
ITALI- Në shkurt të këtij viti Amerika dhe Spanja u tronditën nga zhdukja e një gruaje, Ana Maria Henao Knezeviç, 40 vjeçe, në Madrid. Si i dyshuari kryesor për këtë ngjarje u arrestua ish- bashkëshorti i saj David Knezeviç. Pas shumë muajsh hetim, Knezeviç gjatë marrjes në pyetje nga FBI tha se ajo është në zonën e Vicenzës, në Itali.
Kryetari i bashkisë së qytetit, me urdhër të Policisë italiane dhe me kërkesë të autoriteteve spanjolle, nënshkroi sot një urdhëresë për të lejuar fillimin e kërkimeve në një zonë të paarritshme në shpatet e Rrafshnaltës Asiago, në Costo në Cogollo del Cengio. Kjo është një zonë me një terren të vështirë dhe rrugët janë të bllokuara. Autoritetet spanjolle kanë nisur kërkimin dhe sipas zëvendës drejtorit të policisë, ato do të zgjasin për disa ditë.
Kush është Ana Maria Henao Knezeviç?
Ana Maria Henao Knezeviç është me origjinë nga Kolumbia dhe prej 18 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shkoi të jetojë në Madrid në dhjetor 2023, pasi u divorcua nga bashkëshorti i saj, David Knezeviç, pas 13 vitesh martesë. Burri me origjinë serbe, por amerikan i natyralizuar është arrestuar në aeroportin e Majamit, pasi po kthehej nga Beogradi. Ai është i dyshuari kryesor për zhdukjen e ish-bashkëshortes së tij. Më 10 qershor, ai doli para një gjykatësi të shtetit të Floridës për leximin zyrtar të akuzave kundër tij. Ana Maria u zhduk më 2 shkurt, ndërsa ishte në kryeqytetin spanjoll me një mikeshë. Sipas burimeve hetimore amerikane, burri ka dhënë disa indikacione të sakta se ku mund të ndodhet ajo.
Dyshohet se arsyeja kryesore e rrëmbimit të saj është motivuar financiarisht. Çifti kishte krijuar së bashku disa biznese së bashku që fitonin miliona. Nga divorci, Ana përfitonte 50% të pasurisë së tyre dhe kjo është pikërisht arsyeja pse nisën konflikte të shumta mes tyre. Ndërsa familjarët e saj shprehen se ajo ende mund të jetë gjallë, por Knezeviç nuk ka dhënë asnjë informacion përsa i përket mirëqenies së saj. /ZËRI