Jared Kushner mungon në Forumin Ekonomik, dhëndri i Trump përshëndet me video-mesazh

TIRANË-Në Tiranë po zhvillohet Samiti Ekonomik Ndërkombëtar 'Future Investment Initiative Europe', ku i pranishëm pritej të ishte edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, nën cilësinë e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”. Kushner nuk është paraqitur fizikisht në Shqipëri, por ka përshëndetur Samitin me anë të një video-mesazhi, ku ka folur edhe për projektin e tij në vendin tonë.
Kushner ka treguar se pas vizitës në jug të Shqipërisë, e studiuan tregun dhe demografinë për një vit dhe u arrit në përfundimin se ishte mjedis perfekt për investim. Lidhur me projektin në Sazan, Kushner thotë se kanë angazhuar inxhinierët më të mirë në Europë për programet e duhura për ruajtjen e mjedisit.
JARED KUSHNER- Edi është një politikan shumë i aftë – na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon. Isha shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. Shpenzuam 1 vit me studim tregu. Pas një analize rezultoi se mjedisi ishte perfekt. Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës – ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie. Është një lokacion perfekt. Shumë pak km larg Italisë, 10 minuta distancë nga aeroporti i ri. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë.
PYETJE: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni?
DHËNDRI I TRUMP, JARED KUSHNER: E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë.” Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh.
PYETJE: Kur e nisët “Affinity Partners”, nuk mendoj se pasuritë e paluajtshme ishin pjesë e strategjisë tuaj. Si ndodhi që vendosët të bëni këtë ndryshim? Na tregoni edhe për investime të tjera që po konsideroni në Europë. Çfarë mundësish shihni në këtë pjesë të botës?
DHËNDRI I TRUMP, JARED KUSHNER: Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë – themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin. Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë.
PYETJE: A ka ndryshuar strategjia juaj e investimeve që kur, Presidenti Trump, mori detyrën? Dhe nëse po, si dhe çfarë shihni në strategjinë tuaj për tregje të tjera të hapura?
DHËNDRI I TRUMP, JARED KUSHNER: Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja.
Pyetje: Na trego më shumë për këtë projekt, që ndodhet ndoshta në një nga zonat më të bukura të vendit, por edhe të Mesdheut. Mund të na tregoni më shumë për projektin dhe si planifikoni të ruani mjedisin natyror përmes procesit të zhvillimit?
JARED KUSHNER: Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë milje larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar ambientin lokal dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka. Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen – 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz – dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Por, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe, ku gjithçka është zhvilluar dhe mbirregulluar, ku asgjë nuk mund të ndërtohet më. Kështu që të gjitha këto po bashkohen, dhe mendoj se kjo ka shumë kuptim. Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare.
Samiti Ekonomik Ndërkombëtar, Jared Kushner në Tiranë, pritet të mbajë fjalim

TIRANË- Samiti i Komunitetit Ekonomik Ndërkombëtar "Future Investment Initiative Europe" do të zhvillohet sot në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Gjatë samitit pritet që të mbajë fjalën e tij edhe dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, Jared Kushner, i cili ndodhet sot në Tiranë. Kushner do të flasë si CEO dhe themeluesi i “Affinity Partners”. Po ashtu, edhe kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajnë një fjalim. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe senatori italian dhe ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.
Pritet që në këtë samit të diskutohen 8 pika kyçe për zhvillimin dhe teknologjinë si: Fragmentimi dhe gjeoekonomia, siguria dhe pavarësia energjetike, inteligjenca artificiale dhe robotika, kujdesi shëndetësor, industria e prodhimi, tregtia, turizmi dhe inovacioni në sipërmarrje./ZËRI
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi/ Macron: Urojmë që javët e ardhshme të rinisë dialogu

TIRANË- Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama ka folur edhe për tensionet në Kosovë-Serbi. I pyetur nga gazetarët, Macron u shpreh se pret që javët në vijim të rinisë dialogu Kosovë-Serbi. Referuar akuzave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se BE po mban anën e Serbisë, Macron u shpreh se Bashkimi Evropian kërkon që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun Kosovë-Serbi. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë. Ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballë përballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhme të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beigradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale për të bërë të mundur avancimin. Është e rëndësishme për gjithë rajonin. Mendoj se kërkesat janë legjitime, s’mund të lëmë të vendoset një dialog i tërthortë, nuk është mënyra korrekte për të avancuar. Të paktën kemi një vullnet për qëllimin e avancimit për sigurinë e Europës. Për bashkimin e saj duhet ta bëjmë këtë udhë, por është legjitime të kemi ekzigjenca për këtë gjë. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin. Do vazhdojmë të ecim, do t’i riangazhojmë, ne do shkojmë krahas partnerëve europianë që gjërat të avancojnë në Kosovë”, Macron./ZËRI
Macron nga Tirana: Franca do të jetë krah Shqipërisë në rrugën drejt BE!

TIRANË- Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, nënvizoi rëndësinë e Shqipërisë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rolin e saj udhëheqës në rajon. Ai u shpreh se Franca do të mbështesë Shqipërinë gjatë gjithë procesit.
“Vendi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i rëndësishëm. Dua të shpreh bindjen time për ribashkimin e kontinentit europian, për t’i bërë bashkë ballë sfidave të përbashkëta. Shqipëria ka bërë shumë përparime dhe jam i lumtur për mandatin e qartë që morët. Rruga juaj është shumë e qartë. Franca do të jetë krah jush në këtë rrugë dhe në këto reforma, dhe do të sigurohemi që puna juaj të vlerësohet. Shqipëria tregon udhën në mënyrë të shkëlqyeshme”, tha Macron./ZËRI
Rama dhe Macron nëshkruajnë memorandum për projektin e turizmit në Korçë

TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan sot një vizitë zyrtare. Gjatë vizitës, ata arritën marrëveshje për bashkëpunim në fushën e energjisë, si dhe u nënshkrua Memorandumi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme u nënshkrua deklarata për bashkëpunimin për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri.
Më tej, gjatë konferencës së përbashkët, Rama bëri me dije se bisedoi me Macron për përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë./ZËRI
Macron në Tiranë/ Rama: Biseduam për përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë

TIRANË- Ka nisur deklarata e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se bisedoi me Macron për përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
“Folëm me presidentin për mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Më vjen shumë mirë, sepse kjo është diçka sa e vogël në përmasë aq kuptimplotë në marrëdhënie, që kur presidenti erdhi këtu herën e kaluar ishim në shtëpinë e ish-diktatorit Hoxha që ishte zbrazur e po niste puna për ta shndërruar në qendër kulturore. Sot do të jetë kënaqësi ta shoqëroj presidentin për ta parë tanimë në veprim këtë projekt dhe praktikisht kurba e transformimit nga një ngrehinë e degraduar e mbetur nga e shkuara në një ngrehinë që i jep energji të ardhmes, është simbol i marrëdhënies. Sot e ndjejmë afër Francën edhe në procesin e integrimit, rajoni ka fituar një mbështetës besnik e të qëndrueshëm në të gjitha proceset transformuese”, tha ai./ZËRI
Vizita zyrtare, Rama pret Macron në Kryeministri

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri presidentin francez Emmanuel Macron. Ata priten që të zhvillojnë një takim dy palësh dhe më pas do të mbajnë një deklaratë për shtyp. Të dy udhëheqësit do të flasin edhe në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku do të jetë i pranishëm edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner si dhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.
Kjo është vizita e dytë zyrtare e Macron në Tiranë. Ndërsa, vizitën e parë ai ishte i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Brigitte Macron. Presidenti francez mbërriti në Shqipëri ditën e djeshme në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Pas përfundimit të samitit Macron francez inauguroi me kryeministrin shkollën franceze të kodimit “Ecole 42”, e dedikuar teknologjisë./ZËRI