"Ku e ke çantën Louis Vuitton"? Berisha e akuzon për kostumet, Manja “zhvishet” në Kuvend: Të sfidoj, hajde t'i nxjerrim
TIRANË- Seanca maratonë e kësaj të enjteje ka vijuar me përplasje mes palëve, ndërsa nuk kanë munguar as batutat e notat e humorit. Kryedemokrati Sali Berisha u përfshi në një debat me kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, të cilin e akuzoi për veshje të shtrenjta e çanta deri në 500mijë euro.
Berisha iu drejtua ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja duke i thënë se ka regjistrimin e tij, pa përmendur se për cilin bëhet fjalë, dhe ka vijuar direkt me akuzat për kostumet e shtrenjta.
"Ku ike ato kostumet, jo jo i ke hequr ato. Ulu aty. Ku i ke kostumet e Altin Hajrit. Ku e ke çantën Lous Vuitton", iu drejtua Berisha.
Në replikë me Berishës, Ulsi Manja u çua nga karrigia e tij dhe e 'ftoi në sfidë' kryedemokratin. Manja sfidoi Berishën, duke i thënë se vetëm copa e xhaketës së tij kushton 2 mijë euro.
"Të sfidoj, çfarë kostumesh vesh Ulsi Manja dhe çfarë kostumesh vesh Sali Berisha. Hajde t'i nxjerrim sa bën e jotja e sa bën e imja...Sa për kta, Louis Vuitton, e kam pyet ChatGPT: 'A ka çantë 5000 mijë euro', m'ka thënë s'ka. Kush ta ka thënë? Sali Berisha, më ka thënë shife se nuk është në rregull'", replikoi Manja mes batutave.
Kodi i ri Penal, Lamallari: Do të jetë produkti më i mirë që kemi patur! Ja kur nis seanca e parë e konsultimit
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, foli sot në Kuvend për Kodin e Ri Penal, një projektligj që ka ngjallur debat të gjerë në opinionin publik. Në seancën e sotme plenarë, Lamallari iu përgjigj interesimit të deputetëve për Kodin e ri Penal, për të cilin tha se nuk mund të matet me numrin e dispozitave, por me cilësinë dhe garancinë që jep.
Më tej, ministri bëri të ditur se më 5 nëntor do të zhvillohet një takim me krerët e drejtësisë për diskutimin përfundimtar të projektit. Lamallari shprehu bindjen se Kodi i Ri Penal do të jetë një nga produktet më të mira ligjore që do të ketë vendi në vitet e ardhshme.
“Unë nuk mendoj që Kodi Penal matet me numrin e dispozitave që ai ka, por në thelb matet me cilësinë dhe garancitë që ai ofron në mbrojtje të interesit publik, të qytetarëve, të ekonomisë dhe parandalimit të tendencave kriminale. Nuk është nevoja të bëj referenca në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian të cilat kanë Kode me 700 apo 800 dispozita, si Italia, Spanja etj. Si harmonizohen dispozitat në një Kod kjo i përket teknikës legjislative. E rëndësishme është që ne të adresojmë 54 direktivat e Bashkimit Evropian të cilat duhet të bëhen pjesë e kuadrit ligjor vendas. Dhe në fund të kemi një produkt që garanton gjithëpërfshirjen dhe transparencën. Në datën 5 nëntor unë si ministër i Drejtësisë kam thirrur një takim me të gjithë krerët e drejtësisë për të diskutuar pikërisht për Kodin Penal. Jam i bindur që në fund të ditës do të kemi një produkt i cili është më i miri dhe që do të ketë Shqipëria për vitet që do të vinë", tha ministri Lamallari.
/ZËRI
"Të paaftë"! Balla ironizon opozitën, nuk kursen as kandidatin Binaj: Morët ‘zarin’ e Zenit e bëtë ‘kukullën’ e Saliut (VIDEO)
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka ironizuar opozitën për kandidatin e pavarur për Tiranën, Florian Binaj. Mes batutave dhe ironive, Balla iu përgjigj ndërhyrjeve të Belind Këlliçit, teksa i kujtoi këtij të fundit rezultat e mëparshme të zgjedhjeve në kryeqytetet.
"Tani ta mbyll. Sa i përket kandidatit. Ju e dini si dilni me ne në Tiranë. E para: objektivin e kemi t’jua dyfishojmë diferencën. Nga 40 që e kishim me ty, do ta çojmë në 80 diferencën, sepse Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, o Belind.", u shpreh Balla.
Por, Balla nuk ndali me kaq. Ai iu drejtua deputetëve të opozitës duke i quajtër të paaftë që nuk arritën të dilnin asnjëri prej tyre kandidat dhe nxorrën një aktor. Këtë të fundit, Balla e quajti 'zari i Zenit', referuar faktit që kandidati Binaj ishte edhe moderator i televizionit të familjes Berisha.
"Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur, ndërkohë që ju jeni aq të paaftë, nuk ua mbajti të dilnit kandidat. Morët zarin e Zenit të Piranjat dhe e bëtë kukullën e Saliut.", tha Balla.
/ZËRI
Vetëm 10 deputetë pro shkarkimit të Peleshit, Këlliçi: Nuk e dinim çfarë ishte hedhur në votim
TIRANË- Ka rinisur pjesa e dytë e seancës së Kuvendit, pas rrëzimit të kërkesës së PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit.
Në nisje të pjesës së dytë të seancës, deputeti i PD Belind Këlliçi tha se në votimin për shkarkimin e Peleshit, deputetët e opozitës donin të votonin, por nuk kuptuan se çfarë u hodh në votim në atë moment, dhe kërkuan në drejtuesja e Kuvendit përgjigje.
Ai tha se nuk morën asnjë përgjigje dhe nuk ndaj rezultati ishte me 10 vota pro shkarkimit, që sipas tij nëse do u ishte kthyer përgjigje se për çfarë po votohej në ato momente, rezultati do të ishte ndryshe.
“E para, pak më parë u zhvillua procedura për shkarkimin e kreut të Kuvendit, është e paprecedentë ajo që ndodh që deputetët pyesin se çfarë po votohet dhe nuk marrin përgjigje.
Në momentin që u zhvillua procesi i votimit, deputetët e PD kërkonin se çfarë ishte hedhur në votim, dhe nuk merrnin përgjigje.
Të gjithë deputetët prezentë kanë qenë të vendosur për të votuar pro kërkesës, por në pamundësi për të kuptuar se çfarë është hedhur në votim në atë moment, një pjesë e tyre nuk kanë marrë pjesë në votim.
Mendoj që një rendin e ditës me 19 pika, do na çojë në një skenarë, që në rastin më të mirë do mbërrijmë në gjysmën e rendit të ditës në orët e vota të pasdites. Mendoj që duhet të bëjmë një ekonomizim të orës, në Konferencës së Kryetarëve”, tha Këlliçi.
Niko Peleshi nuk shkarkohet! Kërkesa e opozitës rrëzohet nga 79 deputetë
TIRANË- Me 79 vota kundër, është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për shkarkimin e kreut të Kuvendit Niko Peleshi.
Në fjalën e tij përpara votimit, Peleshi u shpreh se ai nuk ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, ndërsa kërkoi nga deputetët që të ishin më të kujdesshëm me qëndrimin dhe retorikën e përdorur në sallë.
Niko Peleshi: Vetëm në dy seancat e fundit maxhoranca ka folur 291 minuta, kundër 480 minuta të opozitës. Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma përçarëse, nga e cila nuk heqin dot dorë. Problemi nuk jam, unë mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike.
Në këtë mocion për shkarkimin e kryetarit të kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd në pozicionin që unë kam nderin të mbaj, të guxojë të ndryshojë këtë sallë nga arenë dhune verbale në arenë të mendimeve alternative dhe politike. Apo të shkurajojë personalizimin e diskursit politik si pjesë e kulturës nga e cila duhet të ndahemi.
Le ta veshim këtë sallë me përgjegjësi të vërteta dhe shpesh të pathëna. Kjo kulturë që shpesh kultivohet këtu vret, vret shpresat e të rinjve, optimizmin.
Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vetë edhe në dhunën në shoqëri. Duhet të përballemi me këtë të vërtetë të pakëndshme. Çdo fjalë e shqiptuar në këtë Kuvend vijon përtej këtyre mureve.
Do bëj gjithçka që kam në dorë që ky parlament ti ngjasojë parlamentit eurpian. Ne jetën time poltike nuk kam denigruar, sulmuar, fyer askënd. Nuk kam shkelur mbi personalitetin e askujt dhe nuk kam përdorur emra të familjarëve.
Kërkesa për shkarkimin e Peleshit, Kaso: Ik përpara votimit, zgjidh dinjitetin dhe jo partinë
TIRANË- Është duke u shqyrtuar në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, kërkesa e deputetë të opozitës për shkarkimin nga detyra të kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Fjalën i pari nga radha e opozitës, e mori deputeti i PD, Ivi Kaso, i cili renditi argumentet që dhe pikat që sipas tyre janë shkelur nga kryetari i Kuvendit, për çka ata kërkojnë dhe shkarkimin e tyre.
“Ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë. Ti je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e Sovranit.
Do ikësh pa dinjitet, por do çlirosh Kuvendin nga drejtimi i një kryetari që nuk diti të drejtojë këtë institucion. Do ikësh pa dinjitet, por do t’u kesh kursyer kolegëve të maxhorancës të të mbrojnë me votë një muaj pasi ke marrë karrigen e numrit dy të Shtetit”, tha Kaso ndër të tjera, ndërsa sipas tij kjo kërkesë e opozitës bëhet për të vendosur standardet institucionale.
“Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik.
Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm, por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshqitje të rrezikshme të këtij Kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standardeve institucionale. Shkeljet e sipërpërmendura nuk mund të justifikohen me procedurë”, tha Kaso teksa lexonte raportin e PD.
PD kërkon shkarkimin e tij, Peleshi ‘braktis’ drejtimin e Kuvendit, ulet pranë Ballës
TIRANË- Ka nisur seanca e sotme plenare, ku në rendin e ditës është shqyrtimi i kërkesës së PD-së për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Seanca e sotme po drejtohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ndërsa vetë Peleshi është ulur në rreshtin e grupit të PS-së.
Debati për shkarkimin e Peleshit pritet të zgjasë për 90 minuta, dhe më pas kërkesa e demokratëve do të kalojë për votim.
PSE PD KËRKON SHKARKIMIN E PELESHIT
Demokratët pretendojnë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
Më konkretisht, sipas PD, Peleshi ka thirrur mbledhjen e Kuvendit për ndryshimin e rregullores si dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pa respektuar afatin e parashikuar, iu ka hequr të drejtën për të folur deputetëve dhe kreut të Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe nuk ka mundësuar prezantimin e programit qeverisës. Bardhi s’do të jetë as sot në seancë për shkak të përjashtimit.
Por PS thotë se ishte opozita që e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancave.
Në raportin e tyre, socialistët argumentojnë se kryetari i Kuvendit nuk ka kryer asnjë shkelje që pretendon PD dhe se i ka zbatuar me përpikmëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancave plenare. Në fund socialistët i kërkojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Peleshit. PS-së i mjaftojnë vetëm 71 vota për të mbajtur në detyrë kryeparlamentarin./ZËRI
Kuvendi mblidhet dy herë sot! Votohet për shkarkimin e Niko Peleshit, KLP dhe AMA japin 'llogari' para deputetëve
TIRANË-Dy seanca plenare në një ditë! Kuvendi do të mblidhet në pjesën e parë për të votuar shkarkimin ose jo të kryeparlamentarit Niko Peleshi. PD me anë të një raporti akuzon Peleshin për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, si dhe për sjellje të njëanshme politike në drejtimin e punimeve parlamentare, në favor të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama. Opozita ka ngritur shkelje në lidhje me seancën e 16 dhe 18 tetorit, aty ku u njoftua Ndryshimi i rregullores që çoi në shtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe mos-realizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës 'Rama 4'.
Nga ana tjetër PS pretendon se nuk provohet asnjë shkelje nga ato që pretendon PD. Mazhoranca kërkon që kërkesa e opozitës të rrëzohet, duke arsyetuar se Peleshi ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e Parlamentit. Raporti i PD ashtu si i PS do hidhet për votim, ku duhen 71 vota pro për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
Në pjesën e dytë, në orën 11:30, pritet të nisë raportimi i disa institucioneve. Së pari do të raportojë kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e cila nuk mundi të raportonte në seancën e shkuar. Pritet që të prezantohet edhe raporti i Avokates së Popullit për 2024, Erinda Ballanca. Po ashtu, do të paraqiten edhe raportet e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, i Institutit të Statistikave, i AMA-s dhe RTSH-së.
Në rend dite janë edhe disa projektligje./ZËRI