Trafikuan rreth 1 ton drogë drejt Finlandës! Kush janë 9 shqiptarët e arrestuar, mes tyre edhe një grua (EMRAT)

TIRANË-Janë zbardhur emrat e të arrestuarve në kuadër të operacionit të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet finlandeze, ku u godit rrjeti kriminal i trafikut të drogës nga Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës. Mes të arrestuarve është edhe një grua.
Emrat e 9 shqiptarëve të arrestuar:
-Dorjan Luzaj
-Geraldo Seferaj
-Elton Myftari
-Elton Tavani
-Erind Teneqexhiu alias Agalliu
-Kela Qevani
-Ledion Hoxha
-Besnik Sparta
- Altin Musta
Shqiptarët drejtonin rrjetin e trafikut të drogës nga Shqipëria dhe vepronin nga qytete si Tirana, Vlora, Berati apo dhe Kuçova. SPAK dhe autoritetet finlandeze goditën një rrjet të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike, pas dy vitesh hetime me metoda speciale dhe proaktive, përgjime dhe gjurmime. Bëhet fjalë për 4 grupe kriminale, të cilët drejtoheshin nga Shqipëria, me 11 shqiptarë ndaj të cilëve ka masa sigurie 'arrest me burg' nga SPAK dhe GJKKO, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar pas operacionit të organizuar sot.
Këto grupe, të krijuara dhe drejtuar nga shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope.
SKEMA
Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur kamion, një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Një tjetër rrugë ishte trafikimi nga Spanja përmes shërbimit postar, që po ashtu u kishte rezultuar mjaft efektiv. Pasi droga arrinte në destinacion, grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, merrej me shpërndarjen brenda për brenda territorit të Finlandës./ZËRI
Droga drejt Finlandës! Zbardhen emrat e drejtuesve të një prej 4 grupeve, kush janë e 2 të arrestuarit në Vlorë

VLORË- Mes 9 të arrestuarve në Shqipëri në kuadër të operacionit anti-drogë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Finlandës, janë zbardhur emrat e dy personave të vënë në pranga në Vlorë. Konkretisht në pranga janë vendosur Dorjan Luzaj dhe Geraldo Seferaj. Dyshohet se Luzaj dhe Seferaj janë krerët e një prej 4 grupeve të goditura.
SPAK dhe autoritetet finlandeze goditën një rrjet të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike, pas dy vitesh hetime me metoda speciale dhe proaktive, përgjime dhe gjurmime. Bëhet fjalë për 4 grupe kriminale, të cilët drejtoheshin nga Shqipëria, me 11 shqiptarë ndaj të cilëve ka masa sigurie 'arrest me burg' nga SPAK dhe GJKKO, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar pas operacionit të organizuar sot. Një pjesë e të dyshuarve të grupeve kriminale janë arrestuar dhe dënuar në Finlandë.
Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja, dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzuar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish.
Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur kamion, një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Një tjetër rrugë ishte trafikimi nga Spanja përmes shërbimit postar, që po ashtu u kishte rezultuar mjaft efektiv. Pasi droga arrinte në destinacion, grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, merrej me shpërndarjen brenda për brenda territorit të Finlandës./ZËRI
Goditja e 4 grupeve kriminale! SPAK: Drejtoheshin nga Shqipëria, trafiktuan 1 ton drogë drejt Finlandës

TIRANË-Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje nga operacioni ndërkombëtar, ku katër grupe kriminale trafikonin drogë nga Spanja dhe Holanda drejt Finlandës. Në një njoftim zyrtar SPAK bën të ditur se është vendosur masa e sigurisë 'arrest me burg' për 11 shqiptarë, ndërsa janë ekzekutuar vetëm 9 masa, konkretisht për shtetasit me iniciale: B.S, E.A alias E.T, A.M, K.Q, T.K alias T.T, G.S, E.M, L.H dhe D.L.
SPAK njofton se episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë:
-Trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine.
-Shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë.
Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja, dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzuar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish. Në kuadër të hetimit janë ushtruar kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 8 automjeteve, 13 telefonave celularë si dhe disa provave shkresore të ndryshme.
NJOFTIMI:
SPAK dhe autoritetet finlandeze godasin rrjetin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike. Masa sigurie për 11 shtetas shqiptarë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal nr.147, të regjistruar më 29.06.2023, për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal; si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga pika 1 e nenit 334 të Kodit Penal.
Procedimi penal është regjistruar pas kërkesës për bashkëpunim, e cila është paraqitur më 21.06.2023 nga Qendra e Policisë për Krime të Finlandës dhe policisë së Lounais-Suomi, lidhur me hetimet të zhvilluara për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të rrezikshme në Finlandë, nga grupe të strukturuara kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetas të tjerë finlandezë, europianë dhe aziatikë.
Më datë, 21.11.2023, në kuadër të hetimeve të përbashkëta është krijuar Skuadra e Përbashkët Hetimore, mes Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë Qendrore Kriminale të Finlandës, Departmentit pranë Institucionit Policor të Finlandës Jugperëndimore dhe Departmentit pranë Institucionit Policor të Helsinkit.
Pas krijimit të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, gjatë 18 muajve të hetimeve intensive, u përdorën metoda speciale të hetimit si; përgjime të komunikimeve telefonike apo regjistrime të fshehta fotografike, filmike apo video, në vende publike, si edhe janë shkëmbyer në kohë reale informacione dhe prova me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.
Nga provat e administruara rezulton se:
Gjatë viteve 2022 dhe në vazhdim, janë evidentuar 4 grupe të strukturuara kriminale, në përbërje të të cilëve kanë qenë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope. Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzyar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.
Karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ka qenë bashkëpunimi mes tyre për realizimin e qëllimeve kriminale ose në disa raste, disa anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, vepronin edhe për llogari të grupeve të tjera. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e shkallëve të para të Finlandës për këtë veprimtari kriminale.
Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë:
Trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine.
Shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë.
Masa sigurie dhe arrestime:
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.52, datë 02.06.2025, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.
Më 03.06.2025 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë e mundur zbatimi i masës së sigurisë për 9 persona nën hetim.
B.S, (27.01.1985)
E.A (alias E.T 07.02.1991)
A.M (07.06.1981)
K.Q (14.04.1981;
T.K (alias T.T 15.10.1977)
G.S (05.07.1994;
E.M, (29.05.1983)
L.H, (09.01.1983)
D.L, (07.06.1983)
Gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit janë ushtruar kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi si dhe janë sekuestruar nç cilësinë e provave materiale:
8 automjete
13 telefona celularë
Prova shkresore të ndryshme
Në zbatimin e masave të sigurisë dhe ushtrimin e kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë, të policisë së Helsinkit dhe Turkut, Finlandë.Ndihmë të veçantë në hetimin e këtij proçedimi penal ka dhënë Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, duke ngritur urat lidhëse mes SPAK dhe autoriteteve hetimore dhe policore të Finlandës.
Hetimi në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore është mbështetur nga “Rrjeti @ON” i financuar nga Komisioni Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).
Trafik droge "Shqipëri-Holandë-Spanjë", destinacioni Finlandë! 9 në pranga, 2 në kërkim, si funksiononte grupi

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje lidhur me goditjen e grupit kriminal shqiptar me bazë në Finlandë. Grupi kriminal ka qenë nën shënjestrën e autoriteteve që në vitin 2023, por goditja ndaj tyre është finalizuar vetëm së fundmi. Ndaj hetuesit e SPAK, bashkë me zyrtarë nga Finlanda, dolën një konferencë për mediat për të zbuluar detaje nga mënyra sesi operonte grupi. Nga Prokuroria e Posaçme ende nuk ka një njoftim zyrtar, por Altin Dumani bëri me dije se për anëtarët e grupit, që e drejtonin "punën" nga Shqipëria, janë prerë 11 masa sigurisë "arrest me burg", por vetëm 9 persona janë vendosur në pranga. 2 persona të tjerë janë ende në kërkim.
PAMJET E ARRESTIMEVE:
Ndërkohë që identitetet e tyre nuk dihen, është zbuluar se dy prej drejtuesve janë me orgjinë nga Vlora, ndërsa 2 të tjerët nga Berati e Kuçova, por që banonin në Tiranë. Nga Shqipëria, edhe pse larg, ata ishin në gjendje që të drejtonin grupin dhe të koordinoheshin me të gjithë antarët e tjerë. Të gjitha direktivat i përcillnin përmes tre aplikacioneve: Telegram, Signal dhe WhatsApp!
Por për të mos humbur kontaktin me grupin, "kokat", herë pas here, në mënyrë periodike dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin apo vëzhgonin shitjen e lëndës narkotike.
Ndërkohë që në Shqipëri janë prangosur 9, në Finlandë 55 persona, anëtarë të këtij grupi rezultojnë të dënuar, 10 prej tyre shqiptarë, pjesa tjetër finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë e afrikanë. Përveç prangave, gjatë aksioneve janë sekuestruar rreth 300 kg drogë, konkretisht 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis. Ndaj edhe kreu i SPAK, theksoi se kjo është hera e parë që dëshmojnë se shqiptarët fokusohen te drogërat sintetike.
"Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit,"-tha Dumani.
Gjatë fjalës së tyre në konferencën për mediat, dy prokurorët që kanë drejtuar hetimin në Shqipëri, Arben Kraja dhe Alfred Shehu zbuluan se kemi të bëjmë në total me 4 grupe kriminale, të gjitha të drejtuara nga shtetas shqiptarë, që kanë precedentë të mëparshëm në Finlandë. Kështu e kanë drejtuar nga Shqipëria "punën" e tyre. Një nga zyrtarët finlandezë që mori pjesë në konferencë shtoi se anëtarët e grupit në dukje ishin "persona të thjeshtë", madje kishin edhe punë normale në Finlandë, por paralelisht merreshin edhe me tregëtinë e drogës. Në Shqipëri, një nga personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, rezulton me profil tejet të thjeshtë, mësues historie në Shqipëri.
Por nga sigurohej lënda nakoritike? Edhe në këtë rast, "burimi" ishte Spanja dhe Holanda. 4 grupet e kishin mirërenduar punën dhe detyrat e gjithësecilit. 2 prej tyre organizonin trafikimin e drogës. Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur kamion, një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Një tjetër rrugë ishte trafikimi nga Spanja përmes shërbimit postar, që po ashtu u kishte rezultuar mjaft efektiv. Pasi droga arrinte në destinacion, grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, merrej me shpërndarjen brenda për brenda territorit të Finlandës. Sipas prokurorit Alfred Shehu, këto grupe bashkëpunonim ngushtazi me njëri-tjetrin, madje “shkëmbenin” anëtarët e tyre.
PJESË NGA DEKLARATAT NË KONFERENCË:
Altin Dumani: Janë katër grupe kriminale, aktiviteti shtrihet ndër vite, krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Të gjithë shtetas shqiptarë ata për të cilët janë lëshuar urdhër arrestet. 10 ishin në Shqipëri dhe një nuk është në Shqipëri sipas informacioneve tona. Janë 54 të proceduar në Finlandë, aty nuk janë vetëm shqiptarë por dhe shtetas të tjerë. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje, është se është hera e parë që shohim që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani janë të dhënë pas kokainës, heroinë, marijuanë, kanabis, dhe është hera e parë që i shohim të dedikuar edhe për droga sintetike. Sasitë janë të mëdha, të konsiderueshme. Lloji, kemi kapur dhe ekstazi. Kishin bazat e tyre në Finlandë, dhe në mënyrë periodike dërgonin nga Shqipëria përfaqësues shqiptarë, dhe me mbërritjen atje fillonin aktivitetin e shitjes.
Arben Kraja: Hetimi në vend nisi pas informacionit nga autoriteteve finlandeze. Nga ky hetim kemi konstatuar disa problematika që lidhen me shtrirje dhe shpërndarje e aktivitet kriminal të shqiptarëve jashtë vendit. Ky aktivitet e bën të domosdoshme një qasje të SPAK shumë proaktive.
Prokurori finlandez Hans Fagerstrom: Në kuadër të hetimit, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike, të trafikuara nga Spanja e Holanda. Sasia totale e drogës së sekuestruar, 170 kg anfetaminë, 10 kg kokainë, 100 kg marijuanë dhe disa tableta të lëndës narkotike.
Alfred Shehu: Hetimi ka filluar mbi bazën e informacioneve e ardhura nga autoritetet finlandeze. Është vlerësuar ky informacion dhe në qershor 2023 është regjistruar procedimi penal, për vepra penale të kryer në kuadër të krimit të organizuar për prodhim, shitje, shpërndarje, magazinim, fakte që ishin konstatuar në Finlandë. Janë përdorur metoda speciale të hetimit duke filluar nga përgjimet dhe gjithashtu është në vazhdimësi veprimtaria e personave, duke qenë se veprimtaria e tyre vazhdonte në Finlandë edhe pas krijimit të skuadrës së përbashkët hetimore.
Nga aksioni në Shqipëri, prokurorët e SPAK njoftuan se sekuestruan 8 automjete, celularë dhe dokumente. Një pjesë konsiderohen me vlerë për hetimin pasi janë në gjuhën finlandeze dhe ka të dhëna me aktivitetin kriminal të personave që janë pjesë e grupit. Po ashtu, lajmërojnë se ndaj personave të prangosur do të vijohet edhe hetimi pasuror. Kjo pasi edhe në këtë grup, paratë që fitoheshin nga shitja e drogës, silleshin në Shqipëri përmes "Moneygram" dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme. Një skemë kjo që është bërë e zakontë për bandat dhe krimin e organizuar./ZËRI