: Urat zakonisht bashkojnë njerëzit, por fatkeqësisht jo ajo
Peter Stano

KOSOVË-Ura e Ibrit është kthyer në temë kryesore diskutimi ditëve të fundit. Ideja e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, nuk po përkrahet nga ndërkombëtarët. Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se ajo e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike”. Prandaj, thotë ai, duhet të zgjidhet përmes dialogut. 

“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano në një intervistë për median serbe N1, shkruan Klankosova.tv.

Ai tha se javën e kaluar, të gjithë miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian, Quint-i), shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën”.

“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim. Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish,-u shpreh Stano.

Më tej, ai tha se Bashkimi Evropian nuk është një forcë ndërhyrëse.

“Ne nuk duam t’u imponojmë partnerëve tanë gjëra që populli, popullata vendase, mund t’i konsiderojë si ndërhyrje në punët e brendshme. Pikërisht për këtë ne punojmë si ndërmjetës në dialog. Ndërmjetësi është si një mësues i mirë, i cili përpiqet të bëjë që dy nxënës kokëfortë të arrijnë ndonjë rezultat. Në këtë rast, ata të fillojnë të trajtojnë njëri-tjetrin normalisht.  Serbia dhe Kosova kanë thënë se duan të anëtarësohen. Atëherë duhet të ndiqni rregullat dhe rregullat thonë se kërkohen marrëdhënie të mira fqinjësore. Nëse nuk i keni, atëherë duhet të punoni për pajtim dhe normalizim. Ne do të ndihmojmë. Dhe ne vazhdojmë të ndihmojmë, sepse besojmë se mund të funksionojë. Më parë ka funksionuar me anëtarët e tjerë që janë tani në BE, por që më parë ata kanë luftuar në luftëra shumë më brutale se ajo mes serbëve dhe kosovarëve. Dhe ia dolëm. Por kjo kërkon guxim, pjekuri dhe kërkon lidership politik, i cili do të arrinte kompromisin e nevojshëm. Kjo është ajo që ne po përpiqemi t’i ndihmojmë të dyja palët të arrijnë. Por ne nuk do t’u imponojmë atyre. Sepse nëse ata nuk e duan, atëherë ne nuk mund të dëshirojmë pajtim mes Kosovës dhe Serbisë më shumë seç e duan Kosova dhe Serbia dhe liderët e tyre. Prandaj ne vetëm mund të ndihmojmë dhe këshillojmë, por nuk mund t’i detyrojmë apo detyrojmë ta bëjnë këtë”, tha zëdhënësi i BE-së.

Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999. Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete. Më 24 korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e Kosovës hapi një tender për testimin e “kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese”. Ndonëse nuk duan dialog në Bruksel për urën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se planifikojnë diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për "përfitimet nga hapja e urës”./ZËRI

Poll

MOS HUMB