LIVE UPDATES

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet hakmarrëse-Trump: Sukses i jashtëzakonshëm!

➤Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në zyrën e tij mbrëmjen e 28 shkurtit gjatë sulmeve ajrore të përbashkëta SHBA–Izrael.➤ Irani ka shpallur një periudhë zie prej 40 ditësh, e ndjekur nga 7 ditë feste, pas vdekjes në moshën 86-vjeçare të Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike, Ali Khamenei, në pushtet që prej vitit 1989.➤ Nga ana tjetër Irani është zotuar për një ndëshkim “të ashpër” për vrasësit e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei. ➤Rreth 40 zyrtarë iranianë janë vrarë. ➤Sulme hakmarrëse iraniane u raportuan më herët në Dubai, Doha, Bahrein dhe Kuvajt, vende ku ndodhen baza ushtarake amerikane ose që janë aleate të SHBA-ve.

13 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Kryeministri izraelit: Po godasim zemrën e Teheranit, sulmet do të shtohen

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat ajrore izraelite po e godasin Teheranin me "intensitet në rritje" dhe se operacionet do të "intensifikohen më tej në ditët në vijim". Duke folur në një deklaratë, Netanyahu tha se ka informuar zyrtarët e lartë ushtarakë dhe të sigurisë dhe ka lëshuar udhëzime për fazën tjetër të operacioneve.

"Izraeli “po godet zemrën e Teheranit me një intensitet në rritje” dhe sulmet “do të intensifikohen më tej në ditët në vijim”. Dje, ne eliminuam Khamenein. Së bashku me të, vramë dhjetëra zyrtarë të lartë. Forcat tona tani po godasin zemrën e Teheranit me intensitet në rritje që vetëm do të intensifikohet më tej në ditët në vijim. Ky kombinim forcash na mundëson të bëjmë atë që unë kam kërkuar prej kohësh ta bëj për 40 vjet”, për të goditur Iranin “me vendosmëri". Kjo është ajo që premtova – dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë,"-u shpreh Netanyahu.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme masive ndaj Iranit të shtunën, duke vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë. Sulmet e përbashkëta shkaktuan sulme hakmarrëse nga Irani kundër objektivave izraelite dhe amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.

3 MUAJ ME PARE

'Sukses i jashtëzakonshëm", Trump komenton sulmet në Iran: S' jam i shqetësuar për ndikimin mbi çmimet e naftës

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Donald Trump

SHBA-Presidenti i SHBA, Donald Trump ka komentuar situatën në Lindjen e Mesme. Trump deklaroi se 48 udhëheqës të Republikës Islamike u vranë gjatë sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit, ndërsa thekson se gjithçka po shkon mirë.

Sa i përket faktit se sulmet mund të sjellin rritje të çmimit të naftës dhe efekte të drejtpërdrejta në tregjet globale, presidenti amerikan tha se nuk është i shqetësuar për këtë fakt.

"Gjithçka po shkon shumë mirë dhe suksesi që po arrijmë është i jashtëzakonshëm. 48 komandantë iranianë janë vrarë në një goditje të vetme. Nuk jam i shqetësuar për ndikimin mbi çmimet e naftës."- deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një intervistë për Fox News.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan sulmet e tyre të përbashkëta kundër Iranit të shtunën në mëngjes, dhe deri tani, përveç vrasjes së Ali Khameneit, u konfirmuan edhe vdekjet e disa komandantëve të lartë të forcave të armatosura të Republikës Islamike.

3 MUAJ ME PARE

SULMET e Iranit! Blianci: 9 izraelitë të vdekur nga sulmet, vriten 3 ushtarë amerikanë

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
pamjet nga sulmet

IRAN-Bilanci i përditësuar i sulmit iranian mbi Beit Shemesh, pranë Jeruzalemit, është 9 të vdekur, 23 të plagosur dhe 20 persona të zhdukur, sipas shërbimeve izraelite të emergjencës. 

Ndërkohë tre anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë në aksion që nga mëngjesi i së dielës si pjesë e Operacionit Epic Fury dhe pesë të tjerë janë “të plagosur rëndë”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së në X.

"Disa të tjerë pësuan lëndime të lehta nga shrapnelat dhe tronditje të trurit — dhe janë në proces të kthimit në detyrë. Operacionet e mëdha luftarake vazhdojnë dhe përpjekjet tona të reagimit janë duke vazhduar. Situata është e paqëndrueshme, kështu që nga respekti për familjet, ne do të mbajmë të fshehtë informacione shtesë, duke përfshirë identitetet e luftëtarëve tanë të rënë, deri në 24 orë pasi të jenë njoftuar të afërmit më të afërt.”-shkroi CENTCOM.

Nuk është e qartë se si u vranë trupat, por Irani është hakmarrë ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite duke goditur bazat ushtarake amerikane në të gjithë rajonin që nga e shtuna. Presidenti Donald Trump paralajmëroi në një deklaratë video të shtunën në mëngjes se trupat amerikane mund të vriten gjatë operacionit./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Nafta dhe aeroportet! Çfarë po përjeton bota pas sulmeve në Iran, preket edhe Shqipëria

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Pas sulmeve të fundit ushtarake në Iran nga forcat e SHBA-së dhe Izraelit,  përfshirë vdekjen e liderit suprem të vendit, Ali Khamenei, bota po përjeton një situatë shumë të tensionuar, komplekse dhe serioze, me pasoja politike, humanitare dhe diplomatike.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli argumentojnë se sulmet ishin të nevojshme për të parandaluar kërcënimin bërthamor nga Irani dhe për të mbrojtur aleatët e tyre. Shtete të tjera perëndimore, si Francë, Gjermani dhe Britani, janë shprehur kritikë ndaj përshkallëzimit por edhe kundër sulmeve iraniane në vendet e gjera të Gjirit Persik. Ata kanë kërkuar zgjidhje diplomatike dhe ndërprerjen e ofensivës së dhunshme.

Por konflikti në Lindjen e Mesme po përcjell efekte të drejtpërdrejta e të tërthorta në tregjet globale.

Me Iranin që mbylli ngushticën e Hormuzit pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në tregje po rritet. Nga rreth 65 dollarë më 25 shkurt, një fuçi naftë po kushton më shumë se 67 dollarë.  Të paktën 150 anije cisternë, që transportojnë naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, kanë hedhur spirancën në ujërat e hapura të Gjirit, përtej Ngushticës së Hormuzit.

Bllokimi i furnizimit lidhet kryesisht me rrezikun në Strait of Hormuz, një nga kanalet më të rëndësishme të transportit të naftës — rreth 20% e naftës globale kalon aty. Nëse rruga bllokohet apo pengohet seriozisht, çmimet mund të tejkalojnë 90-100 dollarë për fuçi.

Ndikimi në Shqipëri

Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të përcjellë efekte ekonomike edhe në Shqipëri. Kjo kryesisht nga Izraeli, vend nga i cili Shqipëria importoi mallra me vlerë 27.7 milionë euro vjet, shifër kjo e përgjysmuar në raport me 2024-n. Nga ana tjetër Shqipëria ka pak marrëdhënie tregtare me Iranin, vend nga i cili shifrat e importeve nuk e kanë kaluar shifrën e 4 milionë eurove në 3 vitet e fundit. 

Mbi 5 mijë fluturime u anuluan brenda 24 orësh

Sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, dhe reagimi i Teheranit, po shkakton ndërprerjen më të madhe globale të transportit ajror. Dubai dhe Doha, dy nga nyjet më të mëdha të trafikut ndërkontinental, u ndalën pothuajse plotësisht. Në mesditën e 1 marsit, rezultonin 3.500 fluturime të anuluara nga 4.329 të planifikuara në vendet e Lindjes së Mesme.

Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar ndërprerjen e përkohshme të fluturimeve drejt Tel Avivit dhe Dubait, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së disa hapësirave ajrore në rajon.

Përmes një komunikate zyrtare, autoritetet e aeroportit bëjnë me dije se pezullimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme.

3 MUAJ ME PARE

Moska reagon pas vdekjes së Khameneit, Putin: Vrasje cinike

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Ali Khamenei dhe Vladimir Putin

RUSI-Presidenti rus Vladimir Putin ka dënuar vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili e cilësoi si një vrasje "cinike". 

Në një mesazh ngushëllimi dërguar presidentit iranian Massud Pezeshkian, Putin foli me tone të ashpra për ngjarjen dhe e përshkroi Khamenein si një figurë kyçe për Iranin. Sipas agjencisë ruse Ria Novosti, presidenti rus e cilësoi Khamenein “një burrë shteti të shquar”, që kishte dhënë kontribut personal në forcimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Iranit, duke i çuar ato në nivelin e një partneriteti strategjik global.

Putin i përcolli ngushëllimet e tij familjes së Khameneit, qeverisë së Iranit dhe popullit të Iranit në një shënim drejtuar Presidentit Masoud Pezeshkian, tha Kremlini.

Rusia thotë se sulmet e kësaj fundjave nga SHBA-ja dhe Izraeli e kanë hedhur të gjithë Lindjen e Mesme në humnerë.

3 MUAJ ME PARE

Sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael! Erdogan: Rajoni rrezikon të përfshihet "në një unazë zjarri”

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Rexhep Tajip Erdogan

TURQI- Turqia ka dënuar sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se nëse sherri i armatosur midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit vazhdon pa kufizime, rajoni mund të “ngrihet në një unazë zjarri”, duke nënkuptuar rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë dhe konfliktit rajonal.

Erdogan kritikoi sulmet e SHBA-Izrael ndaj Iranit si një shkelje të sovranitetit iranian, por edhe kundërshtoi kundërpërgjigjet e Iranit me raketa e dronë ndaj vendeve të Gjirit.

"Rajoni ynë përballet me rrezikun e të qenit i zhytur në një rreth zjarri. Pavarësisht arsyes, ne i konsiderojmë të papranueshme sulmet me raketa dhe dronë të Iranit ndaj vendeve tona vëllazërore në Gjirin Persik. Për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme dhe për të shpëtuar rajonin tonë nga vuajtje më të mëdha, të gjithë aktorët - veçanërisht bota islame - duhet të ndërmarrin veprime urgjente,"-u shpreh Erdogan.

Izraeli dhe SHBA-të nisën një sulm kundër Iranit të shtunën në mëngjes, duke përmendur kërcënimet e dyshuara të paraqitura nga "regjimi iranian". Sulmet ndodhën ndërsa bisedimet midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor të Iranit kishin vazhduar nën ndërmjetësimin e Omanit. 

3 MUAJ ME PARE

Si u vra Khamenei? 30 bomba në pallatin e tij, viktima edhe vajza, dhëndri dhe mbesa e tij

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Ajatollah Ali Khamenei

IRAN-Zyrtarët e inteligjencës amerikane e kishin ndjekur udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, për muaj të tërë, duke mësuar dhe kuptuar lëvizjen e tij derisa ai u takua me zyrtarë të lartë të regjimit brenda kompleksit të tij të fortifikuar gjatë sulmeve vdekjeprurëse të së shtunës.

Me të mësuar për grumbullimin kritik, zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe izraelitë e zhvendosën sulmin, të quajtur “Operacioni Epik i Tërbimit”, në pallatin ku thuhet se banonte udhëheqësi suprem i Iranit. Sulmet e suksesshme, të përshkruara si një “surprizë taktike”, u planifikuan nga zyrtarët izraelitë për muaj të tërë. Zyrtarët e lartë dhe Khamenei ishin në dy ndërtesa të ndara të kompleksit të shkatërruar nga sulmet.

Burime izraelite thanë se agjencitë e inteligjencës kishin zbuluar takime të shumta të njëkohshme të nivelit të lartë, të cilat çuan në aktivizimin e menjëhershëm të operacionit. Rrjeti izraelit Channel 12 raportoi se rreth 30 bomba u hodhën në kompleksin ku po qëndronte Khamenei, i cili, sipas të njëjtit burim, ishte nën tokë në kohën e sulmit. Në momentin e sulmit lideri i Iranit në një ambient nëntokësor.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Përveç Ajatollah Ali Khameneit,  në sulmin amerikano-izraelit u vranë edhe vajza, dhëndri dhe mbesa e tij. Irani konfirmoi gjithashtu se u vranë kreu i Gardës Revolucionare, Gjenerali Mohammad Pakpour , Gjeneral Lejtnant Saeed Abdolrahim Mousavi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe Admirali Ali Shamkhani, Këshilltar i Komandantit Suprem dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes.

Forcat e Mbrojtjes Izraelite shprehen se kanë “vënë pikën mbi një kapitull që ka zgjatur dekada me eliminimin e udhëheqësit të boshtit terrorist iranian”. Sipas ushtrisë izraelite avionët luftarakë të forcave ajrore izraelite hodhën mbi 1.200 municione gjatë sulmeve në Iran./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

40 ditë zie për Khamenein, liderin e vrarë suprem të Iranit

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Ali Khamenei

IRAN-Televizioni shtetëror iranian ka konfirmuar vdekjen e udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, duke deklaruar se ai u vra në zyrën e tij mëngjesin e së shtunës (28.02.26) gjatë sulmit të madh ndaj Iranit, të ndërmarrë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Media iraniane njoftoi se vendi do të mbajë 40 ditë zie.

Sipas njoftimeve të ushtrisë izraelite gjatë sulmeve të përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së mëngjesin e së shtunës u vranë edhe shtatë nëpunës të lartë të Iranit. Lista e nëpunësve të vrarë përfshin edhe Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem Khamenei dhe ministrin e mbrojtjes Aziz Nasirzadeh.

Programi bërthamor dhe mbështetja për grupet shiite

Khamenei, 86 vjeç, sundoi Iranin që nga viti 1989, duke pasuar Ruhollah Khomeini, udhëheqësin e parë suprem të Republikës Islamike pas revolucionit të vitit 1979.

Gjatë sundimit të tij, Irani ndoqi ambiciet bërthamore dhe zgjeroi mbështetjen për grupet e myslimanëve shiitë në të gjithë Lindjen e Mesme, ndër të cilat bëjnë pjesë Hezbollahu në Liban, Hutit në Jemen dhe Kata'ib Hezbollahun në Irak.

Nën sundimin e Khamenei-t, Irani gjithashtu financoi dhe trajnoi Hamasin, i cili ka qeverisur Rripin e Gazës që nga viti 2007 dhe kreu sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Ai mbështeti shtypjet e dhunshme ndaj demonstruesve që kundërshtonin Republikën Islamike.

Pas vdekjes së tij është formuar një këshill i përbërë nga Presidenti Masoud Pezeshkian dhe dy zyrtarë të lartë për të mbikëqyrur tranzicionin.

Sipas ligjit iranian një asamble ekspertësh e përbërë prej 88 anëtarësh pritet të zgjedhë së shpejti një udhëheqës të ri suprem./DW

3 MUAJ ME PARE

Sulmet e Iranit! Rama: Shënjestrimi i Dubait, sistem terrori. Berisha: Vdekja e Khameneit, lajm i mirë

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Edi Rama dhe Sali Berisha

TIRANË-Sulmet në lindjen e Mesme janë komentuar edhe nga figurat politike të vendit tonë. Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet e Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe duke i quajtur ato si një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.

Edi Rama: Shënjestrimi i një oazi paqësor si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi zbulon edhe një herë natyrën e vërtetë të regjimit mesjetar në Teheran. Ky është refleksi i një sistemi të destinuar të dështojë, një sistemi që eksporton dhunë dhe përdor terrorin si armë kundër fqinjëve që kërkojnë paqe, për t’i frikësuar jo vetëm ata, por para së gjithash popullin e vet që kërkon liri.

Nga ana tjetër edhe kryedemokrati, Sali Berisha, e ka cilësuar vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, një lajm të mirë për njerëzimin. Në një postim në rrjete sociale, Berisha shkruan se ky është një lajm i mirë jo vetëm për kombin iranian, por për mbarë njerëzit e lirë në mbarë botën, ndërsa shton se pas vrasjes së tij, populli iranian duhet të fitojë lirinë e mohuar për dekada nga regjimi.

Sali Berisha: Lajmet tashmë nga shumë burime konfirmojnë vrasjen e diktatorit mizor të Teheranit, Ayatollah Khamenei nga bombardimi i bunkerit të tij nga aviacioni Amerikano-Izraelit. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për kombin iranian, por për mbarë njerëzit e lirë në mbarë botën. Urojmë që pas vrasjes së tij dhe eleminimit të dhjetëra zyrtarëve të tjerë të regjimit teokratik të Ayatollahëve, populli iranian të fitojë lirinë e mohuar për dekada nga ky regjim.

3 MUAJ ME PARE

Sulme dhe festë! Irani zotohet të hakmerret për vdekjen e Khameneit

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
pamje nga sulmet

IRAN-Kontrasti midis festimeve dhe zisë nxjerr në pah përçarjet e thella në Iran. Në të gjithë SHBA-në , njerëzit dolën në rrugë, disa duke festuar dhe të tjerë duke protestuar kundër sulmeve ndaj Iranit, pas vdekjes së liderit suprem Ali Khamenei. Grumbuj të mëdhenj iranianësh mbushën rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera në Iran gjatë natës, duke festuar për vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khameneit.

Nga ana tjetët Izraeli thotë se ka kryer një valë të re sulmesh "në zemër të Teheranit", ndërsa Irani lëshon sulme të reja pas vrasjes së Khameneit. 

Irani ka sulmuar tashmë bazat ushtarake amerikane, Izraelin dhe objektiva në të gjithë rajonin. Konflikti ka dëmtuar  qendrat ajrore, ka tronditur zona me popullsi të dendur dhe ka ndërprerë dërgesat e naftës.

Në qendër të kryeqytetit iranian është parë një shpërthim gjigant. Kjo vjen pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se aviacioni i vendit po godet objektiva “në zemër të Teheranit”. Sipas Reuters, mediat shtetërore iraniane raportojnë se shpërthime u dëgjuan pranë kompleksit ku ndodhen radioja dhe televizioni iranian.

3 MUAJ ME PARE

Kush udhëheq Iranin pas vdekjes së Khameneit, çfarë pritet

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Mojtaba Khamenei

IRAN-Vdekja e udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, mund të jetë kërcënimi më ekzistencial për regjimin islamist të Iranit në gati 50 vitet e tij. Pas vdekjes së Ayatollah Ali Khamenei, pyetjet mbi udhëheqjen e vendit dhe vijimësinë e institucioneve janë në qendër të vëmendjes.

Ndërsa Irani ka një president të zgjedhur, Masoud Pezeshkian, pushteti i vërtetë i përket udhëheqësit të tij suprem. Regjimi aktual ka parë vetëm një ndryshim tjetër të pushtetit të kësaj madhësie - pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini, në vitin 1989. Që atëherë, djali i udhëheqësit suprem të vrarë, Mojtaba Khamenei, është përmendur si një pasardhës i mundshëm .

Ali Larijani, sekretar i Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit, njoftoi se sot do të vendoset një udhëheqje e përkohshme. Ndërkohë, kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, tha se vendi është “i përgatitur për momente të tilla” dhe ka “plane për të gjitha skenarët”, duke përfshirë vdekjen e Khameneit.

Mediat shtetërore iraniane kanë konfirmuar vdekjen e Khameneit dhe të General Mohammed Pakpour, ndërsa fati i djalit të udhëheqësit suprem, Mojtaba Khamenei, 56 vjeç mbetet i paqartë.

Djali i udhëheqësit suprem të vrarë, Mojtaba Khamenei, është përmendur si një pasardhës i mundshëm. Ai është një figurë disi e errët me ndikim prapa skenave, i cili besohet se luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e pasurisë së babait të tij. Por Mojtaba nuk do të ishte emri i vetëm në listë. Khamenei thuhet se zgjodhi tre kandidatë që mund të zëvendësonin atë gjatë luftës 12-ditore të qershorit të kaluar. Emrat e tyre nuk janë bërë publikë.

Pasiguria në lidhje me trashëgiminë mund të krijojë një mundësi për kundërshtarët e regjimit. Ka nga ata që janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse regjimi bie. Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, nxitoi të lëshonte një deklaratë të tijën menjëherë pas fillimit të sulmeve. Regjimi po "shembet", tha Pahlavi në komentet e postuara në mediat sociale, duke lavdëruar Trumpin për atë që ai e përshkroi si një "ndërhyrje humanitare".

Pahlavi, i cili jeton në SHBA, është përpjekur të pozicionohet si udhëheqësi kryesor i opozitës ndaj regjimit islamist, megjithëse shkalla e mbështetjes midis iranianëve për princin e kurorës në mërgim mbetet e paqartë. Në mungesë të një tranzicioni të qartë të pushtetit, forca ushtarake elitare e Iranit, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, mund të marrë mantelin e lidershipit.

Në ditët në vijim pritet që të formohet këshilli i udhëheqjes dhe të vendosen hapa për stabilitetin institucional të Iranit.

3 MUAJ ME PARE

Kush do e zëvendësojë udhëheqësin suprem të Iranit? Presidenti Trump: E di kush është, por nuk e them

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Donald Trump

SHBA-Pas vrasjes së udhëheqësit suprem Ali Khamenei në një operacion të përbashkët SHBA-Izrael, presidenti Donald Trump deklaroi se ekzistojnë disa “kandidatë të mirë” për të marrë drejtimin e Iranit.

Në një intervistë telefonike për CBS News, Trump u shpreh se ka ide të qartë se kush po i merr aktualisht vendimet në Teheran pas vdekjes së liderit suprem, por nuk dha një emër.

“E di saktësisht kush është, por nuk mund t’jua them”, tha ai.

3 MUAJ ME PARE

Sundoi Iranin me sfidë dhe brutalitet për 36 vjet! Kush ishte Ali Khamenei, nga një aktivist në lider

ALI KHAMENEI vdiq! Shpërthejnë festat dhe sulmet
Ali Khamenei

IRAN-Ajatollah Ali Khamenei, lideri shpirtëror i Iranit dhe autoriteti më i lartë i vendit, i cili e drejtoi Republikën Islamike për pothuajse katër dekada, u vra gjatë sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit më 28 shkurt, në moshën 86-vjeçare.

Si një nga udhëheqësit me shërbimin më jetëgjatë të Iranit , Khamenei ishte pothuajse po aq i kudondodhur në shoqërinë iraniane sa paraardhësi i tij, Ajatollah Ruhollah Khomeini, i cili themeloi Republikën Islamike të Iranit në vitin 1979. Dhe pavarësisht faktit që Khomeini ishte autor i Revolucionit Iranian, disa thonë se Khamenei ishte në fakt udhëheqësi më i fuqishëm që ka pasur Irani modern.

Khamenei do të mbahet mend si një figurë monumentale e Revolucionit Islamik, i cili e ndërtoi ngritjen e tij në pozitën e liderit suprem mbi reputacionin për devotshmëri dhe përkushtim të ashpër ndaj kauzës.

Përdorimi i forcës kundër popullit të tij, burgosja e figurave opozitare brenda vetë udhëheqësisë, si dhe rezistenca e madhe ndaj ndikimit të jashtëm – veçanërisht atij të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit – formësuan trashëgiminë e tij si një figurë e ashpër dhe e pakompromis, që e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.

Në më shumë se tre dekada si udhëheqës suprem, Khamenei grumbulloi pushtet të paparë mbi politikën e brendshme dhe e shtypi gjithnjë e më ashpër mospajtimin e brendshëm. Në vitet e fundit, ai i dha përparësi mbijetesës së tij - dhe asaj të regjimit të tij - mbi të gjitha. Qeveria e tij shtypi brutalisht një kryengritje popullore në dhjetor 2025 - janar 2026 që vrau mijëra njerëz.

Khamenei nuk do të mbahet mend nga shumica e iranianëve si një udhëheqës i fortë. As nuk do të nderohet. Në vend të kësaj, trashëgimia e tij do të jetë dobësia e thellë që regjimi i tij i solli Republikës Islamike në të gjitha frontet.

Ngritja e Khameneit nëpër radhët e karrierës

Khamenei lindi në qytetin Marshad në verilindje të Iranit në vitin 1939. Që i ri, ai filloi të formonte pikëpamjen e tij politike dhe fetare për botën duke studiuar në seminaret islamike në Naxhaf dhe Qom. Në moshën 13 vjeç, ai filloi të përqafonte ide që lidheshin me Islamin revolucionar. Këto përfshinin mësimet e klerikut Navab Safavi, i cili shpesh bënte thirrje për dhunë politike kundër sundimit të shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi.

Pasi i mbijetoi një atentati në vitin 1981 , Khamenei u zgjodh president i Iranit në vitin 1982 dhe përsëri në vitin 1985. Ai mbajti presidencën gjatë pjesës më të madhe të luftës Iran-Irak - një konflikt që shkatërroi të dy vendet si në kosto njerëzore ashtu edhe ekonomike .

Edhe pse i nënshtruar ndaj udhëheqësit suprem, Khamenei ushtronte pushtet të konsiderueshëm krahasuar me presidentët e mëvonshëm, duke qenë se revolucioni ishte ende shumë i ri dhe lufta në Irak përbënte një kërcënim të madh për regjimin. Por ai mbeti në një hap me dëshirat e Khomeinit. Ai gjithashtu arriti të ndërtonte një marrëdhënie të ngushtë me IRGC- në që do të shkonte shumë përtej presidencës së tij.

Për dekada me radhë, ai kishte fjalën e fundit për pothuajse të gjitha çështjet në Iran – nga nëse gratë mund të ngisnin biçikleta në publik deri te qasja e marrëdhënieve të vendit me Shtetet e Bashkuara, të cilat ai i quante “Djalli i Madh”.

Khamenei përdori lirshëm pushtetin e tij mbi institucione kryesore sikurse gjyqësori, transmetuesi shtetëror dhe ushtria. Nëse i nevojitej forcë, ai mbështetej në aparatin ushtarak të sigurisë që përfshinte trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe shërbimet e frikshme të inteligjencës së Iranit.

Gjatë sundimit të tij, ai u shpreh hapur kundër Shteteve të Bashkuara, për të cilat pretendonte se synonin rrëzimin e Republikës Islamike dhe rivendosjen e një marrëdhënieje patron-klient me Teheranin.

Nën mbikëqyrjen e tij, Irani zgjeroi ndikimin në rajon përmes të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës” – një rrjet i lirshëm përfaqësuesish, grupeve militante të mbështetura nga Teherani dhe aktorëve shtetërorë aleatë që luajnë rol të rëndësishëm në strategjinë e Iranit për t’iu kundërvënë Perëndimit, kundërshtarëve arabë dhe rivalit të tij kryesor, Izraelit.

Por ky rrjet u shpërbë pas rënies së Qeverisë së Bashar al-Assadit në Siri në vitin 2024 dhe një fushate izraelite për të shkatërruar udhëheqjen e Hezbollahut në Liban, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja, për të dobësuar kapacitetet e Huthve në Jemen dhe për të goditur rëndë Hamasin në Rripin e Gazës.

Edhe Hamasi është i shpallur grup terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi tjera. Khamenei u zhduk dukshëm nga sytë e publikut gjatë luftës 12-ditore të Izraelit kundër Iranit në qershor 2025, gjë që ngriti pikëpyetje për udhëheqjen e tij në qarqet politike të vendit.

Khamenei la pas katër djem, një vajzë dhe bashkëshorten e tij. Vajza e dytë raportohet se vdiq në të njëjtat sulme të SHBA-së dhe Izraelit që vranë Khamenein.

Poll

MOS HUMB