Hapen kutitë e Greqisë, numërimi i votave fillon nesër

TIRANË- Ka përfunduar numërimi i votave të diasporës nga të gjitha shtetet, ndërkohë që pritet rezultati për 53 mijë votat e emigrantëve në Greqi, pas vendimit të sotëm të KQZ-së që të numërohen të gjitha, pasi kishin mbetur peng deri më sot për shkak të kontestimeve të PD.
Kolegji Zgjedhor vendosi të rrëzojë kërkesën e PD, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të KAS për votën e diasporës në Greqi, pas ankimimit të PS-së. Edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpalli vendimin për këtë çështje, duke u shprehur se nuk ishin gjetur parregullsi dhe duheshin numëruar të gjitha. Numërimi i votave të Greqisë pritet të nisë nesër në mëngjes në orën 08:00.
Deri tani janë numëruar 80% e zarfave, ose 147 024 vota. PS mbetet me 83 mandate në rang vendi, PD me aleatët me rënie drastike me 50 mandate nga 63 që kishte në vitin 2021, PSD merr 3 mandate, 2 Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe nga 1 mandat Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt./ZËRI
PS triumfoi bindshëm, por cilët janë veteranët e majtë që mbetën jashtë Kuvendit

TIRANË-Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste, ka arritur të sigurojë me një rezultat të fortë mandatin e tij të katërt. Por disa deputetë me karrierë të gjatë parlamentare dhe funksionarë të lartë politikë nuk fituan besimin e qytetarëve, duke ngelur kështu jashtë Parlamentit të ri.
Ndër më të vjetrit përmendim, Pandeli Majkon, një figurë e njohur dhe e respektuar te socialistët me një kontribut dhe vite të tëra pune te të majtët. Po ashtu Mimi Kodheli, gruaja e parë që u emërua në postin e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë në mandatin e parë të Ramës, nuk mundi që të grumbullonte mjaftueshëm vota për të kaluar kolegët e saj socialistë.
Konkretisht në qarkun e Tiranës, nga radhët e Partisë Socialiste, jashtë mbeten: Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Plarent Ndreca, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi dhe Toni Gogu.
Edhe në Shkodër, Benet Beci i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, nuk do të jetë pjesë e Kuvendit. Po ashtu edhe ish-ministrja Edona Bilali, ngeli jashtë.
Ndërkohë, në Kuvend hyjnë emra të rinj dhe ende të panjohur për publikun, si Sara Mila në Elbasan – kandidatja me më shumë vota në rang kombëtar, Zegjine Çaushi në Fier dhe Marjana Koçeku në Shkodër, e njohur si “Neomalsorja” në rrjetet sociale, kandidate e PS-së në listë të mbyllur./ZËRI
Diaspora 'vendimtare'/ Garë mes socialistëve! Ngrihet Rakipi, bie Qefalia. Gjylameti dhe Xhaçka, “kokë më kokë”

TIRANË-Vazhdon numërimi i votave për kandidatët. Nga lista e hapur në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë do të jenë 45 ata që pritet të shkojnë përmes votës preferenciale, 37 nga PS, vetëm 7 nga PD dhe deputeti i zgjedhur i Nisma Shqipëria Bëhet.
Në Tiranë ka një garë të fortë mes socialistëve. Deri tani janë numëruar 1271 nga 1282 kuti brenda, ndërsa ende nuk ka nisur procesi për 42384 fletë nga diaspora.
Nga Partia Demokratike, Jorida Tabaku ka thelluar diferencën me Ilir Alimehmetin, ndërsa në PS gara vijon. Partia Socialiste në Qarkun Tiranë ka arritur të sigurojë 19 mandate deputetësh. Nga këta 12 janë nga lista e sigurtë që dalin automatikisht si kandidatë të votuar nga logoja e Partisë Socialiste. Në Parlament deri tani futen të sigurtë Blendi Gonxhja, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Hoxha.
Ndërkohë listës i shtohet, Ornaldo Rakipi me 9442 vota, i cili i ka marrë mandatin Xhemal Qefalisë. Në Kuvend gjithashtu futen edhe dy gra të favorizuara nga formula; Anila Denaj dhe Blerina Gjylameti. Olta Xhaçka dhe Etilda Gjonaj janë shumë pranë Gjylametit. Përveç Xhaçkës, që rrezikon janë edhe shumë emra të tjerë që me shumë gjasa nuk do të jenë mes deputeteve të legjislaturës 2025-2029. Mes tyre ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Mimi Kodheli, ish nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka.
Në Fier, teksa numërimi i votave të diasporës vijon, diferenca mes PS dhe PD është e madhe. PS ka marrë 12 mandate, ndërsa ajo demokratike vetëm 4. Në Partisë Socialiste nga ana tjetër 7 të fituarit në listë të hapur janë drejt përcaktimit. Ish drejtori i Tatimeve Ceno Klosi është bindshëm i pari, i ndjekur nga Klevis Jahaj dhe Asloral Haxhiu, Antoneta Dhima dhe Elton Korreshi, të pestë me mandat të sigurt. Në garë duken Zegjine Çaushi, Dhimitër Kruti dhe Maldrita Bardho, që luftojnë për 2 mandate.
Në Qarkun e Korçës, i cili po ndahet 6 me 4 për Partinë Socialiste, hyjnë gjithsej 4 deputetë nga lista e hapur. Nga lista e PD-ASHM duket se Fidel Kreka po shkon drejt mandatit, ndërsa te socialistët Ilir Pendavinji konfirmohet si ligjvënës, i ndjekur nga Bledi Çomo që po shkon drejt Kuvendit, ndërsa për shkak të kuotës gjinore Besa Spaho sposton Arian Jaupllarin dhe më shumë mundësi bëhert deputete edhe pse ndiqet nga disa qindra vota nga deputetja aktuale Enslemvera Zake.
Në Lezhë duket se nuk ka garë brenda partive politike. PD-ASHM e cila po e fiton 4-3 qarkun merr dy deputetë nga lista e hapur, me një diferencë të madh ish-gjyqtarin sheik Gjin Gjoni dhe Kastriot Pirolin. Nga PS me votë preferenciale gara është e ngushtë mes Marjeta Nelit e cila kryeson dhe Admir Kadelit e Pranvera Skanës që ndjekin me pak vota diferencë. Nuk dihet sa ndikim do të ketë vota e diasporës.
Zgjedhje REKORDESH! Gonxhja THYEN Ballën, bëhet më i votuari ndonjëherë, Tabaku nuk i zhgënjen demokratët

TIRANË- 4 kandidatë për deputetë i kanë siguruar partive të tyre thuajse (pak më pak) 100 mijë vota! Vota preferenciale ka zbuluar se më i votuari në të gjithë republikën është ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Socialisti ka arritur që të grumbullojë më shumëse 21 mijë vota teksa garonte në listën e hapur të qarkut të Tiranës. Pas e ndjek një tjetër veteran i Partisë Socialiste.
Erion Braçe edhe pse u zhvendos nga “baza” e tij në qarkun e Fierit, ja doli që jo vetëm të grumbullonte vota për një tjetër ulëse në Kuvend, por të fitonte bindshëm. Në vetëm pak muaj fushatë në Tiranë, në njësinë nr.5, arriti që të mblidhte 20261 vota.
Si Braçe, edhe Gonxhja tashmë e kanë spostuar për në vendin e tretë kandidaten në listën e Elbasanit, Sara Mila. Ajo që u konsiderua si surpriza e këtyre zgjedhjeve, arriti që në herën e parë që garonte të mblidhte 18626 vota.
Nga ana e demokratëve, më e votuara është Jorida Tabaku. Në një garë të fortë me Ilir Alimehmetin, Tabaku arriti që të thyente herësin për të gjetur një vend edhe për veten e saj në sallën e Kuvendit. Dhe 18850 vota do t’ja sigurojnë mandatin shtatorin e ardhshëm.
Kjo fushatë theu edhe rekordin që mbante i dërguari i Partisë Socialiste për votën e Diasporës, Taulant Balla. Në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në vitin 2021, Balla siguroi 21,604 vota, duke u bërë deputeti më i votuar ndonjëherë në Shqipëri. Por tashmë me disa qindra vota më shumë, këtë “titull” do ta mbajë Blendi Gonxhja./ZËRI
Beleri: Berisha të japë dorëheqjen! Përballë Ramës do humbiste dhe Shën Kozmai

TIRANË- Fredi Beleri ka kërkuar që Opozita të marrë masat e nevojshme pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, duke mos e përjashtuar as dorëheqjen e kryedemokratit Sali Berisha, në një intervistë për MCNTV, Beleri tha se të gjithë anëtarët e Opozitës, edhe kandidatët duhet të bëjnë një analizë, për të parë se çfarë kanë bërë gabim. Ai shtoi edhe se rrëzimin e qeverisë mund ta bëjnë vetëm qytetarët, pasi nuk mund të pritet që të një i huaj të vijë dhe të zgjidhë problemet në Shqipëri, duke nënkuptuar këtu udhëheqësin e fushatës së Berishës, Chris LaCivita.
“Këto janë standarde që nuk mund të pranohen në një shtet europian. Nuk mund të ndodhin që njerëz që dalin për herë të parë në skenën politike, të kenë kaluar ish-ministra dhe ministra me rëndësi me vota. Këtu ka një dorë, një arsye tjetër është se në Shqipëri administrata është rreth 180 mijë njerëz. Kur ndodh ndërhyrja e shtetit, nuk ka demokraci. Si ka mundësi ku në një shtet në dhjetë vitet e fundit mungojnë 1 milion njerëz dhe janë të gjithë të kënaqur?
Pse këta njerëz që votojnë të dielën, të hënën dalin nëpër ekrane dhe thonë se nuk bëhet më dhe nga ky vend duhet ikur. Ku ndodh që të burgosurit në masën 80% votojnë qeverinë, në të gjithë botën të burgosurit ndëshkojnë qeverinë? Këtu nuk ka zgjedhje të lira!
Minoritarët nuk erdhën të votojnë se nuk kanë besim. Mënyra për të luftuar regjimin janë zgjedhjet. Çfarë kuptimi ka një tubim pas zgjedhjeve? Zgjedhjet janë festa e demokracisë. Policia nuk ka të drejtë të thotë jo për protestën. Dua t’iu them qytetarëve se protesta dhe vullneti politik duhet të shprehet ditën e zgjedhjeve.
Duhet që populli shqiptar me këtë zgjedhje që bëri të vuajë dhe pasojat. Për mua nuk ka asnjë vlerë asnjë tubim dhe demonstratë një javë pas zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet janë vjedhur. Unë jam i PBDNJ, nuk mund ti jap leksione PD.
Opozita më e madhe duhet të shikojë nga vetja dhe të mundohet të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për këtë regjim. Nuk ka diskutim që zgjedhjet janë vjedhur, kjo dihej më parë. Duhet të bindim qytetarët se nuk duhet të presim nga La Civita, nga ndonjë gjerman apo grek të zgjidhë hallet tona.
Çdo shtet ka interesat e veta në Shqipëri. Për mua opozitarët nuk kanë justifikim. Pse partitë e vogla që nuk kanë asnjë konsumim, edhe zoti Shehaj edhe zoti Lapaj, pse qytetarët shqiptarë nuk përqafuan këto parti? Është varë opozitarizmi. Ky regjim po vret demokracinë. Duhet reagim dhe nga ne në radhë të parë dhe nga populli.
Kam informacionet e mia se në Greqi, patronazhistët, administrata publike ishin 2-3 muaj para dhe bënin regjistrime masive. Nëse në një shtëpi ku jetonin 2-3 veta, janë çuar 15 zarfe, procedura nuk ka qenë në rregull. Administrata shqiptare u shpërngul në Greqi. Për mua vota e diasporës ka problematika, por nuk janë ndjekur procedurat që thotë KQZ dhe procedura ndërkombëtare.
Ne si minoritarë dhe ortodoksë kemi Shën Kozmanë, tek i cili besojmë shumë. Ne themi se edhe Shën Kozmai të ishte përballë regjimit të zotit Rama do humbiste. Partia Demokratike duhet të marrë masa, organet e Partisë Demokratike duhet të bëjnë gjithçka që të marrë fund kjo tirani, pse jo edhe dorëheqjen,"- tha Beleri.
Përplasja në KZAZ-në e Kasharit/ Shpallet në kërkim një 40-vjeçar, dyshohet se është përfshirë në konflikt

TIRANË- Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim një 40-vjeçar, i cili dyshohet se është përfshirë në konfliktin në qendrën e numërimit të votave në Kashar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6: -arrestuan shtetasin R. N., 26 vjeç, pasi dje, në KZAZ Nr. 30, ka goditur me grushte dhe shkelma shtetasin R. M., me detyrë sekretar i KZAZ. Gjithashtu, në lidhje me rastin është shpallur në kërkim shtetasi O. D., 40 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt. Punohet për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit,”-thuhet në njoftimin e Policisë.
'Zarfet të mos numërohen'/ KQZ rrëzon kërkesën e PD: Të fillojë menjëherë procesi për votat e Greqisë

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot për të diskutuar në lidhje me numërimin e votave të Greqisë, të cilat ende nuk janë hapur për tu numëruar për shkak të kontestimeve nga Partia Demokratike, që deklaron se procesi i Diasporës nga Greqia ka parregullsi. KQZ vendosi të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike dhe kërkoi që numërimi për votat e Greqisë të nisë menjëherë.
Marash Logu deklaroi në mbledhjen e sotme se nëse këto zarfa vërtetohen që nuk janë marrë nga zgjedhjet të mos i nënshtrohen procesit të numërimit.
“PD-ASHM nisur nga problemet e shumta që janë raportuar nga Greqia, që kishin të bënin me faktin nëse zgjedhësit e kanë marre e personalisht zarfin. Apo nga peron at të tjerë, ka kërkuar që në këto fazë të veçohen zarfet e ardhura nga Greqia, të kryhet verifikimi përmes dokumenteve dhe shpjegimeve të DHL nëse zgjedhësit e kanë marrë ata zarfin, apo dikush tjetër me ermin e tyre, pas këtij verifikimi ato zarfe që do rezultojnë të rregullta, që janë marrë dhe dërguar personalisht nga zgjedhësit, ti nënshtroheshin numërimit. S’mund të lejojmë një cenim kaq të rëndë të procesi zgjedhor që për shtetit shqiptar të mos e shprehin lirisht dhe personalisht vullnetin e tyre por të jetë dikush tjetër që ta bëjë në vendin e tyre. Ato zarfe për të cilat do kemi provën që janë shprehje e vullnetit të lirë të zgjedhësit shqiptar në Greqi, patjetër që do ti nënshtrohen numërimit. S’ka qenë qëndrimi PD që zarfet e Greqisë të mos i nënshtrohen numërimit. Nëse duam të verifikohet informacioni dhe dokumentacioni. KQZ i është drejtuar me kërkesë DHL dhe pas këtij verifikimi le të shohim sa prej këtyre 53 mijë zarfeve reflektojnë vullnetin e shqiptarëve në Greqi dhe sa reflektojnë vullnetin e patronazhistëve të PS. Në këtë fazë ne themi të vijojë veçimi, të mblidhet informacioni, analiza apo kontrolli dhe më pas të shohim se çfarë do të dalë nga zarfet me materiale zgjedhore që kanë ardhur nga Greqia”, tha Logu.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk janë gjetur parregullsi në asnjë nga kutitë.
"Asnjë kuti nuk është vlerësuar e parregullt. Ndaj për këtë arsye, komisioni shtetëror i zgjedhjeve vendos vazhdimin dhe përfundimin e numërimit dhe të vlerësimit të çdo dokumentacioni zgjedhor të votuesve nga jashtë të ardhur në KQZ, si dhe tabelimin e rezultateve përkatëse për subjektet zgjedhore, kandidatët që i janë nënshtruar votimit për çdo qark. Ky numërim përfshin gjithashtu edhe zarfet që nuk janë shqyrtuar dhe janë administruar sipas vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë,'- u shpreh Celibashi.
/ZËRI
VOTAT- Ishte në “betejë” në listë të hapur, por Bashën nuk e deshi as lagjia e tij...

TIRANË- Votat preferenciale të kandidatëve për deputetë janë numëruar dhe kanë mbetur edhe rreth 53 mijë zarfe të ardhura nga diaspora e Greqisë. Megjithatë një ide është krijuar se kush ka qenë më i preferuari dhe më pak i preferuari i qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Nëse të preferuarit janë shumë, më pak i preferuari është padyshim ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili në këto zgjedhje garonte në siglën e Koalicionit Euroatlantik. Basha zgjodhi që të garonte në qarkun e Tiranës, ku pretendonte se me batutën e tij "7x7=313!" do të merrte një mandat deputeti. Por jo! Basha nuk është votuar as në lagjen ku është rritur në Tiranë.
Në listën e të dhënave në faqen zyrtare të KQZ shihet se pas 815 kutive të numëruara në kryeqytet nga 1282 në total, Lulzim Basha ka marrë 888 vota. Pas tij, në renditje për nga numri i votave renditet Pëllumb Seferi dhe Shemsi Prençi.
Qarku: TIRANË
Subjekti Zgjedhor: Partia Koalicioni Euroatlantik
Numëruar 1272 / 1282 QV total.
Nr Kandidati Vota
1 Lulzim Basha 1421
2 Shemsi Prençi 919
3 Pellumb Seferi 876
Por nëse në të gjithë Tiranën ka dalë i pari më i votuar, në lagjen e tij të vjetër, në njësinë nr.8 të Tiranës, nuk është preferuar. Madje para tij, në njësinë nr.8 të kryeqytetit, para Bashës ka dalë Pëllumb Seferi.
TABELA ME VOTAT:
Njësia Adm.: Njësia Administrative Nr. 8
Subjekti Zgjedhor: Partia Koalicioni Euroatlantik
Numëruar 51 / 51 QV total.
Nr Kandidati Vota
1 Pellumb Seferi 382
2 Lulzim Basha 99
Shifrat janë mesazhe dhe në këtë rast janë shumë të qarta, Bashën nuk e donte askush më në Parlament!/ZËRI
SMS-Përplasje mes socialistëve për numërimin e votave, Rama 'futet në chat': Ai që nuk do të ndahet me këtë familje...

TIRANË- Numërimi i votave preferenciale prej ditësh reflekton një tension mes kandidatëve për deputetë, jo vetëm mes kundërshtarëve politikë, por edhe mes personave të të njëjtës forcë partiake. Mesa duket përjashtim nuk bën as Partia Socialiste... "Lapsi.al" ka parë një komunikim me mesazhe mes kandidatëve, por pretendon se ka dëgjuar edhe mesazhet zanore të kryeministrit Edi Rama. Mesazhet janë dërguar në rrjetin social “WhatsApp”...
Sipas "Lapsi.al", ka qenë fillimisht drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ai i cili tregoi se ka bërë disa kallëzime ndaj numëruesve që po manipulojnë votat e kandidatëve.
“Numëruesit do të shkojnë në burg siç ndodhi edhe në 2021, por edhe ata kandidatë që i shtyjnë të bëjnë vepër penale janë po njëlloj fajtor. Mos bini në grackën e sabotimit sepse ofertat që ju vijnë nga PD për bashkëpunim kanë për qëllim hedhjen në erë të procesit zgjedhor,”- shkruan Taulant Balla në mesazhin që ka siguruar Lapsi.al.
Në bisedë janë përfshirë Halit Valteri dhe Julinda Dhame, dy kandidatë në listën e hapur të qarkut të Tiranës.
Halit Valteri: Mundohu t’ja shpjegosh angalisht se shqip nuk marrin vesh. Po bëhen turpi botës duke luftuar njëri-tjetrin sikur jemi armiq dhe jo një familje e madhe që kemi punuar me gjak e me shpirt për një qëllim.
Julinda Dhame: Dhe unë e kam bërë e po bëj disa denoncime. Po jua deklaroj këtu që do e çoj deri në fund. Nuk le askënd të më prekë qoftë një votë dhe as t’u shtohet kandidatëve të tjerë. E kam me fakte!
Po sipas të njëjtit burim, në mes të këtyrë komunikimeve ka ndërhyrë vetë kryeministri Edi Rama.
"Përmes disa mesazheve zanore, të cilat Lapsi.al i dëgjoi. Ai ka kërcënuar kandidatët që askush të mos përzihet në numërim e votave. Rama iu është drejtuar nominalisht Valter Halitit dhe Julinda Dhames duke kërkuar që të mos bëjnë “as gërr as mërr..” teksa i paralajmëroi edhe me ndarje përfundimtare nga Partia Socialiste,"-shkruhet ndër të tjera në artikull. Por po ashtu citohet që Rama të ketë thënë: Uroj që këtë të mos e nënvleftësojë askush që nuk do të ndahet njëherë e mirë me këtë familje politike.
Megjithatë, këto mesazhe deri më tani nuk janë sjellë reagimin e asnjë socialisti dhe as të kryeministrit Edi Rama, i cili sot po pret liderët e vendeve të Bashkimit Europian në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian./ZËRI
Mbyllet numërimi i diasporës... përveç Greqisë! Emigrantët i dhanë 1 deputet PS në Vlorë

TIRANË- Ka përfunduar numërimi i votës së Diasporës! Por jo në të gjitha shtetet. Ende nuk janë numëruar 53 mijë zarfet e sjella nga Greqia.
Nga gati 200 mijë vota të mbërritura nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, Partia Socialiste ishte e vetmja që arriti të marrë një mandat. Në qarkun e Vlorës, votat e dDiasporës e çuan Partinë Socialiste nga 8 mandate, në 9 mandate dhe PD-ASHM zbriti nga 4 mandate që kishte në vetëm 3.
Kështu, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste mbetet me 83 mandate në rang vendi, PD me 50 mandate, PSD merr 3 mandate, 2 Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe nga 1 mandat Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt./ZËRI