Ndeshja/ Mediat SERBE e teprojnë: Futbollistëve tanë kaluan FERRIN në Tiranë! Iu rrezikua jeta

TIRANË- Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë është mbyllur në një barazim pa gola! Ndeshja kaloi pa incidente të mëdha, por nuk është parë kështu nga mediat serbe. ZËRI ka bërë një vëzhgim në të gjitha mediat serbe, hedhja e gotave plastike dhe syzeve të diellit është parë si skandali më i madh në historinë e futbollit.
"SERBIA MBIJETOI NË FERRIN E TIRANËS Shqiptarët e turpshëm goditën tre "shqiponja" në kokë!,"-shkruan një nga mediat serbe. Kjo duke iu referuar numrit të lojtarëve që u goditën nga tifozët.
JA ÇFARË SHKRUAJNË MEDIAT SERBE:
Ferr. Kjo është ajo që përjetuan lojtarët e futbollit serb në Tiranë. Jo aq shumë për shkak të atmosferës, sesa për shkak të sjelljes së turpshme të audiencës shqiptare. Në fund, mbijetuam falë Gjorgje Petrović - 0:0! Le të fillojmë me sjelljen vërtet të turpshme të tifozëve vendas, të cilët në tre raste i goditën lojtarët e ekipit kombëtar serb në kokë me sende të ndryshme. Çdo herë loja ndërpritej për pak kohë. Për fat të mirë, asnjë nga lojtarët tanë nuk u lëndua rëndë. Megjithatë, UEFA do të gjykojë dhe vlerësojë se sa dënim i pret shqiptarët për këtë skandal sonte.
Ekzagjerimi ka vijuar edhe në mediat e tjera. Disa janë shqetësuar se fëmijët që shoqëronin lojtarët bënë me duar simbolin e shqiponjës.
NJË SKANDAL QË NUK MUND TË MBAHET MBAJTUR MEND Shqiptarët tejkaluan çdo masë, fëmijët treguan një shqiponjë dykrenare ndërsa i gjithë stadiumi fishkëllente himnin kombëtar të Serbisë (VIDEO)
Media të tjera kanë vijuar me akuzat!
"FUTBOLLISTËT SERBË SHPËTUAN JETËN NË TIRANË: Një ndeshje skandaloze që duhej të NDALOHET! Gjorgje Petrović na solli një pikë kundër Shqipërisë,"-shkruan një prej mediave.
PJESË NGA ARTIKULLI:
Ndeshja u shënua nga sjellja e tmerrshme e huliganëve shqiptarë të cilët ndërprenë duelin pesë herë duke i goditur lojtarët e Serbisë në kokë me sende. Besojeni ose jo - gjyqtari nuk i zbrazi tribunat, as nuk e ndaloi ndeshjen përgjithmonë. Ai DUHEJ, sipas absolutisht të gjitha kritereve që zbatohen në garat e UEFA-s. Nëse kjo do të kishte ndodhur në Beograd, ka 0% shanse që ndeshja të kishte vazhduar.
Mesa duket, edhe pse situata nuk ishte aq e rëndë, mediat serbe e kanë ekzagjeruar "pakëz" me reagimin./ZËRI
Tifozët u hedhin gota plastike dhe syze lojtarëve serbë, rrezikohet ndeshja, paralajmërimi i arbitrit

TIRANË- Sjellja e tifozëve kuqezi po rrezikon ndeshjen ndaj Serbisë në "Arenën Kombëtare". Spikeri u ka bërë thirrje tifozëve që të ndalojnë dhe të mos hedhin më sende në fushë, në të kundërt ndeshja do të anulohej dhe lojtarët do të tërhiqeshin në dhomat e zhveshjes.
Situata arriti pikën e vlimit kur Erakoviç u godit në kokë nga një...gotë plastike. Ai qëndroi shtrirë për më shumë se një minutë. Më pas u ngrit dhe vazhdoi lojën normalisht. Edhe pse nuk ishte i lënduar, duket se gjyqtari i ndeshjes, Davide Massa vendosi që të mos i toleronte më sjelljet e tifozëve shqiptarë. Kjo pasi kishin përdorur për të gjuajtur lojtarët serbë edhe syzet e diellit që kishin marrë me vete.
Megjithatë, nga paralajmërimi i fundit, ndeshja ka vijuar si normalisht./ZËRI
FOTOT- Humbi mundësinë e artë përballë Serbisë, kush ishte i vetmi shok që i shkoi pranë Rey Manajt

TIRANË- Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Rey Manaj ka gabuar nga pika e bardhë e penalltisë, duke i mohuar një gol kuqezinjve.
Në këto kushte, sigurisht që dhe ndjenja e fajit është tepër e madhe! Në fotot e mëposhtme, të kapura nga gazetari Endi Tufa, duket se vetëm njëri nga shokët e skuadrës ka shkuar që të ngushëllojë lojtarin. Siç duket edhe nga pamjet, pasi humbi penalltinë, pranë Manajt ka shkuar vetëm mesfushori Qazim Laçi. Ky i fundit ka shkuar që ta përqafojë.
PAMJET E MOMENTIT:
Më pas, të gjithë lojtarët kanë shkuar në dhomat e zhveshjes./ZËRI
ME VIDEO- Manaj gabon! Shqipëria nuk shënon dot gol ndaj Serbisë

TIRANË- Minuta e 46’e ndeshjes është mbyllur me një mundësi të shpërdoruar nga sulmuesi Rey Manaj. Ky i fundit mori përsipër që të qëllonte nga pika e bardhë e penalltisë, por goditja u prit nga portieri serb Petroviç.
MOMENTI ME VIDEO:
Penalltia u fitua pas një depërtimit të shkëlqyer në zonën e rrezikut nga mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili mori një goditje nga Samardžić. Por kësaj herë mundësia u shpërdorua./ZËRI
Ndeshja e VITIT/ Edhe Altin Dumani po ndjek në stadium sfidën Shqipëri-Serbi

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani po ndjek nga afër ndeshjen e vitit. Dumani është fotografuar në stadiumin "Arena Kombëtare", në mbështetje të Shqipërisë.

Sot, Kombëtarja shqiptare e Futbollit po luan kundër Serbisë në një ndeshje të vlefshme për grupin K, për kualifikueset e Botërorit./ZËRI
VD- Tifozët shqiptarë shqyejnë flamurin serb në Tiranë

TIRANË- Shqipëria dhe Serbia përballen sonte në mbrëmje për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Një ndeshje me një të kaluar të tensionuar ka mobilizuar autoritetet e vendit për të parandaluar çdo incident.
Por sërish atmosfera është "e nxehtë"!
Vetëm dy orë para fillimit të ndeshjes, tifozët shqiptarë tërhoqën me forcë dhe grisën një flamur serb.
PAMJET E MOMENTIT:
View this post on Instagram
Për të ruajtur rendin dhe qetësinë, afërsisht 2,000 oficerë policie janë në detyrë, ndërsa është mobilizuar edhe njësia antiterrorizëm./ZËRI
VIDEO- Serbët ankohen edhe për flamurin në stadium: I yni është më i vogli!

TIRANË- Kombëtarja serbe e futbollit do të luajë kundër Shqipërisë sonte në Tiranë në një ndeshje të vlefshme për t'u kualifikuar në Kupën e Botës. Por serbët kërkojnë të gjejnë provokime në çdo detaj. Madje edhe në stadium.
Stadiumi ka flamujt e Shqipërisë dhe të Serbisë, si dhe të FIFA-s, UEFA-s. Por shqetësim për serbët përbën fakti se flamuri i Serbisë është shumë më i vogël se të gjithë të tjerët.
VIDEOJA në rrjetet sociale:
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të zhvillohet në një atmosferë të ndezur, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit./ZËRI
Silvinjo luan me dy sulmues/ Publikohen formacionet zyrtare të Shqipëri-Serbi

TIRANË- Shumë pak orë na ndajnë nga ndeshja Shqipëri – Serbi, por tashmë kemi formacionet zyrtare. Sylvinho i Shqipërisë dhe Dragan Stojkoviç i Serbisë kanë zbuluar 11-shet titullare që do të zbresin në fushën e gjelbër për të kërkuar 3 pikëshin e fitores. Nga formacionet zyrtare vihet re se Sylvinho ka kthyer në 11-she, mbrojtësin Elseid Hysaj, ndërsa sulmin e planifikon të fortë. Për herë të parë prej kohësh, janë vendosur për të mbështetur njëri-tjetrin, Manaj dhe Broja.
FORMACIONET ZYRTARE:
Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu; Asllani, Laçi, Hoxha; Manaj, Broja.
Serbia: Petroviç; Pavloviç, Milenkoviç, Erakoviç; Terziç, Lukiç, Maksimoviç, Zivkoviç; Samardziç; Mitroviç, Vlahoviç./ZËRI
Tensionet para ndeshjes/ Serbët provokohen nga gjithçka: Varet nga lojtarët tanë të qëndrojnë të qetë...

TIRANË- Mediat serbe po ndjekin deklaratat që bëjnë lojtarët e kombëtares në Shqipëri dhe jo vetëm. Ndeshja ka një rëndësi të madhe për dy vendet, por për serbët duket se konsiderohet "ndeshja e vitit".
"Kurir" ka shkruar për deklaratën që ka bërë ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Mërgim Mavraj. Ky i fundit ishte pjesëmarrës në ndeshjen që u ndërpre në vitin 2014, ndaj edhe i shkroi një mesazh motivues lojtarëve të kombëtares që do të përballen sot me Serbinë.
"Djema, lufta mbaroi. Kosova është e jona, përgjithmonë. Tani luani futboll!,"-shkroi Mavraj, por mediat serbe e kanë konsideruar si një provokim të tmerrshëm.
"Provokimi i turpshëm ndodhi ditën e ndeshjes dhe nuk ka dyshim se Mavraj donte vetëm të rriste tensionet. Varet nga lojtarët tanë të qëndrojnë të qetë, të luajnë sa më mirë që munden dhe t'i sjellin tre pikë Serbisë,"-shkruan Kurir.
Por jo vetëm kaq! Nga vëzhgimi që kanë bërë në kryeqytet, gazetarët serbë janë shqetësuar edhe nga shitja e flamujve me simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe shitjen e këtyre simboleve, serbët e kanë konsideruar provokim.
"Tifozët e ekipit vendas po fillojnë ngadalë të mblidhen përpara stadiumit Arena Kombëtare, edhe pse kanë mbetur më pak se tetë orë deri në fillimin e ndeshjes. Ajo që vihet re është se provokimi nuk do të mungojë, dhe tifozët shqiptarë përpara stadiumit kanë parë flamuj të UÇK-së,"-shkruan "Alo.rs".
Mesa duket, për serbët, çdo gjë që bëjnë shqiptarët sot është "provokacija"./ZËRI
Flamuj me UÇK dhe "Fuck you Serbia"/ Serbët 'mërziten' në Tiranë: Shqiptarët po krijojnë tension

TIRANË- Ndeshja ende nuk ka nisur dhe po bëhen përgatitjet e fundit. Mediat serbe kanë zbarkuar në Tiranë dhe po vëzhgojnë kudo për të gjetur provokime. Ata kanë kapur foto të shitësve në rrugë dhe shkruajnë në mediat për të cilat raportojnë se ndjehen të "ofenduar". Kjo sepse kanë pikasur shumë tifozë që mbajnë simbolet ose flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Madje njëri shkruan se para sheshit Skënderbej, gazetari i Sportal pati një skenë të pakëndshme. Njëri nga shitësat i ka thënë: Fuck you Serbia!
Pas disa episodeve të ndryshme, serbët kanë dalë në përfundimin se nuk janë të mirëpritur në Tiranë.
"Në biseda informale me njerëz "të zakonshëm" u bindëm se asnjë shqiptar nuk kishte asgjë kundër nesh, ditën e ndeshjes u bindëm për të kundërtën. Pikërisht përpara Sheshit Skënderbej, gazetari i Sportal pati një skenë të pakëndshme, ndoshta siç pritej,"-shkruajnë mediat serbe.
PAMJET NGA TIRANA:
View this post on Instagram
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të zhvillohet në një atmosferë të ndezur, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit./ZËRI
Sot përballja historike Shqipëri-Serbi

TIRANË-Gjithçka deklarohet se është gati për ndeshjen Shqipëri-Serbi në stadiumin “Air Albania”, e vlefshme për Grupin K, për eleminatorët e Kupës së Botës 2026. Një ndeshje e shumëpritur nga tifozët kuqezi, teksa stadiumi pritet të jetë i mbushur në kapacitet të plotë. Të paktën 22 mijë tifozë në stadium do të jenë nën vëzhgim, me 2 mijë policë me tre kordone, dronë, qen kontrolli dhe kamera inteligjente. Cdo person që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një mjet identifikimi, ndërsa të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve fizike. Ndalohet rreptësisht kalimi i barrierave dhe çdo tentativë për të shmangur pikat e kontrollit. Federata ka paralajmësuar se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, do të ndiqen penalisht.
/ZËRI
Gjithçka gati për ndeshjen Shqipëri – Serbi në Tiranë

TIRANË- Mijëra forca policore janë mobilizuar të shtunën në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit, që zhvillohet në orët e mbrëmjes mes ekipeve të Shqipërisë dhe Serbisë në stadiumin “Arena Kombëtare”. Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë. Aktualisht, Shqipëria ka tre pikë dhe është e dyta në këtë grup, ndërkaq Serbia nuk ka asnjë pikë.
Ekipi i Serbisë ka arritur të premten pasdite në Tiranë, dhe nën shoqërimin e forcave të shumta policore është akomoduar në hotel, dhe më pas i ka kryer stërvitjet e nevojshme.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe tifozëve që të kontribuojnë në një atmosferë qytetare dhe të kulturuar.
Por, pavarësisht gjithë entuziazmit që ekziston në një ndeshje futbolli, ndeshjet mes ekipeve të Shqipërisë dhe Serbisë kanë edhe doza tjera emocioni.
Shtetasit e dy vendeve janë të përfshirë në rivalitet të madh, që ka në themel tensionet historike dhe etnike, sidomos lidhur me konfliktin në Kosovë dhe historinë më të gjerë të Ballkanit. Serbia vazhdon të mos njohë shtetësinë e Kosovës, shtet me shumicë shqiptare.
Pothuajse gjysma e ekipit shqiptar të futbollit është me orgjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Prandaj, siç shkruan edhe agjencia e lajmeve Associated Press, për lojtarët kjo garë ka përzierje të historisë, politikës dhe krenarisë kombëtare, dhe është një tjetër rikujtim që ndonjëherë sporti është gjithçka tjetër përveçse një lojë.
Në vitin 2014, në një ndeshje mes dy kombëtareve në Beograd, ndeshja ishte ndërprerë pasi një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, pati hyrë në stadium dhe ka nxiturpërleshje mes futbollistëve në stadium, dhe thirrje nacionaliste të serbëve kundër shqiptarëve.
Autoritetet shqiptare të sigurisë kanë bërë të ditur këtë herë që do të përdorin pajisje antidronë, dhe i kanë ndaluar në stadium banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarrët, flakadanët, lëndët piroteknike e të tjera.
Trajneri i ekipit të Shqipërisë, braziliani Sylvinho u ka bërë thirrje lojtarëve që t’i shfrytëzojnë 90 minutat e lojës në fushë, të japin më të mirën e tyre, të respektojnë kundërshtarin dhe të mos merren fare me aspektin e rrjeteve sociale, që janë plot me përmbajtje patriotike në ditët e fundit.
Në një konferencë për media të zhvilluar të premten, ai ka thënë se lojtarët e të dyja ekipeve beson se janë të përgatitur në aspektin psikik për të përballuar presionin e lojës dhe situatës.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, ka thënë të premten në konferencë për media se ndeshja është shumë serioze për ekipin që drejton dhe që fokusi është fusha dhe fitorja, duke mos dashur t’i komentojë marrëdhëniet etnike.
Por, ndryshe prej tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka rritur ditë më parë tensionet, kur në një tubim me mbështetësit e tij, i ka kërkuar Stojkoviçit që Serbia të fitojë.
“Shkoni atje dhe mposhtini ata”, ka thënë Vuçiç duke iu referuar Stojkoviçit që ishte në turmë. Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të shohin ndeshjen si ngjarje sportive “ku ekipet marrin mbështetje dhe energji pozitive prej tifozëve për të arritur te goli”. Në ndeshjen e 7 qershorit në stadium nuk do të jetë grupi zyrtar i mbështetësve të Shqipërisë, i njohur si "Tifozat Kuq e Zi”, për shkak të pakënaqësisë me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), kryesisht për mënyrën e shitjes së biletave./REL
“Në çdo moment jeni të vëzhguar”, FSHF paralajmëron tifozët që do jenë në stadium

TIRANË-Në prag të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një listë me rregulla të rëndësishme për të gjithë tifozët që do të ndjekin sfidën në stadiumin “Air Albania”.
Në njoftim FSHF thekson se hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm për ata që janë të pajisur me mjet identifikimi dhe një biletë të vlefshme. Të gjithë tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara nga stjuardët dhe nuk do të lejohet në asnjë rast kalimi i pengesave rrethuese.
Po ashtu Federata ka paralajmësuar se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, do të ndiqen penalisht. FSHF rikujton se stadiumi është nën mbikëqyrje të vazhdueshme me kamera sigurie dhe çdo shkelje do t’i referohet menjëherë organeve ligjzbatuese.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të zhvillohet në një atmosferë të ndezur, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit./ZËRI
Sot Shqipëria sërish kundër Serbisë! "Deja vu" e 2014-Si ndezi Ismail Morina zemrat e shqiptarëve me dronin

TIRANË-Shqipëria do të përballet me Serbinë në një ndeshje të rëndësishme kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Por sfida mes dy ekipeve përveç rëndësisë në aspektin sportiv, mban dhe peshën e kujtimeve të përplasjes kaotike të vitit 2014 në Beograd.
Përballja e sotme rikthen në vëmendje incidentin e mbi dhjetë viteve më parë, ku ndeshja mes dy kombëtareve u ndërpre në fund të pjesës së parë, për shkak të futjes së tifozëve serbë në fushë dhe përleshjes me lojtarët shqiptarë. Një dron me flamurin shqiptar dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit 'ndezi' atmosferën.
Çfarë ndodhi?
Më 14 tetor 2014, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, pjesë e kualifikueseve të Euro 2016, u ndërpre në orën 21:27, pas futjes në fushë të tifozëve serbë, të cilët u përleshën me lojtarët e kombëtares sonë.
Një turp i paralajmëruar për Serbinë ky, pasi UEFA nuk kishte lejuar pjesëmarrjen e tifozëve shqiptarë në ndeshje për arsye sigurie. Pasi vërshëllyen himnin tonë kombëtar dhe bërtitën thuajse gjatë gjithë kohës “Vritini shqiptarët”, tifozët serbë bënë që takimi të ndërpritej në mes.
Në minutën e 42-të, tifozi Ismail Morina, i njohur si Ballisti ngriti një dron me flamurin shqiptar dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit mbi stadium.
Pasi një lojtar serb e mori flamurin, lojtarët e Shqipërisë iu afruan për t’ia marrë nga dora. Tensioni mes futbollistëve në fushë degjeneroi në një sherr masiv, pasi - pavarësisht pranisë së shtuar të forcave të sigurisë - tifozë serbë u futën në fushë duke goditur lojtarët tanë.
Lojtarët shqiptarë nuk pranuan të dilnin më në fushë dhe u kthyen në Tiranë rreth orës 3 të mëngjesit, duke u pritur si heronj në Aeroportin e Rinasit.
Beteja kaloi nga fusha e lojës në burokracitë e UEFA-s. Kjo e fundit vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshja të fitohej 3-0 në tavolinë nga Serbia, meqë shqiptarët nuk pranuan të luanin. Por një vit më vonë, tri pikët iu akorduan Shqipërisë, pas vendimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Ndeshja historike me Serbinë! Fluks dhe radhë kilometrike në pikën kufitare të Morinës, mbërrijnë tifozët e Kombëtares

TIRANË-Fundjava ka sjellë fluksin më të madh të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinës për këtë sezon veror, me rreth 56 mijë qytetarë që kanë kaluar kufirin gjatë dy ditëve të fundit. Disa për plazh e disa pë ndeshjen, shqiptarët e Kosovës janë nisur të shumtë në orët e para të mëngjesit drejt vendit duke krijuar fluks makinash në autostradë.
Përveç turistëve, këtë fundjavë kanë mbërritur edhe tifozë të zjarrtë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë hyrë në vend për të ndjekur nga afër ndeshjen Shqipëri–Serbi. Sfida është historike, pasi Shqipëria e pret Serbinë për herë të parë në kryeqytet.
Sipas të dhënave zyrtare, 45,701 shtetas janë futur në Shqipëri, kryesisht pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë ditët e nxehta të qershorit në bregdetin shqiptar. Përveç turistëve, këtë fundjavë kanë mbërritur edhe tifozë të zjarrtë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë hyrë në vend për të ndjekur nga afër ndeshjen Shqipëri–Serbi.
The Guardian: Sfida Shqipëri-Serbi ngjall kujtime të përplasjes kaotike të vitit 2014

TIRANË- Shqipëria luan përballë Serbisë duelin më të rëndësishëm të Grupit K, në Kualifikueset e Botërorit 2026, por përballja ngjall kujtime të kaosit 2014. The Guardian ka rikthyer në kujtesë përballjen kaotike mes dy ekipeve në Beograd.
Jashtë një kafeneje, tre blloqe larg "Arenës Kombëtare", dy burra qëndronin mbi karrige dhe fiksonin shtojca në një tendë. Dreka e së enjtes sapo kishte kaluar dhe Tirana po përgatitej për një ndeshje që mund ta kishte mbushur stadiumin kombëtar të paktën 10 herë. Nuk ishte problem të identifikohej flamuri i Shqipërisë, me shqiponjën e zezë me dy koka që shtrihej nga qendra e tij. Edhe banderola e dytë që po ngrihej është bërë e zakonshme për tu parë. Ajo mban fjalën "Autochtonous", me një version të hartës së "Shqipërisë së Madhe" që transformoi një ndeshje futbolli në një incident të madh diplomatik në vitin 2014.
Deri të premten në mëngjes, ai flamur ishte zëvendësuar me alternativën e tij më pak nxitëse tensionesh. Ndoshta autoritetet kishin ndërhyrë për të qetësuar gjendjen. Ata duan të eliminojnë shkaktarët e mundshëm të një lloji kaosi që shpërtheu në Beograd 11 vjet më parë, kur një dron uli flamurin e "Shqipërisë së Madhe" në stadiumin Partizan gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pasojat e asaj nate u shtrinë përtej sportit dhe pati psherëtima lehtësimi kur, nëntorin pasardhës, një ndeshje hakmarrëse në qytetin provincial të Elbasanit kaloi pa incidente të mëdha.
Fytyrat me siguri u përplasën në pëllëmbët e duarve në shoqatat e futbollit të të dy vendeve dhjetorin e kaluar, kur shorti i vendosi përballë në kualifikueset e Kupës së Botës për vitin 2026. Ndonëse "vetullat u ngritën", nuk kishte asgjë që t'i pengonte të takoheshin përsëri: pavarësisht një historie të gjatë dhe të përgjakshme, plagët më të freskëta të së cilës u shkaktuan gjatë luftës në Kosovën kryesisht me shqiptarë etnikë, kombet nuk janë në konflikt aktiv. Asnjëri nuk kishte kërkuar të rrinte larg njëri-tjetrit dhe ishte e pashmangshme që marrëdhëniet mes tyre të drejtohenin rreth stadiumit të futbollit një ditë.
Ndërkohë nuk po kursehen burimet për mbarëvajtjen e kësaj sfide. Rreth 2,000 policë do të vendosen për takimin e parë të Grupit K të shtunën në mbrëmje, duke përfshirë forca speciale dhe operativë kundër terrorizmit. Përveç kësaj, burimet sugjerojnë se deri në 500 oficerë me veshje civile do të vendosen midis 22,500 tifozëve. Tifozët mysafirë do të mungojnë. Pajisjet kundër dronëve po instalohen në zonën përreth dhe "keqbërësit" e mundshëm janë paralajmëruar se pajisjet e tyre do të rrëzohen nga qielli nëse ngrihen.
Këto masa ringjallin kujtimet e Ismail Morinës, operatorit të dronit me mjekër dhe në dukje të padëmshëm, gatishmëria e të cilit për të pranuar përgjegjësinë për incidentin e vitit 2014 i solli statusin e heroit kombëtar. Edhe pse nuk u raportua gjerësisht në atë kohë, Morina kishte një bashkëpunëtor i cili që atëherë ka preferuar të mbetet në hije.
"Vepra" e Morinës pati një kosto: ai u arrestua para vizitës së Serbisë në vitin 2015 për posedim të paligjshëm armësh. Më vonë ai u burgos në Kroaci dhe Itali, ku ka leje qëndrimi, me një urdhër arresti serb të lëshuar përmes Interpolit. Ai është rikthyer në stadiumet shqiptare, duke u mbajtur lart në tribunat e Arenës Kombëtare në një ndeshje kundër Republikës Çeke në vitin 2023 dhe duke shkëmbyer fanella me golashënuesin Jasir Asani. Kohët e fundit ai është parë në ndeshjet vendase, por, në përgatitje të takimit të së shtunës, llogaritë e tij të mëparshme aktive në mediat sociale janë zhdukur. Nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër e di se ku është ai, me shumë mundëso nuk do ta thotë. Supozimi duhet të jetë se ai nuk do të rrezikonte t'i afrohej vendit të ndeshjes të shtunën.
Ai nuk do të ishte i vetmi ultras, i së kaluarës apo i së tashmes, që mbahet larg. Federata e Futbollit të Shqipërisë nuk u ka shitur bileta grupeve të tifozëve në grup, por i ka ndarë ato me short të rastësishëm nga më shumë se 200,000 aplikime dhe duke rritur çmimet. Duket një përpjekje e qëllimshme për të dezinfektuar atmosferën. Grupi Tifozat Kuq e Zi, i cili ofron spektaklin më të gjallë në ndeshjet e ekipit kombëtar, reagoi me tërbim dhe vuri në dukje një "farsë të organizuar" që synon të pasurit. Ata do të organizojnë një grumbullim alternativ pranë Piramidës së Tiranës, 400 metra larg stadiumit, ku është dhënë leja për një ekran të madh. Çmimet e biletave të ndeshjeve në një treg të zi intensivisht aktiv kanë tejkaluar 1,000 paund në çmimin më të lartë.
Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të jenë bashkë-organizatore të Kampionatit UEFA U-21 në vitin 2027 shton një dimension tjetër. Një marrëveshje kaq ambicioze, e nxitur kryesisht nga presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe nënkryetari i komitetit ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket e papërshtatshme nëse diçka shkon keq. Tifozat Kuq e Zi kanë shprehur pikëpamjet e tyre mbi bashkë-organizimin me mjete verbale dhe vizuale; ata ndiejnë se kjo ka kontribuar në përjashtimin e tyre.
Elseid Hysaj, mbrojtësi i krahut të Lacios, është i vetmi anëtar i skuadrës që luajti në 2014 në Beograd. "Nuk duhet t'i përsërisim imazhet e viteve të kaluara", tha ai. "Trajneri na ka kërkuar të mos frikësohemi për këtë ndeshje. Na duhet qetësi dhe ekuilibër emocional."
Sylvinho, trajneri i kombëtares shqiptare dhe një nga personazhet më të sjellshëm të futbollit ndërkombëtar, bëri shaka ndërsa luante me stafin e tij, por është nën presion për të dhënë rezultate. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Dragan Stojkovic, homologun e tij. Anglia, e cila kompleton pesëshen e Grupit K me Letoninë dhe Andorrën, konsiderohet fituese pothuajse e sigurt e grupit. Shqipëria dhe Serbia e dinë se po luftojnë për një vend në play-off dhe se takimet e tyre, e dyta prej të cilave zhvillohet pas katër muajsh, do të jenë vendimtare.
Në orën 13:40 sipas orës lokale të së premtes, lojtarët e Serbisë mbërritën në hotelin e tyre, një milje në perëndim të qendrës së qytetit të Tiranës. Oficerë të armatosur nga RENEA, forca antiterroriste e Shqipërisë, shoqëruan dy autobusë që kishin udhëtuar nga aeroporti nën eskortë. Hapi i parë i një operacioni që zgjat një fundjavë kishte kaluar pa probleme. Nëse kjo do të vazhdonte, ndoshta fantazma e 14 tetorit 2014 më në fund do të fillojë të zhduket nga sytë.
Sot sfida Shqipëri-Serbi! Mbi 2 mijë efektivë në terren, MASAT& NDËSHKIMET për tifozët

TIRANË-Sot në në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare” luhet ndeshja Shqipëri-Serbi. Sfida e shumëpritur do të shoqërohet me masa sigurie të larta. Rreth 2000 efektivë të Policisë së Shtetit do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një ndeshje futbolli në vend. Në terren do të jenë edhe njësia speciale RENEA, FNSH, strukturat e Antiterrorit, si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH).
Në stadiumin “Air Albania” janë instaluar sisteme sigurie të avancuara, përfshirë:
Kamera me teknologji “face recognition”,
Kamera të lëvizshme për monitorim në kohë reale,
Pushkë anti-drone dhe pajisje për neutralizimin e çdo droni që mund të paraqesë rrezik nga ajri.
Akset që do të bllokohen:
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Ndërkohë do të ketë edhe kufizime të përkohshme, me një kohëzgjatje deri në 25 minuta, vetëm në momentin e lëvizjes së eskortës së ekipit.
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri” do ketë kufizime të pjesshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje pasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.
Masat për tifozët
-Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
-Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
-Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.
Dënimet me burg:
-Hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
-Dhuna ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.