Durrësi mbetet në situatë kritike, evakuuohen 667 banorë, mijëra hektarë tokë nën ujë
DURRËS- Qarku i Durrësit mbetet një nga më të prekurit për shkak të situatës së motit, që vijon sot në ditën e katërt. Mijëra hektarë tokë gjenden nën ujë, ndërsa të prekura janë gjithashtu banesat, teksa 600 persona janë evakuuar.
Sipas raportit të përditësuar të datës 08.09.2026, strukturat e emergjencave civile, bashkitë dhe institucionet qendrore janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të pandërprerë.
Bashkia Durrës
Në territorin e Bashkisë Durrës situata paraqitet e rënduar, veçanërisht pas daljes së lumit Erzen nga shtrati dhe rritjes së nivelit të Kanalit të Tonës. Janë raportuar dëmtime të argjinaturës së Erzenit në rreth 500 metra linearë, në Katund të Ri dhe Sukth.
Në terren janë angazhuar 448 forca operacionale nga Bashkia, ndërmarrjet në varësi, UKD, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, OSHEE, mjekë të familjes, Rezervat e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë vënë në dispozicion mjete të rënda, gomone, pompa dhe personel.
Deri më tani janë evakuuar gjithsej 667 banorë. Në Njësinë Administrative Sukth janë evakuuar 336 persona, ndërsa në Katund të Ri 53 persona. Të tjerë qytetarë janë akomoduar në Kavalishencë, Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe Kompleksin “FAFA”.
Janë siguruar 700 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore, të shpërndara në zonat e prekura, ndërsa organizata humanitare si “Qatar Save the Children” dhe “Fundjava Ndryshe” kanë shprehur gatishmëri për të ofruar ndihma shtesë.
Deri në orën 20:00 janë verifikuar 2645 banesa dhe janë mbajtur 699 akte konstatimi, ndërsa procesi i verifikimit vijon. Në Katund të Ri dhe Sukth janë përmbytur rreth 6000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në Rrashbull rreth 400 hektarë. Janë raportuar gjithashtu rrëshqitje dherash dhe zona të tëra ende të pakalueshme.
Bashkia Krujë
Në Bashkinë Krujë situata paraqitet problematike kryesisht në akset rrugore. Në Njësinë Administrative Thumanë janë evakuuar 7 familje për shkak të prezencës së ujit në banesa. Lumenjtë Gjole dhe Zezë kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëmtime në argjinatura dhe përmbytje të rreth 600 hektarëve tokë bujqësore. Janë dëmtuar 50 banesa dhe janë evakuuar 30 persona.
Bashkia Shijak
Në Bashkinë Shijak situata mbetet problematike në zonat Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj dhe Fllakë. Janë përmbytur 75 banesa dhe rreth 180 hektarë tokë bujqësore, ndërsa disa akse rurale janë të bllokuara. Janë raportuar edhe dëmtime të argjinaturave në rreth 400 metra linearë./ZËRI
Ndërpritet energjia në tunelin e Murrizit, ndotje masive nga tymi i mjeteve
TIRANË- Në tunelin e Murrizit, me gjatësi rreth 3.8 kilometra, është ndërprerë energjia elektrike, duke krijuar një situatë problematike dhe të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor.
Përveç errësirës së plotë brenda tunelit, një tjetër shqetësim serioz mbetet mospastrimi i ajrit.
Si pasojë e ndërprerjes së energjisë, ventilatorët që shërbejnë për filtrimin dhe largimin e gazeve dhe tymit të çliruar nga automjetet nuk janë në funksion, duke bërë që ndotja të mbetet e grumbulluar brenda tunelit.
Edhe gjatë ditës së djeshme, në rrugën e Arbrit u shënuan një sërë problematikash, si pasojë e borës në rrugë, ndërsa disa mjete përfunduan në kanal.
Dëbora paralizon juglindjen/ Situatë e rënduar, mbi 1100 familje mbeten pa energji elektrike
KORÇË-Juglindja e vendit u përfshi nga reshje intensive bore, duke shkaktuar izolim dhe një situatë të rënduar. Raportohet se një numër fiderësh janë stakuar për shkak të defekteve teknike, duke lënë pa furnizim me energji një numër të lartë abonentësh, kryesisht në zonat rurale.
Probleme janë shfaqur në fidërin Cërrvenakë të nënstacionit Gur i Kuq, i cili ka dalë jashtë funksionit për shkak defekti. Ndërkohë, fidëri 4 i nënstacionit Lozhan funksionon pjesërisht, duke shkaktuar ndërprerje për 55 abonentë ruralë në zonat Zerec, Kopesh, Dushar dhe Dobërcan. Pa energji ka mbetur edhe fidëri 9 i këtij nënstacioni, ku rreth 400 abonentë në Zvarisht, Tresovë dhe Dolan janë prekur nga ndërprerja.
Ndërprerje janë raportuar edhe në fidërin komunal 3 të nënstacionit Maliq, që furnizon zonat Dardushë, Nicë dhe Sterkanj, me rreth 80 familje pa energji. Situatë e ngjashme paraqitet në nënstacionin Leskovik, ku fidëri JO6 ka lënë pa furnizim zonat Gjyrakare, Postenan dhe Peshtan, ndërsa në nënstacionin Ersekë, fidëri 3 ka ndërprerë energjinë për 50 abonentë ruralë në Kamnik, Piskal, Ndërmarrje, Shijan dhe Kaduc.
Probleme janë evidentuar edhe në Vithkuq, ku fidëri i nënstacionit Rehovë është pjesërisht jashtë funksionit, duke prekur rreth 250 abonentë në zonën Lekas. Në total, 1143 familje rezultojnë aktualisht pa energji elektrike në qarkun e Korçës./ZËRI
Sërish rrëshqitje dherash në aksin Gjirokasër-Tepelenë, çahet rruga në aksin Përmet–Çarçovë
GJIROKASTËR-Vendi vijon të përballet me probleme si pasojë emotit të keq ku, janë regjistruar dy bllokime rrugësh në aksin Gjirokastër-Tepelenë, konkretisht në kryqëzimin e Urës së Leklit dhe në zonën e njohur si Shkalla e Zezë. Bllokimet janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dherave. Ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve ndodhen në terren dhe po punojnë për zhbllokimin e të dyja korsive.
Ndërkohë situata është rënduar në aksin rrugor Përmet–Çarçovë, ku segmenti pranë urës së Çarçovës ndodhet në një pikë kritike pasi është çarë si shkak i reshjeve të dendura të shiut. Si pasojë, janë izoluar lëvizjet e banorëve dhe është ndërprerë qarkullimi i automjeteve drejt Shqipërisë juglindore./ZËRI