
PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Veri të Kosovës. Në një reagim zyrtar, presidentja Osmani shpërndau një mesazh unifikimi, duke shtuar se terroristët nuk i detyrojnë dot të bëjnë hapa pas.
“Në misionin fisnik, në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës, jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës. Të gjithë bashkë me një mesazh: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë! Faleminderit heronjve tanë në uniformë! Kosova është e përjetshme,”-shkruan Osmani në rrjetet sociale.
Çfarë ka ndodhur në Kosovë?
Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë reshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë. Deri tani janë vrarë 7 agresorë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Pas mbledhjes Kurti ka deklaruar se më shumë se 30 persona të armatosur – profesionist ushtarakë dhe policorë serbë – po mbahen të rrethuar në manastirin e Banjskës, mes tyre pretendon se ka edhe forca ëanger. Kurti iu bëri thirrje atyre që të dorëzohen, ndërsa Serbia ende hesht./Zëri.ai