
SERBI- Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç thotë se e pati të vështirë të duronte faktin që Maqedonia e Veriut votoi për rezolutën e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, shkruajnë mediat serbe.
Presidenti i Serbisë ka përmendur abstenimin e Greqisë ndaj Rezolutës, duke thënë se doli që Athina ka më shumë qëndrim sesa Shkupi. Kreu i shtetit serb ka deklaruar se qëndrimi maqedonas e ka goditur fort.
“Maqedonia e Veriut më goditi fort. Unë kam investuar më së shumti në marrëdhëniet me vëllezërit tanë maqedonas, por kjo nuk ishte e drejtë. Doli që Greqia ka më shumë shtyllë se Shkupi”, tha Vuçiç.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi pro rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Rezoluta mori 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime. Rezoluta përcakton 11 korrikun, ditë të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur serbët e Bosnjës vranë më shumë se 8,000 myslimanë boshnjakë në Srebrenicë të Bosnjës. Kjo rezolutë u kundërshtua fort nga Serbia, e cila mohon gjenocidin. Teksti përfundimtar i rezolutës që është hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, dënon mohimin e gjenocidit, gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi./ZËRI