Punonjësi humbi jetën gjatë përmbytjes! Familjarët 'rrëzojnë' Bashkinë e Durrësit: Po pastronte me ujin deri në gju, kemi prova
DURRËS-Astrit Hysenaj, 54-vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh në Durrës, shënoi viktimën e përmbytjeve në vend. 54-vjeçari u gjet pa shenje jete në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit Ushtarak, pasi e kishte marrë rrjedha e fortë e ujit. Pas humbjes nga jeta të punonjësit, Bashkia e vendit deklaroi se Hysenaj nuk ishte duke punuar por ishte larguar më herët për shkak të motit të keq.
Nga ana tjetër familjarët pretendojnë se ai e humbi jetën në krye të detyrës, duke pastruar kanalet, ndryshe nga çfarë deklaroi kryebashkiakja Emirjana Sako. Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike. Kushëriri i viktimës thotë se kanë në duar pamje filmike nga kamerat e sigurisë që tregojnë momentet e fundit të 54-vjeçarit para se ta merrte rrjedha e ujit. Ai thekson se deri në momentin e fundit të jetës, Hysenaj ka qenë në krye të detyrës.
“Daja është nisur në punë si gjithmonë në 5 e gjysmë, në orarin e punës. Ka parë gjendjen dhe situatës, familja ka tentuar që ta ndalojë. Është nisur deri në momentin që mbaronte punën në 10 e gjysmë s’kemi ndjerë asnjë shqetësim, shqetësimi nisi pasi nuk u paraqit në shtëpi. Pritëm pak orë dhe nisëm kërkimet ne si familje, për shkak të situatës. E pamë që s’po vinte dhe bëmë denoncimin në polici, është 24 orarëshi që duhej të presim. Kemi nisur kërkimet vetë, kemi parë nga kamerat, që deri në orën 08:25 ai ka qenë duke punuar tek mbikalimi i parë i këmbësorëve kur vjen nga aksi Plepa-Durrës. Pastaj nuk është parë më. E vetmja nevojë që kemi si familje është që të ketë një ndihmë financiare sa i përket familjes, janë në gjendje të vështirë ekonomike. Përveç dhimbjes që kanë, të paktën ti rrinë afër me një ndihmë ekonomike. Është shumë e dhimbshme humbja e tij, pastaj të kalojmë te pjesa ekonomike që është domosdoshmëria e jetesës bëjmë apel ti qëndrojnë pranë familjes me një ndihmë ekonomike,"- u shpreh mbesa e viktimës.
"Ka qenë rreth orës 8:30, te filmimet e kamerave po ta shohësh ka qenë uji deri te gjuri dhe ia prapë mblidhet letrat që ishin sipër ujit dhe i hidhte te koshi. Këto dyshojmë ne që kanë qenë momentet e fundit. Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse ndonjëri ka pamje filmike pas kësaj ore, të na i vendosin në dispozicion. Ai ka qenë duke punuar dhe duke mbledh letrat dhe duke i hedhur në kosh. a mbetur nëna 85 vjeçe, e shoqja e papunë, dhe një djalë 21 vjeç që herë punon dhe herë nuk punon. I vetmi që siguronte të ardhura ishte, tani kanë mbetur vetëm me pensionin e nënës. Duhet një ndihmë ekonomike, ose ti gjejnë djalit një punë të përhershme. Si do mbahet një familje me një pensionist,"- u shpreh djali i xhaxhait i viktimës.
Gjirokastra nuk gjen qetësi! Probleme në rrugën për në Tepelenë, inertet bllokojnë rrugën
GJIROKASTËR-Rreshjet e shumta të shiut kanë paralizuar Gjirokastrë, ku përpos dëmve të shumta inertet vijonë të jenë problemi kryesor. Aksi Gjirokastër-Tepelenë është bllokuar sërish për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Intertet kanë bllokuar aksin në afërsi të kthesës së fshatit Hormovë. Në vendngjarje punonjësit e firmës konçensionare po punojnë për largimin e baltës nga rruga. Ndërkohë OSHEE informon se, mungon energjia elektrike në njësinë adm. Kurvelesh, Bashkia Tepelenë dhe Ballaban, Bashkia Këlcyrë.
Sa i përket situatës hidrike, niveli i lumit Vjosë, në pikë-matjen e Memaliajt, raportohet të jetë nën kuotën 3.7 metra.
Rreth 1800 familje pa energji elektrike në Korçë, shembje dhe çarje rrugësh
KORÇË-Situata si pasojë e motit të keq vijon të jetë problematike në juglindje të vendit. Probleme me energjinë elektrike, probleme në infrastrukturë dhe çarje argjinatura lumenjsh janë evidentuar në qarkun e Korçës. Rreth 1800 familje kanë mbetur pa energji elektrike, pasi kabinat kanë dalë jashtë funksionit. Problem kryesor mbetet Lumi i Verdovës në Pogradec, ku një pjesë e karrexhatës është shembur dhe qarkullimi bëhet vetëm në një korsi. Në fshatra raportohet për rrëshqitje dherash pranë banesave.
Situata aktuale në Qarkun e Korçës
Furnizimi me energji elektrike (OSHEE):
Fideri 9, NST Lozhan – pjesërisht pa energji; preken rreth 400 abonentë ruralë. Jashtë funksionit janë 5 kabina në zonat Leshec dhe Maliq–Opar, si dhe 3 abonentë ruralë.
Fideri 14, NST Petrushë – pa energji zonat Dardhas, Prenisht dhe Grunjaz; rreth 400 abonentë ruralë.
Fideri 20 “Ushtria”, NST Pogradec – pa energji rreth 700 abonentë urbanë në zonat Garnizon, Goricë dhe Gurore.
Fideri Potgozhan, NST Gur i Kuq – pa energji zonat Bishnicë, Jollë, Tallë dhe Lëngë; rreth 100 abonentë ruralë.
Fideri JO6, NST Leskovik – i stakuar për shkak të defektit; preken 257 abonentë ruralë në zonat Podë, Postenan, Peshtan, Gjirakarë, Radovë, Lashovë, Vrespkë, Radanj, Shalës dhe Germenjë.
Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve. Të gjithë fiderat që furnizojnë konsumatorë me rëndësi të veçantë janë funksionalë. Hidrovori Pogradec funksionon normalisht.
Bashkia Kolonjë:
Janë pastruar rrugët rurale në Sokorovot, Kreshovë, Lavdar, Lahollarë, Strajë dhe Psar.
Në qytetin e Ersekës është pastruar sheshi “Rilindja” dhe janë kriposur akset rrugore për parandalimin e ngricave.
Po vlerësohet ndërhyrja në segmentin rrugor drejt fshatit Shemetirë dhe rruga rurale e fshatit Gjonç.
Bashkia Maliq:
Vijon problematika e çarjes së argjinaturës së Lumit Devoll; ndërhyrje e pamundur për momentin.
Rrëshqitje dhe problematika në zonën e Kakaçit dhe ura e fshatit Osojë kërkojnë investim dhe ndërhyrje të mëtejshme.
Po vazhdojnë pastrimet e rrugëve rurale; situata monitorohet nga Emergjencat Civile dhe Bashkia.
Bashkia Devoll:
Janë hapur dhe kriposur rrugët në Njësinë Administrative Miras.
Qarkullimi normalizohet në rrugën Vidohovë–Miras.
Janë kryer riparime në argjinaturën e lumit Oshticë dhe sistemimi i lumit në fshatin Përparimaj për parandalimin e përmbytjeve.
Rruga Grapsh–Përparimaj është kthyer në funksion normal.
Bashkia Pustec:
Po punohet për pastrimin e përroit të Gorricës dhe riparimin e segmentit Lajthizë–Liqenas.
Bashkia Korçë:
Nuk raportohen problematika nga reshjet e shiut.
Për rrugën e fshatit Denas janë marrë masat dhe ndërhyrja do të bëhet pas uljes së nivelit të ujit.
Bashkia Pogradec:
Problem kryesor mbetet Lumi i Verdovës; pjesë e karrexhatës është shembur, qarkullimi bëhet vetëm në një korsi.
Lumi Remenjit është stabilizuar; po vlerësohet zgjidhje përfundimtare.
Lumi i qytetit ka shkaktuar dëme dhe kërkon ndërhyrje.
ARRSH Drejtoria Qendër-Lindje
Rruga e Dardhasit është kalueshme provizorisht; po prisnin konkluzionet e specialistëve gjeologjikë.
Në fund të fshatit Çërravë ka rrëshqitje dherash që rrezikojnë një banesë të banuar.