REL: Bisedimet Ukrainë-Rusi për armëpushim do të nisin menjëherë

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se Rusia dhe Ukraina do t’i fillojnë “menjëherë” bisedimet për armëpushim, duke shtuar se zhvilloi telefonatë “të shkëlqyer” me presidentin rus, Vladimir Putin, e cila zgjati më shumë se dy orë. Trump gjithashtu foli me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me liderë evropianë, në përpjekje për të arritur përparim drejt një armëpushimi në luftën në Ukrainë.
“Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve, ashtu siç duhet të jetë, sepse ata i dinë hollësitë e një negociate që askush tjetër nuk do t’i dinte”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Putini tha pas telefonatës se Rusia është e gatshme t’i vazhdojë bisedimet për përfundimin e luftës, por ai tregoi se nuk kishte ndonjë përparim të madh në telefonatën me Trumpin, të cilën e cilësoi si bisedë “shumë informuese dhe shumë të sinqertë”. Putin tha se vendet ndërluftuese duhet të “gjejnë kompromise që do të ishin të pranueshme për të gjitha palët”.
“Në të njëjtën kohë, do të doja të theksoja se, në përgjithësi, qëndrimi i Rusisë është i qartë. Për ne, gjëja më e rëndësishme është t’i eliminojmë shkaqet rrënjësore të kësaj krize”, tha presidenti rus. Më herët, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se qëllimi i Trumpit është “ta shohë përfundimin e luftës”, dhe se “ai është zemëruar dhe lodhur nga të dyja palët”. Steve Witkoff, emisar i Shtëpisë së Bardhë, i cili është takuar tashmë tre herë me Putinin, ka parashikuar se biseda me presidentin rus do t’i “kontribuojë identifikimit të asaj se ku jemi tani dhe se si mund t’i përmbyllim këto negociata”.
“Ata e njohin njëri-tjetrin. Presidenti është i vendosur të bëjë diçka këtu... Nëse ai s’mund të bëjë gjë, askush s’mundet”, ka thënë Witkoff në një intervistë për ABC News, në fundjavë. Trump kishte paralajmëruar telefonatat pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas u takuan në Stamboll për bisedime të drejtpërdrejta. Ai ishte takimi i parë i palëve që nga javët e hershme pas nisjes së pushtimit të gjerë rus të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022.
“Tema të telefonatave do të jenë ndalja e ‘kasaphanës’”, ka shkruar Trump në mediat sociale.
“Shpresoj se do të jetë një ditë produktive, se do të ketë armëpushim, dhe se kjo luftë shumë e dhunshme, që s’duhej të kishte nisur kurrë, do të marrë fund”, ka shtuar presidenti amerikan.
Takimet në Stamboll, të cilat përfshinë edhe bisedime të ndara me zyrtarë të SHBA-së, siguruan vetëm rezultate modeste, përfshirë një marrëveshje për këmbimin e 1.000 të burgosurve të luftës. Nuk pati zotim për ndaljen e luftimeve, ndërsa Rusia gjatë fundjavës kreu atë që Ukraina e cilësoi njërin ndër bombardimet më të mëdha me dronë. Negociatorët rusë raportohet të kenë bërë kërkesa maksimale ndaj Ukrainës, duke i bërë thirrje asaj të tërheqë forcat e saj nga rajonet e okupuara pjesërisht nga Rusia, dhe të kenë paraqitur kushte të tjera, të cilat ishin vënë në pranverën e 2022-tës. Këto kushte janë hedhur kategorikisht poshtë nga Ukraina dhe nga shumë prej aleatëve të saj perëndimorë.
Që nga nisja e mandatit të dytë presidencial, në janar, Trump e ka bërë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë prioritet kyç të politikës së jashtme. Këto përpjekje janë penguar nga operacionet e vazhdueshme ofensive të Rusisë në fushëbetejë, dhe nga mosgatishmëria e Moskës për t’u pajtuar për një armëpushim 30-ditor, diçka që Ukraina ka nënshkruar.
Pas një periudhe tensionesh fillestare me Kievin, zemërimi i Shtëpisë së Bardhë është përqendruar mbi Moskën, ndërsa tonet e deklaratave publike nga zyrtarët amerikanë janë ashpërsuar./REL
'Shpresojmë të kemi bërë diçka'/ Telefonata Putin-Trump, REAGIMET e para, nuk ndalet as presidenti amerikan

SHBA- Presidenti rus Vladimir Putin bisedoi sot me homologun e tij amerikan, Donald Trump për më shumë se 2 orë. Vëmendja e të gjithë botës është përqendruar te biseda telefonike, madje edhe tek liderët e tjerë botërorë. Madje edhe presidenti Trump ka bërë edhe një tjetër reagim sërish në rrjetet sociale.
Von der Leyen: Trump, faleminderit!
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ajo dhe udhëheqës të tjerë të BE-së, si dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, morën një raport nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump pas bisedës telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Dua të falënderoj Presidentin Trump për përpjekjet e tij të palodhura për të arritur një armëpushim në Ukrainë. Është e rëndësishme që SHBA-të të mbeten të angazhuara. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Volodymyr Zelenskyy-n në arritjen e paqes së qëndrueshme në Ukrainë,"-tha von der Leyen.
Meloni thotë se Italia është gati të bëjë pjesën e saj - por a mund të organizojë Vatikani bisedime paqeje?
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka mirëpritur sugjerimet se Vatikani mund të përdoret për të pritur negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. Madje, Donald Trump, pas telefonatës së tij me Vladimir Putinin, zbuloi se Papa Leo XIV i kishte ofruar rezidencën e tij të re si vend për bisedime.
"Gatishmëria e Atit të Shenjtë për të pritur bisedimet në Vatikan u konsiderua pozitive. Italia është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të lehtësuar kontaktet dhe për të punuar për paqen.”
'Shpresojmë të kemi bërë diçka'; thotë Trump
Sërish në rrjetin e tij social, "Social Truth", Trump tha se telefonata 2.5-orëshe tregon se mes dy palëve "është bërë përparim".
"Shpresojmë të kemi bërë diçka. Ne folëm me krerët e shumicës së vendeve të Europës me të cilët po përpiqemi që të përfundojmë sa më mirë këtë "çështje". Por lufta nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe po i kushton jetën mijëra njerëzve çdo javë. Madje Putin bëri shaka duke më thënë se ata [rusët], e respektojnë Zonjën e Parë, Melania Trump,"-reagoi sërish presidenti amerikan.
Megjithatë, vlen që të theksohet se Vladimir Putin dhe Donald Trump nuk diskutuan një afat kohor për një armëpushim në Ukrainë. Ndaj, në këto kushte, arsyet për optimizmin e Trumpit nuk janë veçanërisht të qarta./ZËRI
Telefonata Putin-Trump, Zelenskyy: Mos merrni vendime pa ne!

KIEV- Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy ka bërë reagimin e tij të parë pas bisedës telefonike që patën presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin. Sipas raportimeve të mediave të huaj, mësohet se Zelenskyy i ka kërkuar presidentit amerikan që të mos marrë vendime pa praninë e Ukraninës.
“I kërkova të mos merrte asnjë vendim në lidhje me Ukrainën pa ne para bisedës së tij me Putinin. Këto janë çështje parimore për ne dhe shumë të rëndësishme. Një armëpushim është i nevojshëm, siç sugjeroi vetë Presidentit Trump, dhe nëse kjo nuk ndodh, sanksionet do të jenë të nevojshme,”- tha Zelenskyy në një konferencë për shtyp.
Po ashtu, Zelenskyy thotë se Kievi po shqyrton një takim të nivelit të lartë midis Ukrainës, Rusisë, SHBA-së, vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe. Për të, ky do të jetë një hap drejt përfundimit të luftës. Pasi foli sot me Trumpin, ai tha se dëshiron që takimi të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur dhe se mund të organizohet nga Turqia, Vatikani ose Zvicra. Thirrja e tij e mëparshme me presidentin amerikan çoi në një bisedë me udhëheqësit e Francës, Finlandës, Gjermanisë, Italisë dhe Bashkimit Evropian.
"Jam shumë i përqendruar, është një kohë sfiduese (jo e lehtë) për ne tani,"-shtoi presidenti. Ndërsa theksoi edhe se një shkëmbim i madh të burgosurish midis dy vendeve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po bën thirrje për sanksione të mëtejshme ndaj sektorëve bankarë dhe të energjisë ruse./ZËRI
Çfarë diskutuan për 2 orë! Trump optimist - por i pakët në detaje, Putini doli para mediave (E PLOTË)

SHBA- 2 orë është zhvilluar biseda mes dy presidentëve, Donald Trump dhe Vladimir Putin. Pas përfundimit të bisedës, Trump ndau detaje në rrjetin e tij social "Social Truth", por u tregua i kujdesshëm që ta paraqiste çdo paqe të ardhshme si diçka që mund të ishte ekonomikisht e dobishme si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën. Po ashtu, Reuters raporton se këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, u tha gjithashtu gazetarëve se të dy udhëheqësit diskutuan shkëmbimin e nëntë qytetarëve rusë dhe nëntë amerikanëve, si pjesë e një diskutimi më të gjerë mbi përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Mirëpo ky detaj nuk përmendur në postimin e presidentit amerikan.
POSTIMI I PLOTË I TRUMP:
Sapo përfundova një bisedë dy-orëshe me Presidentin rus Vladimir Putin. Besoj se shkoi shumë mirë. Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat për një armëpushim, dhe më e rëndësishmja - për FUNDIN e luftës. Kushtet do dakordësohen midis dy palëve, sepse kjo është e vetmja mënyrë - ato i dinë detajet e negociatave që askush tjetër nuk mund t’i dijë. Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera. Nëse nuk do të ishin, do ta thoja tani, jo më vonë. Rusia dëshiron TREGTI të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur të mbarojë kjo "gjakderdhje" katastrofike, dhe unë do pajtohem me këtë propozim. Ekziston një mundësi e madhe për Rusinë për të krijuar një numër të madh vendesh pune dhe pasurie. Potenciali i saj është i PAKUFIZUAR. Po kështu, Ukraina mund të jetë një fituese e madhe në tregti, gjatë rindërtimit të vendit të saj. Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojnë menjëherë. E informova Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy; Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Presidentin francez Emmanuel Macron; Kryeministren italiane Giorgio Meloni, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Presidentin finlandez Alexander Stubb për këtë telefonatë - të gjithë më kontaktuan menjëherë pas bisedës me Presidentin Putin. Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka shprehur interes të madh për të pritur bisedimet. Le të fillojë procesi.
Por ndryshe nga Trump që reagoi në rrjetet sociale, Putin doli para gazetarëve. Presidenti rus Vladimir Putin tha se përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë janë "në rrugën e duhur" dhe se Moska është e gatshme të punojë me Ukrainën për një memorandum mbi një marrëveshje paqeje në të ardhmen.
"Shkaqet themelore të krizës në Ukrainë duhet të eliminohen. Atëherë mund të negociojmë paqen,”- tha Putin dhe i intrigoi shumë njerëz të mendonin se çfarë donte të thoshte saktësisht dhe nëse “thumboi” presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
"Ne ramë dakord me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Rusia do të propozojë dhe është e gatshme të punojë me palën ukrainase mbi një memorandum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen, e cila do të përcaktonte elementë të shumtë, parime të zgjidhjeve, por edhe do përcaktonte afate kohore për një marrëveshje të mundshme,"- u tha Putin gazetarëve pranë vendpushimit Soçi në Detin e Zi.
Putin tha se nëse arrihen marrëveshje të përshtatshme, mund të arrihet një armëpushim, duke shtuar se negociatat e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës "japin arsye për të besuar janë përgjithësisht në rrugën e duhur".
"Dua të theksoj se qëndrimi rus është i qartë. Për ne, gjëja më e rëndësishme është të eliminojmë shkaqet rrënjësore të kësaj krize. Është e nevojshme vetëm të përcaktohen mënyrat më efektive për të arritur paqen. Ishte një bisedë shumë informuese dhe mjaft e sinqertë, dhe shumë e dobishme në këtë drejtim. Para së gjithash, e falënderova presidentin amerikan për mbështetjen e SHBA-së në vazhdimin e negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës për një marrëveshje të mundshme paqeje. Presidenti amerikan shprehu qëndrimin e tij për armëpushimin. Nga ana ime, përmenda se Rusia gjithashtu mbështet një zgjidhje paqësore të krizës ukrainase. Ne thjesht duhet të përcaktojmë mënyrat më efektive për të arritur paqen,"-tha Putin.
Megjithatë, vlen që të theksohet se Vladimir Putin dhe Donald Trump nuk diskutuan një afat kohor për një armëpushim në Ukrainë. Ndaj, në këto kushte, arsyet për optimizmin e Trumpit nuk janë veçanërisht të qarta./ZËRI
Trump: Vatikani mund të organizojë bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sapo ka postuar në Truth Social pas bisedës telefonike dy-orëshe me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai thotë se beson që telefonata shkoi “shumë mirë”, duke shtuar se: Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, t’i japin fund luftës.
Po ashtu, shton se kushtet për një armëpushim do të vendosen pas negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë. Arsyeja sipas Trump është sepse ata i dinë detajet e një negociate për të cilën askush tjetër nuk do të ishte në dijeni.
Edhe pse Donald Trump refuzoi të zbulonte se si do të vendoseshin negociatat e shumëpritura të drejtpërdrejta për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, ai sugjeroi një vend të mundshëm për takimin.
“Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të priste takimet për negociatat,”- shkroi ai në rrjetet sociale.
Kjo vjen pas takimit të zv.presidentit amerikan JD Vance me Papën e sapoemëruar Leo XIV këtë mëngjes. Në këtë takim, Vance e ftoi Papën në Shtëpinë e Bardhë./ZËRI
Putin tregon detaje nga biseda me Trump: Ne folëm sinqerisht!

SHBA- Biseda telefonike midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ka përfunduar. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar amerikan dhe medias shtetërore ruse TASS. Telefonata zgjati gati dy orë.
Putin tha se biseda me Trump ishte “e sinqertë dhe substanciale”. Kjo gjithmonë TASS. Vetë Vladimir Putin iu drejtua mediave pas bisedës me Trumpin duke u shprehur se luftimet në Ukrainë duhet të ndalen, por duhet të gjenden rrugë për paqe.
"Si ne, ashtu edhe Ukraina duhet të gjejmë kompromise. Jam mirënjohës ndaj Trump për rinovimin e negociatave. Presidenti i Shteteve të Bashkuara shprehu qëndrimin e tij në lidhje me përfundimin e armiqësive,"-tha Putin.
Tashmë, pritet që edhe Trump të dalë me një konferencë për shtyp për të ndarë detaje nga telefonata./ZËRI
Përfundon biseda Putin-Trump, presidenti i Këshillit Evropian: Po presim me ankth...

BRUKSEL- Ka përfunduar pas 2 orësh biseda telefonike mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin. Por ende nuk dihet asgjë lidhur me temën e diskutimeve mes dy palëve. Duke folur para se të fillonte thirrja e sotme, Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, tha se Bashkimi Europian, ende po pret me ankth rezultatin e bisedimeve.
“Uroj gjithë të mirat për këtë telefonatë midis Presidentit Trump dhe Presidentit Putin,”- tha ai gjatë konferencës së tij të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Kier Starmer dhe Ursula von der Leyen. Costa e bëri të qartë se çfarë pret Evropa nga shkëmbimi, duke u shprehur se një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte ishte "thelbësor".
Ndërhyrjet e Donald Trump deri më tani kanë injektuar sasi të mëdha pasigurie midis udhëheqësve evropianë. Ata do të presin me nervozizëm për ndonjë shenjë që tregon se presidenti amerikan është i gatshëm të ushtrojë më shumë presion mbi Vladimir Putinin sesa deri më tani.
Lufta dhe rikthimi shkatërrues i Trump në Shtëpinë e Bardhë, kanë qenë dy nxitës kryesorë të lëvizjeve për të forcuar bashkëpunimin midis Londrës dhe Brukselit./ZËRI
Telefonata Trump-Putin, presidenti rus po flet nga një shkollë muzike

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka nisur një telefonatë me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Sipas mediave të huaja, Putin po flet nga një shkollë muzike në qytetin turistik jugor rus të Soçit.
Aktualisht, dy kanalet kryesore televizive në Rusi po diskutojnë telefonatën Putin-Trump në emisionet e tyre politike të mbrëmjes. Sipas njoftimit, Trump duhej të bisedonte me Volodymyr Zelenskyy pas Putinit, por orari u ndryshua. Biseda për paqen fillimisht ka nisur me Putin dhe më pas do të vazhdojë me presidentin rus.
Presidenti amerikan tha se temat kryesore të bisedës me Putinin do të jenë: Ndalimi i "gjakderdhjes" që vret mesatarisht më shumë se 5,000 ushtarë rusë dhe ukrainasë në javë dhe tregtia.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha sot se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet t'i drejtohet publikut pas një bisede telefonike me Presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas saj, Trump është i hapur për një takim të mundshëm me Putinin./ZËRI