Vdekja e Fatos Nanos, qeveria shpall të dielën ditë zie kombëtare! Homazhe në Pallatin e Kongreseve
TIRANË- Qeveria ka shpallur të dielën e 2 nëntorit ditë zie kombëtare, në nderim të ndarjes nga jeta të ish- kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë. Në nderim të tij, në orën 12:00, do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do mbahet një minutë heshtje. Ndërkohë, homazhet do të mbahen që prej orës 08:30 në Pallatin e Kongreseve.
Njoftimi:
Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Radiotelevizioni Publik Shqiptar gjatë zhvillimit të ceremonialit shtetëror, do të transmetojë muzikë funebre.
Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore
Pallati i Kongreseve, Tiranë
•08:30 – 11:00 – Homazhe publike
•11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
•12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë.
Tre herë kryeministër! Kush ishte 'arkitekti' i PS, Fatos Nano
TIRANË-Sot u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare themeluesi dhe lideri historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano. Ai do të kujtohet si një figurë që la ndikim të fortë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit.
Fatos Nano ishte kryeministër i Shqipërisë tre herë. Ndërsa për 13 vjet, ishte kryetar i Partisë Socialiste. Nano e mbajti detyrën e kryeministrit nga 29 shtator 2002-1 shtator 2005, 25 korrik 1997-27 shtator 1998, 22 shkurt 1991-4 qershor 1991. Ndërsa si kryetar i Partisë Socialiste ai e mbajti këtë detyrë nga 12 qershori 1991 deri më 3 korrik 2005.
Kush ishte Fatos Nano
Fatos Nano filloi karrierën e tij politike në vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatisë vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik.
Zgjedhjet në 31 mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh, ai u detyrua të japë dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në mars 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte për shkak të opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.
Gjatë vitit 1994, skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin.
Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Ndërkohë, në shtator të vitit 1998 dha dorëheqje pas trazirave që u shkaktuan pas vrasjes së Azem Hajdarit. Fatos Nano u gjykua i pafajshëm ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.
Më 1 shtator 2005, Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialistë. Nano kërkoi të zgjidhej si president më 8 korrik 2007, pas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu. Shumica e deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Partia Socialiste, nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet.
Si deputet i Parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës, deri në vitin 2009, kur u shkëput nga politika.
Titujt
Në vitin 1983, me vendimin nr. 81, datë 23 shtator 1983, të Universitetit të Tiranës, mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000, titullin “Profesor Doktor” në fushën e ekonomisë. Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos (Itali), në vitin 2000, u dekorua me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit, dhe po në këtë vit, mori titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
"U shua njeriu që ribëri të majtën shqiptare"- Shuhet Fatos Nano! Rama: Lamtumirë kryetar!
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Rama ka publikuar një foto të Nanos shoqëruar me shkrimin ‘LAMTUMIRË KRYETAR’.
Një reagim ka ardhur edhe nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili shpreh mirënjohje dhe respekt për figurën e Nanos, duke e cilësuar atë si njeriun që ribëri të majtën shqiptare.
“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!” shkruan Braçe.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e liderit socialist Fatos Nano përgjatë tranzicionit të vendit, si dhe politikat reformiste e liberale që ai ndoqi përgjatë aktivizimit në politikën shqiptare.
“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!” -shprehet Presidenti në mesazhin e ngushëllimit.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. Përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerësoi figurën Nanos, teksa thotë se do të mbahet mend si lider liberal dhe reformator.
"Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!", shkruan Begaj.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi për ndarjen nga jeta të ish-kryesocialistit Fatos Nano. Balla vlerëson figurën e Nanos për kontributin vendimtar në PS, që duke modernizuar partinë, modernizoi edhe Shqipërinë.
"Sot e humbëm Kryetarin Nano Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje U prehsh në paqe shef", shkruan Balla në postimin e tij.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka shkruar lamtumirën e tij për liderin hidtorik të PS, Fato Nano. Manja vlerëspo figurën e tij, teksa e konsideron Nanon një politikan që përfaqëson epoka.
"Ka politikanë që përfaqësojnë kohën ku jetojnë, dhe ka të tjerë që përfaqësojnë epoka. Fatos Nano ishte ndarja mes dy botëve: aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë. Lamtumirë, Kryetar!", shkruan Manja.
Ngushëllime ka shprehur edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila shprehet se Fatos Nano ishte arkitekti i transformimit të së majtës shqiptare dhe kryeministri reformator që besoi në rrugën europiane të Shqipërisë.
"Lamtumirë Fatos Nano. Arkitekti i transformimit të së majtës shqiptare dhe Kryeministri reformator që besoi në rrugën europiane të Shqipërisë duke lënë gjurmë të thella në politikën dhe historinë e vendit. I paharruar!"-shkruan Balluku.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shprehu ngushëllimet dhe vlerësimin e tij të veçantë për Fatos Nanon, pasi për të, ai mbetet figura që i hapi dyert e politikës. Ndërsa për politikën shqiptare, sipas Peleshit, Nano mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisn publik. Peleshi thekson se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste.
"Lamtumirë, Fatos Nano! Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005. Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit. Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen. Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin. Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste. I paharruar, Fatos Nano!", shkruan Peleshi.
Kryebashkiaku i arrestuar, Erion Veliaj, ka reaguar për vdekjen e ish-kryeministrit Fatos Nano. Veliaj shpreh ngushëllimet, ndërsa e kujton Nanon si një udhëheqës tolerant e liberal.
"Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare. Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë. Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist. Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar. Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës. U prehtë në paqe", shkruan Veliaj.
Reagime ka pasur edhe nga radhët e opozitës. I pari ishte Tritan Shehu, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjen Nano, bashkëpunëtorët dhe të dashurit e tij.
"Ngushellimet me te sinqerta per humbjen e Z. Fatos Nano! Nje humbje per familjen socialiste. Nje humbje per politiken shqiptare. Ngushellime familjes se tij, qe e ndjen e perjeton me shume se gjithesekush kete humbje. Bashkepuntoreve ne vite. Miqve e shokeve. Ngushellime!", shkruan Shehu.
Një mesazh ngushëllimi erdhi dhe nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili nderon figurën e Nanos si një personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit.
"Fatos Nano mbyll sytë përgjithmonë. Të dashur miq, Fatos Nano, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë. Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit. Me këtë rast shpreh ngushëllime familjes, miqve, të afërmëve të tij dhe socialistëve. Amen!", shkruan Berisha.
Ervin Salianji ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të liderit historik të PS, Fatos Nanos, të cilin e konsideron një nga personalitet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar. Për Salianjin, pavarësisht dallimeve në politikë, Nano përfaqësonte një profil të veçantë.
"Fatos Nano, një nga personalitetet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, drejtues historik i Partisë Socialiste dhe një nga protagonistët e pluralizmit pas viteve ’90. Edhe pse në krahë të ndryshëm politikë, Fatos Nano përfaqësonte një profil të veçantë, liberal në mendim, i hapur ndaj debatit, me kulturë politike dhe respekt për mendimin ndryshe.", shkruan Salianji.
Ai krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i paharruar’, shkruan ai
Përveçse politikës shqiptare, reagime ka pasur dhe nga Kosova. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu ngushëllimet për familjarët e të afërmit e Nanos, si dhe për kryeministrin Edi Rama.
"Telegram ngushëllimi. Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!", shkruan Haradinaj.
Ndahet nga jeta ish-kryeministri Fatos Nano
TIRANË-Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Nano ndodhej prej 24 ditësh në reanimacion pas problemeve me mushkëritë. Pjesa më e vështirë për mjekët ishte rizgjimi i trurit të Nanos, por nuk ia ka dalë të mbijetojë përpos trajtimit edhe nga një ekip i huaj specialistësh.
Fatos Nano ishte kryeministër i Shqipërisë tre herë. Ndërsa për 13 vjet, ishte kryetar i Partisë Socialiste. Nano e mbajti detyrën e kryeministrit nga 29 shtator 2002-1 shtator 2005, 25 korrik 1997-27 shtator 1998, 22 shkurt 1991-4 qershor 1991. Ndërsa si kryetar i Partisë Socialiste ai e mbajti këtë detyrë nga 12 qershori 1991 deri më 3 korrik 2005.
Një përpjekje e tij e mëvonshme për postin e kreut të shtetit, nuk u mbështet nga Partia socialiste, drejtimin e së cilës e kishte marrë Edi Rama. Gjatë viteve të angazhimit në politikë, që nga viti 1991, ai shërbeu 4 herë si kryeministër i vendit. Gjatë karrierës së tij, Nano është vlerësuar për rolin e tij në modernizimin e së majtës shqiptare dhe afrimin e politikës shqiptare me standardet europiane. Ai do të kujtohet si një figurë që la ndikim të fortë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit./ZËRI