LIVE UPDATES

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut, Trump: Goditjet më të forta ndaj Iranit ende s’kanë ardhur

➤Lufta hyn në ditën e katërt! ➤Ushtria izraelite ka nisur sulme të reja këtë mëngjes ndaj Teheranit dhe Bejrutit, duke lëshuar paralajmërime për evakuim në disa pjesë të jugut të Libanit. ➤Ambasada amerikane në Riad është goditur nga dy dronë. ➤Trump ka paralajmëruar se SHBA-të do të kundërpërgjigjen “së shpejti” për sulmin ndaj ambasadës dhe për vdekjen e personelit amerikan. ➤Departamenti i Shtetit i SHBA-ve u ka bërë thirrje amerikanëve në Lindjen e Mesme që të largohen menjëherë. ➤Konkretisht bëhet fjalë për amerikanët që jetojnë në Bahrein, Egjipt, Iran, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Gaza, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.

11 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Vendi më i sulmuar nga Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe mund të hyjnë në luftë me Teheranin

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
foto ilustruese

LINDJA E MESME- Emiratet e Bashkuara po shqyrtojnë po shqyrtojnë sulmin ndaj bazave të raketave iraniane për të ndaluar sulmet ajrore të Teheranit kundër vendit, sipas medias ndërkombëtare Axios. Dy burime folën në mënyrë anonime për median, duke u shprehur se vendi ka qenë më i sulmuar nga Irani dhe se një sulm i Emiratëve ndaj Teheranit do të ishte i pashembullt. Fakti që po merret në konsideratë pasqyron zemërimin e madh midis vendeve të Gjirit për shkak të sulmeve iraniane që kanë synuar infrastrukturën civile dhe objektet e naftës dhe gazit

"Vendi po shqyrton marrjen e masave aktive mbrojtëse kundër Iranit. Edhe pse nuk janë përfshirë në asnjë mënyrë në luftë, Emiratet megjithatë kanë pësuar 800 goditje”, tha një burim i njohur me diskutimet politike të Emirateve.

Në ditën e parë të luftës, Irani sulmoi Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Katarin dhe Bahreinin. Ndërsa, në ditën e dytë, sulmet u zgjeruan duke përfshirë edhe Omanin dhe Arabinë Saudite. Gjithashtu sulmet e detyruan Katarin të pezullonte pjesën më të madhe të prodhimit të gazit natyror.

Anëar Gargash, këshilltar për politikën e jashtme i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, shkroi në X se sulmet e Iranit kundër shteteve të Gjirit ishin një llogaritje e gabuar dhe e kanë izoluar Iranin në një pikë kritike.

“Lufta juaj nuk është me fqinjët tuaj dhe ky përshkallëzim vetëm sa përforcon narrativën se Irani është burimi kryesor i rrezikut në rajon dhe se programi i tij raketor është një burim i vazhdueshëm paqëndrueshmërie”, shkroi ai.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se Operacioni Epic Fury është projektuar të zgjasë katër deri në pesë javë, duke i dhënë konfliktit hapësirë ​​të konsiderueshme për t'u zgjeruar më tej./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Trump planifikon mbrojtje ushtarake për anijet cisternë që kalojnë Ngushticën e Hormuzit, synon të “frenojë” rritjen e çmimeve

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
FOTO ILUSTRUESE

WASHINGTON- Administrata Trump po shqyrton mundësinë e ofrimit të mbrojtjes ushtarake për cisternat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, të cilat transportojnë naftë dhe gaz natyror, në një përpjekje për të frenuar çmimet në rritje të energjisë që janë rritur që kur Garda Revolucionare kërcënoi të "vërë flakën" çdo anijeje që përpiqet të kalojë një nga "pikat e kalimit" më të rëndësishme në ekonominë globale.

"Mbështetje ushtarake për furnizimet me naftë dhe gaz", tha për Politico një burim me njohuri për planet e SHBA-së, duke folur në kushte anonimiteti dhe duke iu përgjigjur mundësisë që anijet luftarake amerikane të shoqërojnë cisternat që kalojnë nëpër Ngushticë. "Shqetësimi po rritet, pasi tregjet e energjisë mund të vihen nën presion në ditët në vijim, ndërsa fushata ushtarake intensifikohet dhe zgjerohet gjeografikisht. Qasja në Ngushticën e Hormuzit është padyshim jetike për dërgesat e gazit natyror dhe naftës bruto, veçanërisht nga Katari dhe Arabia Saudite."

Çmimet e naftës në SHBA janë rritur me gati 10 dollarë për fuçi që nga fundi i javës së kaluar, ndërsa luftimet vazhdojnë. Kjo rritje ka filluar të reflektohet në çmimet e benzinës. Qeveria amerikane po shqyrton gjithashtu mbulimin e sigurimit të nevojshëm që tankerët të vazhdojnë të udhëtojnë nëpër Ngushticë, të cilat shtrihen midis Iranit dhe Omanit dhe lidhin Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik.

Rreth 20% e tregtisë botërore të naftës kalon nëpër të, si dhe rreth 20% e dërgesave detare të gazit natyror të lëngshëm, kryesisht nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vlerësohet se deri në 15 milionë fuçi naftë bruto në ditë kalojnë nëpër këtë kalim. Rrugët alternative janë të kufizuara dhe nuk mund ta përballojnë plotësisht një vëllim të tillë. Edhe pse Ngushtica mbetet teknikisht e hapur, siguruesit detarë po rrisin çmimet dhe në disa raste po anulojnë mbulimin për anijet cisternë që kalojnë nëpër të.

Një ish-zyrtar i Mbrojtjes i njohur me diskutimet tha se Pentagoni është në diskutime të vazhdueshme rreth një misioni detar që do të ishte shumë i ngjashëm me operacionet e mëparshme të Departamentit të Mbrojtjes në Detin e Kuq, ku Shtetet e Bashkuara kanë vendosur transportues aeroplanësh dhe anije kryqëzore në rajon në një përpjekje për të siguruar lirinë e lundrimit mes kërcënimeve nga një grup i lidhur me Iranin.

"Presidenti do të takohet me sekretarët e Energjisë dhe të Thesarit dhe ata do të japin më shumë informacion pas takimit", tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë kur u pyet për opsionet që po shqyrtohen. Bisedimet janë shenja e parë që Trump po fillon ta marrë seriozisht rritjen e çmimeve të naftës, gazit dhe karburantit rrugor, e cila filloi pas fillimit të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën e kaluar.

Tashmë, Katari ka mbyllur një strukturë të madhe eksporti të gazit natyror, rafineritë e naftës së Arabisë Saudite janë sulmuar dhe Irani ka hapur zjarr ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Dje, ushtria amerikane tha se kishte fundosur 11 anije iraniane që nga fillimi i operacionit të përbashkët me Izraelin, që do të thotë se misioni ka të ngjarë të përqendrohet më shumë në kapjen e raketave të Teheranit, të cilat mund të synojnë anijet civile, sesa në pengimin e inkursioneve detare.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se administrata Trump do të paraqesë një plan për të adresuar rritjen e çmimeve të naftës të shkaktuara nga sulmet ushtarake amerikane ndaj Iranit. Ai nuk zbuloi se cilat do të ishin këto veprime, por tha vetëm: "Ne do ta shkatërrojmë Marinën e tyre"./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Vrasja e Khameneit, lideri suprem i Iranit do të prehet në qytetin e tij të lindjes

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
Ali Khamenei

TEHERAN- Trupi i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khameneit që u vra gjatë sulmit në Iran nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit do të varroset në Mashhad. Sipas raportimeve trupi i Khameneit do të varroset në qytetin e tij të lindjes, Moshhad, në verilindje të Iranit.

Kujtojmë se ditën e shtunë rreth 30 bomba u hodhën në kompleksin ku po qëndronte Khamenei. Përveç Ajatollah Ali Khameneit, në sulmin amerikano-izraelit u vranë edhe bashkëshortja, vajza, dhëndri dhe mbesa e tij.

Irani konfirmoi gjithashtu se u vranë kreu i Gardës Revolucionare, Gjenerali Mohammad Pakpour, Gjeneral Lejtnant Saeed Abdolrahim Mousavi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe Admirali Ali Shamkhani, Këshilltar i Komandantit Suprem dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Konflikti në Lindjen e Mesme/ SHBA dhe Izraeli bombardojnë aeroportin në Teheran

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
Pamje nga sulmi

TEHERAN- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë kryer një sulm në Aeroportin Mehrabad në Teheran. Mediat vendase raportojnë se, qytetarët e kryeqytetit kanë dëgjuar një seri shpërthimesh, duke shkaktuar panik dhe shqetësim në mesin e banorëve.

Raportet paraprake sugjerojnë se shpërthime janë regjistruar jo vetëm në Teheran, por edhe në qytetet veriperëndimore të Tabrizit dhe Urmisë, duke treguar një përhapje të gjerë të incidentit.

Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kryen një sulm ndaj Aeroportit Mehrabad në Teheran, një nga pikat kryesore të transportit ajror në vend. Pas goditjeve, mbi qytet u ngrit një sasi e madhe tymi i zi, duke krijuar një pamje alarmante dhe duke shtuar tensionin mes banorëve. Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një raport të plotë mbi dëmet materiale apo të plagosurit, ndërsa mediat ndërkombëtare ndjekin me kujdes zhvillimet në rajon.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme në arenën diplomatike, ndërsa qytetarët dhe ekspertët e sigurisë po monitorojnë situatën me shqetësim./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

“Iranit po i shterojnë armët”, Trump: Jam i hapur për bashkëpunim!

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
Donald Trump

WASHINTON- Presidenti amerikan Donald Trump gjatë një interviste u shpreh se Irani po humbet vazhdimisht aftësinë e tij ushtarake ndërsa armët e tij po shterohen. Trump shtoi se është i hapur për të bashkëpunuar me disa anëtarë të mbijetuar të regjimit që sundon vendin.

Në një intervistë për Politico, Trump u shpreh se aftësia ushtarake e Teheranit po përkeqësohet vazhdimisht, edhe nëse forcat iraniane "vazhdojnë të lëshojnë raketa për një kohë".

"Atyre po u mbarojnë armët dhe po u mbarojnë në zonat nga të cilat mund t'i lëshojnë, sepse janë shkatërruar plotësisht. Atyre po u mbarojnë lançuesit", tha Trump.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se SHBA-të kanë një "furnizim të pakufizuar me municione" dhe se industria e mbrojtjes po punon me një ritëm të shpejtë për të prodhuar armë.

"Por ne kemi një furnizim të pakufizuar. Sado budalla që ishte ish-presidenti Joe Biden, ai nuk e përdori atë", shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, ai e justifikoi luftën duke thënë se Irani ishte në prag të zhvillimit të armëve bërthamore ose të ishte në gjendje të sulmonte Shtetet e Bashkuara.

Trump shtoi se ishte i hapur për të punuar me një qeveri të re iraniane nëse ajo do të dilte nga lufta. Kur u pyet nëse ishte vonë për të punuar me këdo në administratën e re, Trump u përgjigj se nuk është vonë.

"Jo, nuk është vonë. Harrojeni për 49 udhëheqës të lartë iranianë që u vranë, kjo është e thellë, apo jo? Fytyra të reja po dalin. Shumë prej tyre duan punën. Disa prej tyre do të ishin shumë të mirë."/ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Lufta në Iran, MEPJ këshillon shqiptarët: Situata, e paqëndrueshme, shmangni udhëtimet

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
PAMJE NGA SULMET

TIRANË-Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindja e Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Ministria e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që të shmangin udhëtimet në këtë rajon dhe ata të cilët gjenden aktualisht në rajon, të respektojnë rregullat e autoriteteve.

NJOFTIMI:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindja e Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.

Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, shtetasit e Republikës së Shqipërisë të cilët gjenden aktualisht në rajon këshillohen:
• Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.

• Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;

• Të respektojnë dhe ndjekin në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;

• Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;

• Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.

“Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse”

3 MUAJ ME PARE

Vrasja e Khamenei/ FT: Izraeli e planifikoi për 25 vite, Mossad u fut në kamerat e Teheranit dhe bllokoi celularët

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
Ali Khamenei

IRAN-Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, konsiderohet pika kulmore ndër dekada e mbledhjes së informacioneve së inteligjencës nga shërbimet sekrete izraelite, për liderin iranian. Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në kryeqytetin iranian ishin hakeruar për vite me radhë. Imazhet e tyre ishin enkriptuar dhe transferuar në servera në Tel Aviv dhe Izraelin jugor. Këto detaje të reja nga eliminimi i Ajatollah Ali Khamenei i kanë dhënë “Financial Times” dy burime të sigurta në kushte anonimati.

Një sulm me precizion 60 sekondash me 30 raketa kërkoi vite planifikimi

Një kamera kishte një kënd veçanërisht të dobishëm, duke u lejuar izraelitëve të shihnin se ku truprojat parkonin zakonisht makinat e tyre personale. Në kohë reale, izraelitët informoheshin për adresat, orët e detyrës, rrugët që ndiqnin truprojat iraniane të zyrtarëve për të shkuar në punë dhe më e rëndësishmja, kë mbronin dhe kë transportonin zakonisht.

Ky koleksion i inteligjencës shumëvjeçare ndihmoi në hapjen e rrugës për vrasjen e Ajatollah Ali Khameneit. Megjithatë, ky burim të dhënash në kohë reale nuk ishte e vetmja metodë që Izraeli dhe CIA përdorën për të përcaktuar saktësisht se kur do të ishte 86-vjeçari Khamenei në zyrën e tij të shtunën dhe kush do ta shoqëronte. Shërbimet izraelite arritën të “ndërhynin” në të dhënat e 12 antenave të celularëve pranë “Rrugës Pasteur”, duke i bërë linjat të dukeshin të zëna kur telefonoje, duke penguar në këtë mënyrë rojen e Khameneit të merrte sinjale të mundshme paralajmëruese.

Para se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin ashtu siç e njohim Jerusalemin”, – tha një zyrtar i inteligjencës izraelite. “Dhe kur e njeh një vend aq mirë sa e njeh lagjen ku je rritur, vëren ndryshimin më të vogël.

Raporti pohon gjithashtu se Izraeli përdori mjete të Inteligjencës Artificiale, së bashku me algoritmet, për të renditur sasi të mëdha informacioni të mbledhura rreth udhëheqjes iraniane dhe lëvizjeve të saj.

Pamja e dendur dhe e pasur me informacion e kryeqytetit të armikut të saj të betuar ishte rezultat i mbledhjes së të dhënave të mundimshme, të mundësuar nga njësia e specializuar “8200” e Izraelit, materiali njerëzor i rekrutuar nga Mossadi dhe vëllimet e të dhënave të përpunuara nga inteligjenca ushtarake për të përpiluar raporte ditore.

Izraeli përdori një metodë matematikore të quajtur “analiza e rrjeteve sociale” për të analizuar miliarda pika të dhënash dhe për të zbuluar qendra vendimmarrjeje të papritura, si dhe për të identifikuar objektiva të rinj për mbikëqyrje dhe eliminim.

Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë kanë përdorur një lloj të veçantë rakete, “Sparrow”, versionet e së cilës janë të afta të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë darke nga më shumë se 1,000 km larg Iranit dhe rrezes së veprimit të çdo sistemi të tij të mbrojtjes ajrore.

Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike, me qëllim mbrojtjen e burimeve dhe metodave që përdoren për të monitoruar objektiva të tjerë. Por vrasja e Khameneit ishte një vendim politik, jo vetëm një… arritje teknologjike. FT raportoi gjithashtu se planifikimi për operacionin filloi në vitin 2001, kur ish-kryeministri Ariel Sharon urdhëroi Mossadin që ta bënte Iranin shënjestër kryesore.

3 MUAJ ME PARE

LISTA E SHTETEVE/ DASH thirrje amerikanëve: Largohuni menjëherë nga Lindja e Mesme

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
pamje nga sulmet

SHBA-Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët amerikanë, duke u bërë thirrje që të largohen menjëherë nga më shumë se 12 vende në Lindjen e Mesme. Lajmërimi vjen mes përshkallëzimit të tensioneve pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Vendet nga ku kërkohet largimi urgjent:

Bahrein
Egjipt
Iran
Irak
Izrael
Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës
Jordani
Kuvajt
Lebanon
Oman
Katar
Arabia Saudite
Siria
Emiratet e Bashkuara Arabe
Jemen

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,

3 MUAJ ME PARE

Trupat izraelite hyjnë në Liban: Do të paguajnë çmimin e lartë që na sulmuan

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
pamje nga sulmet

IZRAEL- Ushtarët izraelitë kanë pushtuar zona të reja në Libanin jugor si pjesë e përshkallëzimit me Hezbollahun, deklaroi Nadav Shoshani, një zëdhënës ushtarak izraelit.

Ai tha se zonat ishin afër kufirit izraelit, duke sugjeruar që forcat izraelite nuk kishin përparuar shumë më thellë në vend. Izraeli ka mbajtur kontrollin e pjesëve të Libanit jugor për muaj të tërë në atë që e ka quajtur një masë mbrojtëse kundër milicisë së mbështetur nga Irani.

Ministri i Mbrojtjes në Izrael, Israel Katz, deklaroi se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu “kanë autorizuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të avancojnë dhe të marrin në kontroll zona strategjike shtesë në Liban për të parandaluar zjarrin mbi komunitetet izraelite në kufi”.

 “IDF vazhdon të veprojë fuqishëm kundër objektivave të Hezbollahut në Liban. Organizata terroriste po paguan dhe do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë për sulmet e saj kundër Izraelit”, tha ai.

Hezbollahu njoftoi se ka goditur bazën Nafah në Alpet e Golanit me një “breshëri të madhe raketash”, si dhe bazat ajrore Meron dhe Ramat David në veri të Izraelit, me dronë.

3 MUAJ ME PARE

Sulmet në Lindjen e Mesme/ Trump: SHBA-të kanë mjaft armë për një luftë ‘të përjetshme’

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
Donald Trump

SHBA-Presidenti Donald Trump ka komentuar në Truth Social mbi armatimet e SHBA-ve me municione të “nivelit mesatar dhe të lartë mesatar”, duke shtuar se luftërat “mund të zhvillohen ‘përgjithmonë’… duke përdorur vetëm këto furnizime”.

“Ne kemi një furnizim pothuajse të pakufizuar me këto armë. Shtetet e Bashkuara janë të pajisura dhe gati për të FITUAR, FUQISHËM!!!” shkruan Trump, duke postuar pak para mesnatës në Washington DC.

Në komentet e tij të fundit, ai akuzon gjithashtu paraardhësin e tij Joe Biden që i ka dhënë Ukrainës “shumë nga armët amerikane të nivelit më të lartë”. Në fund të mandatit të tij katërvjeçar, Biden kishte lejuar Ukrainën të përdorte raketat e fuqishme me rreze të gjatë ATACMS, të afta të godasin deri në 190 milje (300 km).

3 MUAJ ME PARE

Izraeli godet Bejrutin dhe Teheranin, Trump paralajmëron Iranin: Vala e madhe e sulmit ende nuk ka ardhur

Dita e 4-të e konfliktit! Shpërthime në Teheran dhe Bejrut,
Donald Trump

SHBA-Situata vijon të jetë e tensionuar në Lindjen e Mesme, ku Izraeli po kryen sulme të njëkohshme në Teheran dhe Bejrut. Ndërkohë, Irani po vazhdon të sulmojë aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Presidenti Donald Trump i tha CNN-së se "vala e madhe" e sulmit amerikan ndaj Iranit ende nuk ka ardhur. Trump tregoi objektivat e tij të luftës për gazetarët, duke thënë se donte të shkatërronte aftësitë raketore të Iranit, të shkatërronte marinën e tij dhe t'i jepte fund ambicieve të tij bërthamore dhe ta ndalonte atë të armatoste grupet militante.

Poll

MOS HUMB