
SHKUP – Politikani shqiptar në karrierë, Talat Xhaferi, sot pritet që të bëhet kryeministri i parë në Maqedoninë e Verriut. Klan Kosova ka zhvilluar një intervistë në shtëpinë e Xhaferit, përpara se ai të betohet si i pari i qeverisë teknikë në RMV.
Xhaferi në këtë intervistë ka treguar kohërat e vështira, kur shteti maqedonas ishte diskriminues ndaj shqiptarëve që jetonin në RMV. Ai tregoi sesi dy fëmijëve iu ka vendosur emra shqip.
“Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali ka lindur në Leskoc, ndërsa vajza në Gostivar. Edhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë ka qenë problem t’i vendosje fëmijës emër shqip. Kjo nuk ishte përvojë vetëm e imja, por në tërësi. Shërbimet civile kishin lista me emra dhe ti mund të zgjidhje. Por unë ia kam vendosur emrin djalit Barlet. Kur u pyeta se cila ishte origjina e emrit, kam thënë se është emër internacional dhe jo se ka të bëjë me Marin Barletin”, tha Xhaferi.
Ndërsa më tej ka rrëfyer edhe se vajzës ia ka lënë emrin Besiana. “Vajzës ia kam lënë emrin Besiana. Motivimi im ka qenë rruga Besiana, që ne kalonim”, tha ai. Talat Xhaferi theksoi se dikur ka pasur tepër pengesa për të vendosur emra shqip, ndërsa tashmë nuk ka. Talat Xhaferi pritet të votohet sot në parlament, për të qenë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut./ZËRI/