LIVE UPDATES

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do të jetë shënjestra e radhës! Irani lëshon raketë balistike drejt Turqisë

➤Izraeli ka nisur për të pestën ditë me radhë sulme të reja ndaj objektivave në Iran dhe paralajmëron për sulme hakmarrëse. ➤Presidenti Donald Trump tha se forca ajrore dhe marina e Iranit ishin “shuar” dhe ushtria amerikane tha se shkatërroi 17 anije iraniane dhe gati 2,000 objektiva. ➤SHBA-të kanë mbyllur ambasadat në tre vende , kanë zvogëluar stafin diplomatik rajonal dhe i kanë paralajmëruar amerikanët të largohen. ➤Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se kanë hapur korridore ajrore të sigurta me fqinjët e tyre, ndërsa vendet nxitojnë të evakuojnë shtetasit e bllokuar. ➤Në krye të Iranit është vndosur djali i liderit të vrarë, Mojtaba Hosseini Khamenei. ➤Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thotë se çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi iranian për të zëvendësuar Ali Khamenein do të jetë një "objektiv i qartë për eliminim". ➤Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit paralajmëroi se aftësitë raketore të Iranit “shkojnë përtej Lindjes së Mesme” dhe e përshkruan regjimin në Teheran si një kërcënim në rritje për paqen botërore. ➤Ndërsa një raketë balistike iraniane është lëshuar drejt hapësirës ajrore turke. Lajmi u bë i ditur nga ministria turke e Mbrojtjes. Pas këtij incidenti njoftohet se Turqia do të komunikojë me NATO-n dhe aleatët e tjerë. ➤Një nëndetëse e Marinës Amerikane goditi me raketë një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Sri Lankës, si pasojë e sulmit 87 persona humbën jetën.➤Po ashtu, një zëdhënës iranian ka deklaruar se Teherani do të shënjestrojë ambasadat izraelite në mbarë botën nëse Izraeli sulmon ambasadën iraniane në Bejrut, sipas mediave vendase.

14 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

SHBA mohon armatosjen e forcave kurde për ndërhyrje në Iran

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Foto ilustruese

WASHINGTON- Presidenti amerikan Donald Trump ka kundërshtuar armatosjen e forcave kurde, për t’i frymëzuar ata që të zhvillojnë një kryengritje popullore në Iran.

Sipas sekretares së shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, çdo raport i tillë është “plotësisht i rremë dhe nuk duhet të publikohet”.

Leavitt shprehet se presidenti amerikan “foli me udhëheqësit kurdë në lidhje me bazën amerikane në Irakun verior”.

Media të huaja kanë raportuar më parë se Washingtoni po përgatitej të mbështeste forcat kurde për një operacion tokësor në Iran “në ditët në vijim”. Sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth gjithashtu u distancua nga ky raport, duke thënë se asnjë nga objektivat e SHBA-së “nuk bazohet në mbështetjen e armatosjes së ndonjë force të veçantë”.

Por ky operacion, sipas një burimi të cituar nga CNN, mund të zhvillohet “në ditët në vijim”. Në qendër të tij mund të jetë populli kurd, i cili është vendas në Lindjen e Mesme, por nuk ka shtet të vetin. Me një numër deri në 45 milionë banorësh, ata njihen si populli më i madh pa shtetësi në botë, por kanë fituar një shkallë autonomie brenda kufijve të vendeve të tjera. Kurdët, një popull kryesisht mysliman, janë bashkuar me SHBA-në vitet e fundit për t’iu kundërvënë kërcënimit të të ashtuquajturit Shtet Islamik, duke siguruar forca luftarake në terren./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Iraku në kaos/ Ndërpritet energjia në vend, shpërthime e dronë të rrëzuar në disa qytete

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Foto ilustruese

BAGDAD- Teksa tensionet po përshkallëzojnë në Lindjen e Mesme, Iraku u zhyt papritur në ndërprerje totale të energjisë elektrike. Ministria e Energjisë njoftoi se rrjeti kombëtar është fikur në të gjitha provincat, pa dhënë një shpjegim të qartë për shkakun e ndërprerjes.

Hetimet për të përcaktuar arsyet e kolapsit janë në vazhdim, ndërsa ekipet teknike po përpiqen të rivendosin furnizimin me energji për qytetarët. Prej fillimit të konfliktit midis Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, shumë zona të Irakut janë përballur me sulme të përsëritura.

Si pasojë e situatës së tensionuar në vend dhe incidenteve të shumta ambasada e SHBA-ve në Bagdad bëri thirrje urgjente për qytetarët amerikanë që të largohen menjëherë nga Iraku, duke i këshilluar që të strehohen dhe të largohen vetëm kur të kthehet siguria.

“Qytetarët amerikanë në Irak inkurajohen të largohen sa më shpejt të jetë e sigurt dhe të qëndrojnë të strehuar deri në momentin që mund të largohen në mënyrë të sigurt”, thuhej në njoftim.

Ndërkohë, shpërthime të reja u raportuan në Erbil, kryeqytetin e rajonit autonom të Kurdistanit në veri të vendit. Shpërthimet u regjistruan kryesisht pranë aeroportit, ku janë vendosur forcat e udhëhequra nga SHBA-të. Që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, disa drone janë rrëzuar disa herë mbi Erbil.

Një incident tjetër u regjistrua pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, ku sipas burimeve të sigurisë janë rrëzuar dy dronë, por pa viktima apo dëme materiale të raportuara. Komplekset e aeroportit përfshijnë një bazë ushtarake që strehon një objekt diplomatik amerikan dhe më parë ka pasur trupa nga koalicioni i udhëhequr nga Ëashingtoni.

Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i konfliktit mund të ketë pasoja serioze humanitare dhe ekonomike për Irakun dhe vendet fqinje, duke përfshirë rrezikun për furnizimin me energji dhe stabilitetin e rajonit. Organizatave ndërkombëtare dhe qeverive u bëhet thirrje të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur civilët dhe për të shmangur një krizë më të thellë, që mund të përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

U përjashtua nga i ati për udhëheqjen e vendit/ Nga hija në skenën botërore, kush është Mojtaba Khamenei lideri i ri i Iranit

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Mojtaba Khamenei

TEHERAN - Mojtaba Hosseini Khamenei, djali i Ajatollah Ali Khameneit, u përzgjodh udhëheqësi i ri i Iranit. Ndryshimet e menjëhershme ndodhën pas vrasjes së babait të tij, Ali Khameneit ditën e shtunë gjatë një sulmi të organizuar nga Izraeli dhe Shtetete e Bashkuara në Iran.

Mojtaba, 56 vjeç, është djali i dytë më i madh i Khameneit dhe dihet se ka lidhje të forta me Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC). Ai thuhet se u zgjodh nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit 'nën presionin e Gardës Revolucionare', sipas Iran International, raportoi Daily Mail.

Ndërsa shumë persona besonin prej kohësh se Mojtaba do të ishte një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Khamenein, ekspertët kishin mendime të ndryshme. Vetë Khamenei, thuhet se nuk e përfshiu atë në një listë pasardhësish të mundshëm që bëri vitin e kaluar. Në besimin klerikal shiit mysliman të Iranit, një trashëgimi baba-bir nuk shihet pozitivisht.

Megjithatë, ndërsa Mojtaba duket se është gati të marrë përsipër një kohë të tensionuar për Iranin, ja gjithçka që duhet të dini rreth familjes dhe pasurisë së tij neto.

Gruaja dhe familja e Mojtaba Khameneit

Mojtaba është i martuar me Zahra Haddad-Adel. Ajo është vajza e Gholam-Ali Haddad-Adel, një politikan konservator iranian dhe ish-kryetar i Parlamentit. Të dy thuhet se u martuan në vitin 2004. Zahra raportohet se u vra në vitin 2026, kur SHBA-të dhe Izraeli goditën Iranin. Ata thuhet se kanë tre fëmijë së bashku, megjithëse nuk ka shumë detaje rreth familjes së 56-vjeçarit.

Pasuria e Mojtaba Khamenei

Mojtaba u sanksionua nga SHBA-ja në vitin 2019. Megjithatë, një raport i Bloomberg zbuloi se ai kishte arritur të ndërtonte një perandori globale të pronave dhe të kanalizonte fonde, që thuhet se arrinin në shumën e miliarda dollarëve, në tregjet perëndimore.

Pasuria neto e saktë e Mojtabës nuk dihet, por llogaritë tregojnë se ai do të ishte një multimilioner. Ai thuhet se mbikëqyr një perandori të madhe investimesh. Pushteti i tij financiar thuhet se ka përfshirë llogaritë bankare zvicerane, dhe madje edhe një pronë luksoze britanike me vlerë mbi 138 milionë dollarë, thuhej në artikullin e Bloomberg.

Ben Coëdock, një drejtues i lartë hetimesh në Transparency International UK, kishte kritikuar investimet e Mojtabas në Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë: “Po bëhet gjithnjë e më e qartë se ata që janë afër udhëheqësve politikë të Iranit kanë investuar shumë në Mbretërinë e Bashkuar. Tregu ynë i pronave nuk duhet të shërbejë si një kuti e sigurt për personat që financojnë regjimet shtypëse.”

Kush është Mojtaba Khamenei

Mojtaba nuk është një klerik i rangut të lartë. Ai nuk ka mbajtur kurrë një detyrë zyrtare dhe nuk ka një rol zyrtar në regjim. Megjithatë, besohet se ushtron ndikim të konsiderueshëm prapa skenave. Ai shërbeu në forcat e armatosura iraniane gjatë luftës Iran-Irak. Ndërsa mund të ketë pasur rezistencë ndaj zgjedhjes së Mojtabës, duke pasur parasysh parimet shiite, shumë nga krerët e lartë të Iranit janë neutralizuar gjithashtu në sulmet ndaj kombit.

Mojtaba ishte një nga anëtarët e familjes Khamenei që mbijetoi, ndërsa gruaja, vajza, nipi, nusja dhe dhëndri i udhëheqësit suprem të Iranit nuk ia dolën mbanë të mbijetonin.

Pas përzgjedhjes së liderit të ri të Iranit, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, tha se çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi iranian për të zëvendësuar Ali Khamenein do të jetë një "objektiv i qartë për eliminim"./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Raketat balistike nga Irani/ Ergodan: Turqia nuk i lë asgjë në dorë rastësisë!

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Rexhep Tajip Erdogan

ANKARA- Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se Turqia po merr të gjitha masat e nevojshme dhe se po bashkëpunon me aleatët e NATO-s, pas sulmeve me raketa balistike nga Irani. Në lidhje me sulmin e ndodhur, Erdogan deklaroi se Turqia ka paralajmëruar që incidente të tilla të mos përsëriten.

“Incidente të tilla nuk duhet të përsëriten. Turqia nuk lë asgjë në dorë të rastësisë, kur bëhet fjalë për sigurinë e kufijve dhe hapësirës së saj ajrore, sidomos në këtë periudhë të vështirë që po kalon rajoni”, ka thënë ai.

Më herët, një zyrtar i lartë turk deklaroi se objektivi ishte Qiproja. Sipas tij raketa balistike iraniane që u neutralizua të mërkurën nuk kishte në shënjestër Turqinë, por një bazë ushtarake në Qipro, dhe se devijoi nga trajektorja.

Nga ana tjetër, autoritetet greke konfirmuan se dy prej 4 avionëve luftarakë F16 që operojnë tashmë në Qipro u ngritën në ajër pas sinjalizimeve për të neutralizuar “objekt të dyshimtë”, por nuk u verifikua përfundimisht prania e ndonjë droni iranian pranë kufijve ajrorë të Qipros. Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar edhe përplasje dhe qasje të ndryshme për kufijtë e përfshirjes së Greqisë në krizën e Lindjes së Mesme, rolin e bazave dhe mbështetjen ushtarake ndaj Qipros.

Qeveria dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u shprehën se do të jenë një “strehë mbrojtëse” me praninë dhe gatishmërinë aty ku e kërkon detyrimi kombëtar, me prioritet sigurinë e qytetarëve grekë, lirinë e transportit detar dhe thirrjen për uljen e tensioneve dhe diplomaci./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Hegseth: U ekzekutua udhëheqësi i njësisë iraniane që u përpoq të vriste Trump dy vite më parë

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Pete Hegseth

WASHINGTON- Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth në një konferencë për shtyp tha se ushtria amerikane vrau një zyrtar iranian i cili drejtonte një njësi që fshihej pas një komploti të dyshuar për vrasje kundër presidentit Donald Trump, por se objektivi nuk ishte fokusi fillestar i luftës.

“Udhëheqësi i njësisë që u përpoq të vriste presidentin Trump është ndjekur dhe vrarë. Irani u përpoq të vriste presidentin Trump dhe presidenti qeshi i fundit”, tha Hegseth.

“Ndërsa ky nuk ishte fokusi i përpjekjes në asnjë mënyrë, në fakt, nuk u ngrit kurrë nga presidenti ose dikush tjetër, unë u sigurova, dhe të tjerët u siguruan, që ata që ishin përgjegjës për këtë të ishin përfundimisht pjesë e listës së objektivave”, u tha Hegseth gazetarëve.

Hegseth nuk e përmendi emrin e individit, por tha se operacioni u zhvillua të martën. Në vitin 2024, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së akuzoi një burrë iranian në lidhje me një komplot të dyshuar të urdhëruar nga IRGC për të vrarë Trump, atëherë president i zgjedhur i SHBA-së. Teherani ka mohuar akuzat se ka synuar Trumpin dhe zyrtarë të tjerë amerikanë./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Nëndetësja amerikane godet anijen iraniane në bregdetin e Sri Lankës, 87 të vdekur dhe dhjetra të zhdukur

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Foto ilustruese

TEHERAN- Trupat e 87 marinarëve të Marinës Iraniane janë gjetur pasi një anije luftarake u fundos në Oqeanin Indian pranë brigjeve të Sri Lankës, thanë zyrtarët e policisë dhe ushtrisë së Sri Lankës. Një nëndetëse e Marinës Amerikane goditi me raketë një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Sri Lankës, konfirmoi më herët të mërkurën Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth.

Kërkimet janë duke vazhduar për 61 marinarë të Marinës Iraniane që janë ende të zhdukur, shtuan zyrtarët ushtarakë dhe të policisë. Gjithsej 32 marinarë iranianë janë shpëtuar. Anija po kthehej nga një stërvitje në të cilën India e kishte ftuar./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Irani lëshon raketë balistike drejt Turqisë, rrëzohet nga sistemet mbrojtëse të NATO-s

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Foto ilustruese

ANKARA- Një raketë balistike iraniane është lëshuar drejt hapësirës ajrore turke. Lajmi u bë i ditur nga ministria turke e Mbrojtjes. Po ashtu, në një artikull, media amerikani CNN thekson se sipas dy burimeve të njohura me situatën, raketa iraniane e drejtuar për në Turqi u rrëzua nga një Destrojer i Marinës Amerikane në Detin Mesdhe, pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s.

Ndërkaq ambasadori iranian në Turqi u thërrit në Ministrinë e Jashtme turke për të sqaruar incidentin që përfshin raketën e lëshuar nga regjimi i Teheranit dhe të kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s ndërsa po shkonte drejt hapësirës ajrore turke. Sipas raportit, qeveria turke i përcolli ambasadorit iranian shqetësimet e saj në lidhje me përhapjen e konfliktit në të gjithë rajonin. Ankaraja nuk ka marrë pjesë në konflikt dhe nuk ka dhënë përdorimin e hapësirës ajrore dhe bazave të saj në tokën e saj për operacione ushtarake.

Mbrojtja ajrore e NATO-s në Mesdheun lindor rrëzoi raketën, e cila kaloi nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë. Deri më tani nuk ka raportime për viktima ose të lënduar. Pas këtij incidenti njoftohet se Turqia do të komunikojë me NATO-n dhe aleatët e tjerë. 

“Ndërsa Turqia mbështet stabilitetin dhe paqen rajonale, ajo është plotësisht e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj, pavarësisht nga burimi ose origjina e çdo kërcënimi. Të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim. Ne përsërisim se e drejta jonë për t’iu përgjigjur çdo akti armiqësor të drejtuar kundër vendit tonë është e rezervuar. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund ta përshkallëzojnë më tej konfliktin në rajon”, thuhet në reagimin zyrtar./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Sulmet në Bejrut, Irani kërcënon ambasadat izraelite në të gjithë botën

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Pamje nga Bejruti

TEHERAN- Një zëdhënës iranian ka deklaruar se Teherani do të shënjestrojë ambasadat izraelite në mbarë botën nëse Izraeli sulmon ambasadën iraniane në Bejrut, sipas mediave vendase.

Bëhet me dije se ushtria izraelite ka nisur nisur sulme kundër objektivave të Hezbollahut në Bejrut këtë mëngjes. Në tre orët e fundit, forcat izraelite thanë se kishin nisur një seri sulmesh në rajonin jugor të Libanit./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Bombat bien si 'shi', Teherani kthehet në një qytet fantazmë

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Teheran

TEHERAN- Sheshi Ferdowsi, një nga kryqëzimet kryesore në qendër të qytetit, tani është i mbushur me ndërtesa të shkatruara në erë nga shpërthimet. Një flamur i Republikës Islamike është vendosur në rrënoja. Aty pranë, një tabelë e madhe reklamash që mbulon një ndërtesë të tërë shfaq një portret të udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet ajrore të shtunën.

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Portreti i Ali Khameneit

“Oficerët e policisë, forcat e armatosura të sigurisë dhe automjetet e blinduara ishin stacionuar në kryqëzimet kryesore, duke kryer kontrolle të rastësishme të automjeteve. Kryeqyteti iranian normalisht është shtëpia e rreth 10 milionë njerëzve, por ditët e fundit ka aq pak njerëz sa do të mendoje se askush nuk ka jetuar ndonjëherë këtu”, tha Samireh, një infermiere 33-vjeçare, e cila nuk donte të jepte mbiemrin e familjes së saj.

"Kemi frikë të ecim në rrugë sepse bombat ende bien nga qielli", shprehen banorët.

Shpërthime të fuqishme tronditën Teheranin për të katërtën ditë radhazi të martën, duke dërguar re të dendura tymi gri në qiellin blu, thanë gazetarët e AFP-së.

"Mbrëmë, fjetëm në dysheme në mes të apartamentit, sa më larg që të ishte e mundur nga dritaret në dhomën e gjumit dhe ato në dhomën e ndenjes vetëm për të qenë të sigurt në rast se valët goditëse do të thyenin xhamin”, tha 50-vjeçari Amir.

“Megjithatë, gruaja ime këmbëngul që të qëndrojmë për të parë se çfarë ndodh", shtoi ai.

Zonat më të prekura janë ato ku ndodhen qendrat e pushtetit, siç janë ministritë, gjykatat ose selia e Gardës Revolucionare, të cilat u shënjestruan nga sulmet të dielën.

Elnaz, 39 vjeç, tha se ishte “e vështirë të qëndronte i sigurt sepse bastisjet synojnë edhe shtëpitë e oficerëve të policisë, dhe ne nuk i njohim të gjithë fqinjët tanë”.

Gjatë natës nga e hëna në të martë, Izraeli njoftoi në rrjetin social X për banorët që të evakuohen nga zona ku ndodhet transmetuesi shtetëror IRIB përpara sulmeve. Por pak njerëz i panë paralajmërimet, pasi nuk kishin qasje në internet. Të martën, media lokale raportoi për greva në aeroportin Mehrabad të qytetit, i cili kryesisht operon fluturime të brendshme, dhe në pjesën qendrore të qytetit, ku ndodhen ndërtesa të shumta qeveritare./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

“Raketat e Iranit arrijnë deri në Athinë e Vjenë”, Ministria e Jashtme e Izraelit, nxjerr hartën: I gjithë Ballkani

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
harta

IZRAELI-Zyrtarë izraelitë kanë publikuar një hartë të rrezes së raketave iraniane, duke pretenduar se ato mund të “arrijnë” edhe deri në Evropë, përfshirë Ballkanin. Zyrtarë izraelitë dhe perëndimorë kanë deklaruar se raketat balistike iraniane kanë kapacitet që të arrijnë objektiva jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe thellë në Evropë.

Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit paralajmëroi se aftësitë raketore të Iranit “shkojnë përtej Lindjes së Mesme” dhe e përshkruan regjimin në Teheran si një kërcënim në rritje për paqen botërore.

Në një grafik të publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Mbrojtje, është paraqitur një hartë me rreze të ndryshme goditjeje që shtrihen nga rreth 300 deri në rreth 2,500 kilometra, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e Evropës Juglindore të bjerë brenda potencialit të kërcënimit.

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do

Sipas hartës, rreziku përfshin kryeqytete si Athina, Sofja dhe Bukureshti, si dhe qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në rrezen më të madhe teorike, mund të përfshihen edhe kryeqytete si Budapesti, Vjena, Varshava dhe Bratislava, duke marrë parasysh distancën maksimale të raketave. Megjithatë, mjaft analistë të pavarur theksojnë se këto përllogaritje të rrezes së raketave iraniane, janë kryesisht teorike. Aftësia reale operative e raketave varet nga faktorë të tillë si saktësia, kontrolli ajror dhe kushtet taktike./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Lufta e Iranit: Bllokimi i Hormuzit prek ekonominë botërore

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Lufta e Iranit dhe bllokimi i ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik mund të ketë pasoja deri në recesion për të gjithë ekonominë botërore. 

Ngushtica e Hormuzit - kjo ngushticë detare është itinerari më i rëndësishëm i anijeve për transportin e naftës. Hormuzi midis Omanit dhe Iranit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Sauditedhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.

Anijet çisternë mbërrijnë këtu nga shumë vende të botës. Shumica transportojnë naftën bruto nga rajoni i Gjirit Persik për në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut. 

Pika më e rëndësishme e këtij itinerari është ajo ndërmjet Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, brezi më i ngushtë me një gjerësi prej 55 kilometrash, dhe korsia e lundrimit për anijet e mëdha është vetëm 3,7 kilometra.

Ngushtica e Hormuzit kyç për interesat strategjike në rajon

Edhe në të shkuarën në kontekstin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit, Teherani vazhdimisht ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës Hormuz. E njëjta gjë po ndodh edhe në konfliktin aktual. Sipas ekspertëve të ekonomisë, në rast se ngushtica e Hormuzit e përfshirë tani nga lufta mbetet e bllokuar rrezikohet ndjeshëm e gjithë ekonomia botërore. Teherani e konsideron këtë rrugë detare si çelësin kryesor për sigurimin e interesave strategjike në rajon në jug të Iranit dhe të Gjirit Persik.

Përmes rrugës së Hormuzit transportohet një e pesta e konsumit botëror të naftës
Hormuzi zë vendin e dytë ndër itineraret më të rëndësishme në botë për transportin e naftës si rruga Malacca dhe Kanali i Suezit.

Një humbje nga bllokimi i kësaj rruge detare si pasojë e konfliktit aktual do të ishte e vështirë të kompensohej. Pasoja janë rritja e çmimit të naftës e benzinës, që gjithësesi ditët e fundit janë shtrenjtuar.

Po ashtu mund të krijoheshin ngushtica në zinxhirin e furnizimeve për shumë produkte nga nafta. Prishja e këtij zinxhiri mund t'i krijojë vështirësi ekonomisë në shumë vende të botës./DW

2 MUAJ ME PARE

Irani do të mbajë një ceremoni lamtumire 3-ditore për Ajatollah Khamenein

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Ajatollah Ali Khamenei

IRAN- Iranianët do t'i japin lamtumirën e fundit udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një ceremoni në Teheran vonë të mërkurën, tha një zyrtar i lartë iranian për mediat shtetërore. Hojjatoleslam Mahmoudi, kreu i Këshillit të Përhapjes Islamike të Iranit, tha se ceremonia e lamtumirës do të vazhdojë për tre ditë dhe procesioni i varrimit do të njoftohet më vonë.

Zyrtari tha se publiku do të jetë në gjendje të shprehë homazhet e tij ndaj trupit të Udhëheqësit të ndjerë Suprem Ali Khamenei në Sallën e Lutjeve të Imam Khomeinit në Teheran. 

Khamenei, i cili udhëhoqi vendin për 36 vjet, u vra në moshën 86 vjeç gjatë një vale sulmesh SHBA-Izrael. Autoritetet iraniane konfirmuan vdekjen e tij më 1 mars dhe shpallën një periudhë zie kombëtare.

2 MUAJ ME PARE

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Eliminoni pasardhësin e Khameneit

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
Israel Katz

IZRAEL-Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thotë se çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi iranian për të zëvendësuar Ali Khamenein do të jetë një "objektiv i qartë për eliminim". 

"Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar planin për të shkatërruar Izraelin, kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit dhe shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i qartë për eliminim. 
E rëndësishme nuk është se si quhet apo ku fshihet. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me gjithë forcën, së bashku me partnerët tanë amerikanë, për të çmontuar kapacitetet e regjimit dhe për të krijuar kushtet që populli iranian ta rrëzojë dhe ta zëvendësojë atë”, përfundoi Israel Katz.

Kujtojmë se një ditë më parë Mojtaba Hosseini Khamenei, një politikan, klerik iranian dhe djali më i madh i Ajatollah Ali Khameneit, u zgjodh Udhëheqësi i ardhshëm Suprem i Iranit.

2 MUAJ ME PARE

Lufta Izrael–Iran “tremb” shqiptarët, ngrijnë rezervimet për pushime

5 ditë luftime në Lindjen e Mesme, Izraeli: Djali i Khamenei-t do
foto ilustruese

TIRANË- Përshkallëzimi i konfliktit mes Izrael dhe Iran po reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun shqiptar të turizmit. Ndryshe nga anulimet masive që raportohen në disa vende europiane, në Shqipëri fenomeni është më i heshtur por po aq i ndjeshëm. Operatorët turistikë raportojnë se rezervimet e reja për Turqinë janë ngrirë.

Agjencitë turistike raportojnë se, megjithëse deri në fund të marsit ishin aktive ofertat “early booking” për sezonin veror, ritmi i prenotimeve ka rënë ndjeshëm ditët e fundit. Paketat janë ende në shitje, çmimet promocionale nuk janë tërhequr, por klientët hezitojnë të konfirmojnë. “Nuk kemi valë anulimesh, por nuk kemi as rezervime të reja”, bëjnë me dije operatorët nga Ilirida Travel and Tours.

Në të njëjtën kohë, familjet që kanë rezervuar në janar dhe shkurt po telefonojnë për t’u interesuar nëse situata e sigurisë mund të prekë Turqinë dhe, nëse konflikti përshkallëzohet, nëse do të kenë mundësi rimbursimi.

Në këto ditë, sipas informacioneve të marra nga agjencia Zenith Travel dhe Hima Travel, pyetja më e shpeshtë nuk është më për hotelin apo shërbimin, por për garancinë e kthimit të parave në rast anulimi për arsye sigurie.

Nëse tensionet zgjasin, agjencitë mund të shohin zhvendosje të kërkesës drejt destinacioneve të konsideruara më të sigurta si Spanja, Italia apo Greqia.

Turqia ka qenë prej vitesh zgjedhja kryesore e pushimeve familjare për shqiptarët. Destinacione si Antalia, Bodrumi apo Belek janë kthyer në produkte standarde të paketave verore, falë kombinimit të çmimeve konkurruese, formulës “all inclusive” dhe fluturimeve direkte nga Tirana me chartera. Për shumë familje, pushimet verore jashtë vendit janë sinonim i Turqisë, veçanërisht për segmentin me fëmijë.

Sipas të dhënave të mëparshme të tregut, Turqia renditet ndër destinacionet më të shitura nga agjencitë shqiptare për periudhën qershor–shtator, me mijëra paketa të kontraktuara çdo vit. Oferta e hershme zakonisht nis që në dhjetor–janar dhe kulmon deri në fund të marsit, periudhë kur tradicionalisht sigurohet një pjesë e konsiderueshme e volumit sezonal.

Ekspertët e turizmit thonë se perceptimi i rrezikut ka ndikim të menjëhershëm në vendimmarrjen e konsumatorit, edhe kur destinacioni nuk është drejtpërdrejt zonë konflikti.

Gjeografia e rajonit, lajmet për tensione ushtarake dhe pasiguria për hapësirat ajrore mjaftojnë për të shtyrë familjet të presin. Në praktikë, kjo përkthehet në shtyrje vendimi, jo domosdoshmërisht në anulim.

Nëse situata stabilizohet brenda javëve të ardhshme, operatorët presin që rezervimet të rifillojnë me ritëm më të shpejtë, ndoshta edhe me zhvendosje drejt muajve më të vonë të sezonit. Por nëse tensionet zgjasin, ngrirja e tanishme mund të kthehet në rënie reale të shitjeve, duke detyruar agjencitë të rishikojnë kontratat dhe strategjitë e çmimeve.

Përveç Turqisë, pasiguria e krijuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit mund të ndikojë edhe destinacione të tjera që shqiptarët i zgjedhin për pushime apo ‘city break’ në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht Dubai dhe Abu Dhabi, Egjipti me resortet e Detit të Kuq, si dhe Jordania, janë ndër tregjet që do të ndiejnë efektin e shtyrjes së vendimeve për prenotime të reja, edhe kur nuk janë zona konflikti./Monitor

Poll

MOS HUMB