Jerusalem Post: Ali Khamenei ka vdekur, trupi iu gjet nën rrënoja!
IRAN- Vdekja e lideri suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei pas sulmeve ajrore në Teheran, është konfirmuar nga mediat izraelite.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në një sulm ajror izraelit ndaj Teheranit, dhe trupi i tij u gjet nën rrënojat e shkaktuara nga një sulm ajror izraelit, u njoftuan zyrtarë të lartë izraelitë të shtunën në mbrëmje, raporton The Jerusalem Post.
Dokumentacioni i trupit të Khameneit thuhet se iu tregua kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Pak më herët, kryeministri i Izraelit sugjeroi gjithashtu se Ajatollah Ali Khamenei ishte vrarë në një sulm të SHBA-së dhe Izraelit. Benjamin Netanyahu tha se sulmet kishin në shënjestër kompleksin e Khameneit në kryeqytetin iranian, Teheran.
Në një mesazh video-mesazhi, Netanyahu deklaroi: "Regjimi i Ajatollahëve nuk duhet të ekzistojë më. Ne shkatërruam kompleksin e Khameneit, vramë komandantët e Gardës Revolucionare dhe zyrtarët e lartë bërthamorë."
Lideri Suprem iranian nuk është parë në publik që kur filloi operacioni të shtunën./ZËRI
Sulmet e SHBA dhe Izraelit në Iran, mediat: Janë vrarë dhëndri dhe nusja e Khameneit
SHBA- Dhëndri dhe nusja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Hosseini Khamenei, u vranë në sulmet ajrore SHBA-Izrael, tha të shtunën një anëtar i Këshillit të Qytetit të Teheranit, raportojnë mediat e huaja.
Sulmet, të cilat zyrtarët amerikanë dhe izraelitë i kanë përshkruar si shënjestër të infrastrukturës strategjike ushtarake, thuhet se goditën disa vende në dhe përreth Teheranit gjatë natës. Media shtetërore iraniane tha se shpërthime të shumta u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin dhe shërbimet e emergjencës u dërguan në zonat e prekura.
Zyrtarët në Uashington dhe Jerusalem nuk kanë komentuar publikisht mbi vdekjet e raportuara të të afërmve të Khameneit. Deklaratat e mëparshme e karakterizuan operacionin si një veprim të kufizuar që synonte degradimin e asaj që ata e përshkruan si kërcënime për sigurinë rajonale./ZËRI
Krahasim me Serbinë dhe Kosovën/ Vuçiç: Sulmi ndaj Iranit si bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në 1999
SERBI- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen në Serbi në vitet e mëparshme. Përshkallëzimin e tensioneve, Vuçiç e lidhi me rastin e Kosovës, duke theksuar se gjatë gjithë kohës është krijuar përshtypja se bëhej fjalë për një katastrofë humanitare. Sipas Vuçiç, në fakt, qëllimi kryesor ishte ndryshimi i regjimit dhe sigurimi i influencës së jashtme.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte në dy gjëra – e para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – thelbi i gjithë veprimit të NATO-s, sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, kjo është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar Iranin, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore”, u shpreh Vuçiç për Informer, një media proqeveritare.
Nuk jam i sigurt se Presidenti Trump do të ishte i lumtur me fitoren e një trashëgimtari të vetëshpallur të familjes Pahlavi. Mendoj se ai do të preferonte të kishte ish-kryebashkiakun e Teheranit në krye të vendit. Ai do të donte një lloj Rodriguez, një pion i bindur, i cili nuk do ta irritojë shumë publikun vendas.
Mendoj se ky është plani i tyre, mendoj se ata do të shkojnë në këtë drejtim. Dhe, siç mund ta shihni, askush në botë nuk do të jetë kurrë i interesuar për të drejtën ndërkombëtare që nuk ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Ne po dëshmojmë atë që përbën një epokë të re. Do ta ruaj paqen, por kjo varet edhe nga sa i fortë je. Ne do të sigurojmë sisteme jashtëzakonisht të fuqishme. Po e shqyrtojmë seriozisht këtë, kemi mbrojtje shumë-shtresore”, tha Vuçiç.
Arabia Saudite 'dënon me forcë' sulmet raketore iraniane, gati t'i 'bashkohet' SHBA-së
ARABI SAUDITE- Arabia Saudite ka ndryshuar qëndrim ndaj Iranit pas një serie sulmesh raketore që goditën territorin e disa vendeve të Gjirit Persik këtë mëngjes. Në një deklaratë, Ministria e Jashtme tha se sulmet ishin të pajustifikueshme në asnjë rrethanë dhe ndodhën pavarësisht sigurimeve të mëparshme të mbretërisë se hapësira ajrore dhe territori i saj nuk do të përdoren për të synuar Iranin.
Ndërkohë, katër javë më parë, Princi Trashëgimtar Mohammed bin Salman kishte telefonuar presidentin iranian për të garantuar se Arabia Saudite nuk do të lejonte përdorimin e hapësirës ajrore ose territorit të saj për sulme, një mesazh që ishte publikuar më 28 janar nga Agjencia Saudite e Lajmeve.
Por sot, Ministria saudite e Punëve të Jashtme publikoi një deklaratë që anulon çdo fjalë të asaj thirrjeje, duke “dënuar dhe refuzuar në mënyrë më të ashpër agresionin tradhëtar iranian”. Deklarata i cilësoi sulmet raketore si “shkelje flagrante të sovranitetit” të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë.
Arabia Saudite premtoi “solidaritet të plotë” me çdo vend të goditur dhe njoftoi se do të vendosë “të gjitha kapacitetet e saj për t’i mbështetur ata në çdo masë që marrin”. Ekspertët theksojnë se ky ndryshim i qëndrimit është një goditje strategjike për Iranin. Ky reagim i ashpër i Arabisë Saudite tregon një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe një mbështetje të qartë për vendet e Gjirit të sulmuara.
Kundërpërgjigjet Irani? Goditet Dubai: Shpërthim i fortë në "Palm Island" pranë kullës Burj Khalifa-s, hoteli në flakë (VIDEO)
DUBAI- Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai, ku tymi dhe zjarri kanë përfshirë ishullin e njohur “Palm Island”. Sipas raportimeve të Reuters, një shtresë tymi dhe flakë ishte e dukshme në lagjen “Palm Island”, pranë kullës Burj Khalifa. Imazhet nga vendi i ngjarjes tregojnë hotelin Fairmont të përfshirë nga flakët, ndërsa autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë nisur evakuimin e Burj Khalifa-s, kullës më të lartë në botë.
Mediat shtetërore iraniane raportojnë se ngjarja është pasojë e një sulmi të nisur nga Irani ndaj Dubait. Sipas BBC, nuk është e qartë qëllimi i saktë i sulmit, por në qytet ndodhet edhe një prani ushtarake amerikane. Disa media ndërkombëtare theksojnë se Irani ka reaguar ndaj sulmeve të mëparshme të kryera nga SHBA dhe Izraeli, duke shkaktuar tym dhe zjarr në Dubai.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar për ngjarjen, dhe mbeten të paqarta shkaqet e shpërthimeve, si dhe nëse ka pasur dëme materiale ose persona të lënduar.
Ngjarja ndodh në një kohë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku aktiviteti ushtarak mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara është shtuar dukshëm. Izraeli dhe SHBA kanë nisur mëngjesin e sotëm sulme ndaj Iranit, duke përshkallëzuar tensionet në rajon./ZËRI
Lideri suprem Khamenei mund të jetë vrarë? Mediat izraelite: Kemi humbur kontaktet
IZRAEL- Mediat izraelite raportuan të shtunën se, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë në një sulm izraelit më herët gjatë ditës, pasi janë humbur të gjitha kontaktet me të. Megjithatë, nuk ka konfirmim zyrtar të këtij pretendimi nga autoritetet izraelite ose iraniane.
Pak minuta para se të raportonte se Khamenei "ka të ngjarë të jetë vrarë", Channel 12 kishte raportuar se ai ishte "të paktën i lënduar". Media raportoi gjithashtu se sulmet shkaktuan "dëm shumë të konsiderueshëm" për udhëheqjen e regjimit iranian dhe komandantët e tij të lartë ushtarakë.
Transmetuesi publik izraelit Kan raportoi veçmas se "nuk ka kontakt" me Khamenein. Nuk ka pasur konfirmim nga zyrtarët iranianë në lidhje me gjendjen e Khameneit. Media shtetërore iraniane kishte treguar më parë se ai pritej të mbante një fjalim, megjithëse raporti televiziv izraelit sugjeroi se çdo fjalim i tillë mund të ishte regjistruar paraprakisht./ZËRI
Rezidenca e vendimeve strategjike: Trump ndjek sulmet ndaj Iranit nga Mar-a-Lago!
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot nisjen e një operacioni ushtarak në Iran, ndërsa raportohet se fillimin e sulmeve e vëzhgoi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, një pronë që prej vitesh është përdorur edhe për takime dhe konsultime mbi çështje të ndjeshme të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
"Menjëherë pas uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Palm Beach për një vizitë fundjave në pronën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Presidenti Donald Trump njoftoi "operacione të mëdha luftarake" në Iran që synojnë zhdukjen e programit të raketave balistike të Teheranit dhe dobësimin e regjimit të Ajatollah Ali Khameneit.", raportojnë mediat.
Por, Trump nuk ndodhej vetëm. Burime për mediat e huaja bëjnë me dije se Trump shoqërohej nga Pete Hegseth dhe Dan Caine, me të cilët kishte analizuar për javë me radhë skenarët dhe opsionet ushtarake ndaj Iranit.
Mësohet se ekipi: Trump, Hegseth dhe Caine, vendos në një ambient të sigurt brenda kompleksit për të monitoruar zhvillimin e operacionit, të cilin presidenti e përshkroi si “të përmasave të mëdha”.
Kjo nuk është hera e parë që rezidenca në Mar-a-Lago ka shërbyer si vend ku merren vendime të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe ushtarake gjatë periudhave të presidencës së Donald Trump.
-Në 2020, Trump zhvilloi diskutime me zyrtarë të lartë në një ambient të sigurt në Mar-a-Lago para se të autorizonte sulmin që çoi në vrasjen e komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani, një akt që rritti tensionet në Lindjen e Mesme.
-Në 2017, presidenti autorizoi një sulm me raketa Tomahaëk ndaj një baze ajrore siriane pas përdorimit të armëve kimike nga forcat e regjimit të Damaskut, një vendim që u mor edhe ai nga një dhomë e sigurt në të njëjtën pronë.
-Gjatë vitit të kaluar, ai ishte në Mar-a-Lago kur Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen, një operacion të cilin e paralajmëroi publikisht.
-Po ashtu sipas raporteve, ai monitoroi lëshimin e raketave Tomahaëk ndaj kampeve të dyshuara të ISIS-it në Nigeri në ditët e Krishtlindjeve dhe zhvillimin e një operacioni të planifikuar që synonte kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro
SHBA-të filluan të kryenin sulme ndaj Iranit në koordinim me Izraelin në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 28 shkurt, pasi negociatat bërthamore dështuan të prodhonin një marrëveshje që plotësonte të gjitha shqetësimet e administratës Trump, përfshirë edhe përfundimin e programit të saj të raketave.
"Pak kohë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara filloi operacione të mëdha luftarake në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm", tha Trump në një deklaratë video, të cilën e mbajti nga vendpushimi Mar-a-Lago.
Berisha komenton sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit: Ndëshkim i merituar (VIDEO)
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke thënë se është koha që regjimi iranian të marrë "ndëshkimin e merituar". Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se ky regjim ka vrarë më shumë të rinj dhe të reja se çdo regjim tjetër në botë.
"Ndërkohë sot në mëngjes, agjencitë e lajmeve njoftuan se forcat ajrore të Izraelit dhe të SHBA kanë bombarduar rezidencat dhe qendrat e udhëheqësve diktatoriale teokratikë të ajatollahëve të Iranit. Le të urojmë që kenë marrë përgjigjen e merituar pasi ky regjim ka vrarë të rinj dhe të reja, qytetarë të vet, më shumë se çdo regjim i kohës së sotme. Le të urojmë që të marrin ndëshkimin e merituar sepse prej kohësh e kanë merituar një ndëshkim të tillë," tha Berisha./ZËRI
Edi Rama reagon pas sulmeve ajrore në Iran: Shqipëria është përballur me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit
TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pas sulmeve të koordinuara ajrore SHBA-Izrael kundë Iranit mëngjesin e sotëm.Në reagimin e tij në rrjetet sociale ka kërkuar që Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të trajtohet si një organizatë terroriste.
Ai theksoi se Shqipëria nuk e sheh këtë si një çështje gjeopolitike abstrakte, por si një çështje të sigurisë kombëtare. Sipas tij, regjimi i Teheranit ka kryer sulme kibernetike ndaj Shqipërisë, duke e bërë të domosdoshme që të ndërmerren veprime konkrete për të ndalur agresionin iranian.
“Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore. Shqipëria do të veprojë në përputhje me rrethanat. Ne do ta quajmë Gardën Revolucionare ashtu siç është dhe do ta rendisim atë midis organizatave terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.”- shkruan Rama.
Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje që ka si qëllim të ndalë Iranin nga zhvillimi i kapaciteteve bërthamore dhe ushtarake që mund të kërcënojnë Izraelin dhe shtetet paqedashëse të rajonit.
Postimi i Plotë:
Është koha e duhur për të prerë litarin dhe për të shkuar direkt në temë. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve kundër Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e listuar atë midis organizatave terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Jo vetëm sepse ne qëndrojmë të vendosur me Izraelin dhe me vendet vëllazërore arabe që kërkojnë paqe. Jo vetëm sepse ne mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit sot nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump. Jo vetëm sepse Bashkimi Evropian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe një herë sot natyrën vrasëse të regjimit të Teheranit.
Por para së gjithash, në një ditë si kjo, kur kërkohen akte, jo vetëm fjalë, në nderim të viktimave të pafundme të pafajshme të Korpusit të përgjakshëm të Gardës Revolucionare Islamike. Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore.
Shqipëria do të veprojë në përputhje me rrethanat. Ne do ta quajmë Gardën Revolucionare ashtu siç është dhe do ta rendisim atë midis organizatave terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.
Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar një herë e përgjithmonë vrasësit në Teheran nga përvetësimi i kapacitetit bërthamor ose çdo kapaciteti tjetër ushtarak për të dëmtuar Izraelin ose ndonjë komb tjetër paqedashës në Lindjen e Mesme. Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet.
Izraeli sulmon Iranin, synohet eliminimi i Khameneit dhe Pezeshkianit, BOMBARDOHET shtëpia e ish-presidentit
IRAN- Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur një operacion të përbashkët ndaj Iranit, duke goditur objektiva kyç të liderëve iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ayatollah Khamenei dhe presidentin Masoud Pezeshkian.
Një zyrtar izraelit tha se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe presidenti Masoud Pezeshkian ishin të targetuar. Një burim iranian afër qeverisë ka raportuar se disa komandantë të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit dhe zyrtarë politikë janë vrarë, por këto informacione nuk janë verifikuar ende. Agjencia e lajmeve iraniane Tasnim raportoi se presidenti Pezeshkian gëzon shëndet të plotë e ndërsa Ayatollah Khamenei është fshehur në një vend të sigurt.
Shtëpia e ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad, e ndodhur në Sheshin 72 në lagjen Narmak të Teheranit, raportohet të ketë qenë objekt i një sulmi, por ende nuk ka detaje nëse ka pasur viktima.
Sulmet e koordinuara mes SHBA-së dhe Izealeit janë një përgjigje ndaj kërcënimeve bërthamore të Iranit. Më herët Trump dhe Netanyahu kanë apeluar për ndryshime të regjimit Iranian dhe liri të popullit iranian nga regjimi i ajatollave./ZËRI
VIDEO/ Netanyahu reagon pas sulmeve ndaj Iranit: Regjimi iranian nuk do të armatoset me armë bërthamore
IZRAEL- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pas sulmeve të përbashkëta mes SHBA-së dhe Izraelit kund Iranit. Në një deklaratë zyrtare Netanyahu falënderoi presidentin Donald Trump për udhëheqjen e tij historike dhe theksoi se sulmi është përgjigje ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të Iranit ndaj Izraelit dhe SHBA-së.
Ai kërkoi nga qytetarët izraelitë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Netanyahu theksoi se regjimi iranian, që ka derdhur gjak dhe se nuk duhet të ketë akses në armë bërthamore. Në fjalën e tij ai ka theksuar se sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael synojnë që t’i japin popullit Iranian mundësinë që të vendosin fatin e tyre, duke rrëzuar regjimin e ajatollave.
“Vëllezër e motra, qytetarë të Izraelit, pak orë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një operacion për të hequr kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist në Iran. Falënderoj mikun tonë të madh, presidentin Donald Trump, për udhëheqjen e tij historike. Për 47 vjet, regjimi i ajatollave ka thirrur ‘Vdekje Izraelit,’ ‘Vdekje Amerikës’. Ai ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet. Ky regjim vrastar terrorist nuk duhet të jetë i armatosur me armë bërthamore që do t’i lejonin atij të kërcënonte gjithë njerëzimin. Veprimi i përbashkët SHBA-Izrael synon t’i japë popullit iranian mundësinë të vendosë për fatin e tij dhe të çlirohet nga tirania. “Ka ardhur koha që të gjitha komunitetet e popullit iranian: persët, kurdët, azerezët, baluçët dhe ahvazët, të heqin tiranët dhe të krijojnë një Iran të lirë dhe paqësor”, tha kryeministri izraelit.
View this post on Instagram
/ZËRI
Ali Khamenei fshihet në bunker? Kush është udhëheqësi suprem që drejton Iranin që nga viti 1989
IRAN- Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit që nga viti 1989, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas sulmeve të fundit të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Sipas burimeve, ai është zhvendosur në një bunker nëntokësor, që dyshohet të ndodhet në zonën e Levizanit, në verilindje të Teheranit.
“Nuk është në Teheran”, ka thënë një zyrtar iranian për Reuters, “dhe ndodhet në një vend të sigurt”. Mendohet se në strehë me të mund të ndodhen edhe anëtarë të familjes, ndërsa vendndodhja e djalit të tij të dytë, Mojtaba, i konsideruar prej kohësh si pasardhësi më i mundshëm, nuk dihet ende.
Frika dhe pasiguria kanë përfshirë rrethin më të afërt të liderit që prej më shumë se tre dekadash drejton vendin me dorë të fortë. Pas asaj që u quajt “lufta 12-ditore” disa muaj më parë, Irani përballet sërish me një operacion të përbashkët ushtarak.
Objektivat e këtij operacioni u shpallën publikisht nga Donald Trump përmes një videoje në Truth Social: “Regjimi nuk do ta ketë kurrë armën atomike. Ky operacion është për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e Teheranit, i cili ka tentuar të rindërtojë programin e tij atomik dhe po zhvillonte raketa balistike me rreze të gjatë, të afta të arrijnë Shtetet e Bashkuara. Do të godasim objektiva të regjimit dhe ushtarake, do të shkatërrojmë raketat e tyre, do të rrafshojmë strukturat e prodhimit të armëve dhe do të asgjësojmë flotën e tyre detare”.
Në deklaratat publike nuk përmendet drejtpërdrejt eliminimi i udhëheqësit suprem, megjithatë analistët vërejnë se situata ka shtuar masat e sigurisë rreth tij. Pas vrasjes së Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut në Liban, masat e sigurisë rreth ajatollahut janë rritur ndjeshëm. Për mbrojtjen e tij kujdeset Garda Revolucionare Islamike, përmes njësisë elitare “Vali Amr Protection Corps”.
“Askush nuk i beson më askujt”, ka thënë një burim, “është e qartë se Mossadi është infiltruar edhe mes njerëzve të tij më besnikë”.
Që prej marrjes së pushtetit në vitin 1989, Khamenei nuk ka udhëtuar jashtë Iranit. Ngjitja e tij në krye të Republikës Islamike erdhi pas vdekjes së themeluesit Ruhollah Khomeini dhe, sipas Gary Sick, ish-negociator i Shtëpisë së Bardhë gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979, kjo zgjedhje ishte e papritur.
‘Ishte surprizë’ kur ai mori drejtimin, pasi edhe pse kishte mbajtur poste të rëndësishme në strukturat revolucionare dhe shtetërore, ai nuk konsiderohej ndër figurat më të fuqishme të revolucionit. Ai ishte funksionar i lartë në Këshillin Revolucionar dhe kishte mbajtur poste të rëndësishme, përfshirë zv.ministër i Mbrojtjes, por nuk ishte ndër figurat kryesore të revolucionit. Ishte klerik, por shumë klerikë të rangut të lartë nuk e konsideronin të kualifikuar për presidencën apo për të zëvendësuar Khomeinin.
Megjithatë, ai kishte shërbyer si president për dy mandate duke nisur nga viti 1981 dhe, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, u emërua Udhëheqës Suprem. Dhe menjëherë e quajtën ajatollah, edhe pse nuk ishte. Në atë kohë ai mbante gradën më të ulët fetare hojatoleslam, fakt që kritikët e përdorën për ta ironizuar, duke i vendosur nofkën “Shish Kelaseh”, “gjashtë klasë shkollë”.
Edhe pse nuk kishte karizmën e paraardhësit të tij, Khamenei arriti të forcojë kontrollin mbi shtetin përmes një aleance të ngushtë me konservatorët dhe Gardën Revolucionare. Sipas Mohsen Sazegara, ish-reformist që jeton në SHBA, ‘Kur u bë lider në 1989, ai hapi derën për Gardën Revolucionare në ekonomi dhe politikë, sidomos për të kundërshtuar lëvizjen reformiste’. Kjo marrëdhënie e ndërsjellë i dha regjimit stabilitet dhe forcë.
‘Në këtë rrugë, Khamenei e ka shndërruar Iranin në një lloj diktature që edhe vetë shahu do ta kishte ëndërruar’, ka deklaruar Sick.
Me origjinë azere, ai në rininë e tij njihej për pasionin ndaj letërsisë dhe poezisë, duke bërë një jetë modeste. Është i martuar me Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh dhe ka gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Stili i tij i jetesës përshkruhet si asketik dhe larg luksit. Një atentat në vitin 1981 i la një krah pjesërisht të paralizuar, ndërsa në vitin 2014 ai i mbijetoi kancerit. Sipas dëshmive, ai shpesh refuzon dhurata të shtrenjta ose i shet dhe të ardhurat i dhuron për bamirësi.
Megjithatë, regjimi i tij është akuzuar gjerësisht për shtypje të ashpër të kundërshtarëve. Protestat e Lëvizjes së Gjelbër në vitin 2009 dhe demonstratat “Grua, Jetë, Liri” në vitin 2023 u përballën me arrestime masive dhe viktima, duke treguar vendosmërinë e sistemit për të ruajtur pushtetin.
Nëse skenarët ekstremë do të përfshinin eliminimin e tij, pasojat mund të ishin të paparashikueshme. Emri i djalit të tij Mojtaba përmendet prej vitesh si kandidat për ta pasuar, por një tranzicion i tillë mund të shoqërohej me përplasje të brendshme dhe destabilizim të vendit. Ndikimi i Iranit në Siri, Liban, Irak dhe Jemen e bën çdo zhvillim të brendshëm një çështje me pasoja rajonale./ZËRI
Sulmet ajrore, Këshilli i Sigurisë Kombëtare iraniane kërkesë qyteratëve: Largohuni nga Teherani, universitetet do të mbyllen (VIDEO)
IRAN- Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka lëshuar një apel për qytetarët, duke i kërkuar ata të largohen nga Teherani dhe qytetet kryesore që mund të jenë të rrezikuara nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit. Kjo deklaratë vjen pas informacionit se operacionet ushtarake do të vazhdojnë në këto zona.
View this post on Instagram
"Sipas informacionit të marrë nga këto dy regjime të korruptuara, operacionet e tyre do të vazhdojnë në Teheran dhe disa qytete të tjera. Prandaj, sa më shumë që të jetë e mundur, duke ruajtur qetësinë, udhëtoni në qytete dhe qendra të tjera për të qëndruar të sigurt nga kërcënimet e këtyre dy regjimeve."- thuhet në deklaratë.
Qeveria këmbëngul se: " janë përgatitur të gjitha nevojat e shoqërisë dhe nuk ka asnjë shqetësim për furnizimin me nevojat publike. Njerëzit duhet të shmangin grumbullimet në qendrat tregtare pasi mund të paraqesin rreziqe për ta."
Po ashtu, qeveria ka njoftuar se shkollat dhe universitetet do të mbeten të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa bankat dhe zyrat qeveritare do të punojnë me kapacitet 50%.
Një shqetësim tjetër është edhe nisja e protestave në rrugë në kryeqytetin iranian, pasi sipas mediave ndërkombëtare diaspora e Iranit po bën thirrje për rinisjen e protestave. Protestat në Iran shpesh janë një reagim ndaj represionit politik, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe vështirësive ekonomike, me qytetarët që kërkojnë liri më të mëdha individuale, reforma politike dhe përmirësime sociale. Këto protesta shpesh kanë shpërthyer pas rritjeve të çmimeve, kufizimeve të lirisë së shprehjes dhe politikave të ashpra të qeverisë, duke shkaktuar përballje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. /ZËRI
SHBA dhe Izraeli godasin Iranin, Khamenei transferohet në një vend të sigurt
IRAN- Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, nuk ndodhet në Teheran. Mësohet se ai është transferuar në një vend të sigurt pas sulmeve ajore të realizuara nga SHBA dhe Izraeli mëngjesin e sotëm. Lajmin e ka konfirmuar për Reuters një zyrat i lartë iranian.
Sipas gazetarëve të AFP, u dëgjuan dy shpërthime të fuqishme në Teheran, ndërsa shtullunga tymi janë parë në zona të ndryshe të qytetit, përfshirë qendrën dhe lagjet lindore. Sipas raporteve të mediave iraniane, këto shpërthime dyshohet të jenë pasojë e sulmeve me raketa mëngjesin e sotëm.
Autoritetet iraniane kanë mbyllur hapësirën ajrore dhe kanë raportuar ndërprerje të shërbimeve të telefonisë celulare dhe internetit në disa zona. /ZËRI
Irani i kundërpërgjigjet Izraelit me raketa, sirenat alarmuese bien në Izrael
IZRAEL- Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë njoftuar se Irani ka lëshuar raketa drejt territorit të Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të përbashkëta të SHBA dhe Izraelit në Iran. Kjo ka shkaktuar aktivizimin e sirenave alarmuese në disa zona të Izraelit, duke paralajmëruar rrezikun për qytetarët.
Pas paralajmërimit, IDF kërkoi nga qytetarët që të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm, ndërsa Forcat Ajrore të Izraelit janë angazhuar në përpjekje për të parandaluar raketat dhe për të neutralizuar kërcënimin. Situata është ende e tensionuar dhe vazhdojnë përpjekjet për të kontrolluar pasojat e këtij përshkallëzimi të fundit.
Ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit ka lëshuar një deklaratë duke dënuar sulmet si shkelje të Kartës së OKB-së dhe duke kërkuar që të gjitha shtetet, veçanërisht shtetet islamike, të dënojnë ashpër agresionin amerikan dhe të kërkojnë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të marrë përgjegjësitë e tij.
“Në një kohë kur ka ardhur testi i madh i historisë, forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit, të frymëzuara nga trashëgimia e madhe epike e këtij vendi dhe duke besuar te Zoti i Madh, me besim në premtimin e fitores hyjnore dhe duke u mbështetur në fuqinë kombëtare, nuk do të hezitojnë të mbrojnë atdhenë tonë të dashur me gjithë forcën e tyre. Historia është dëshmitare se iranianët kurrë nuk janë dorëzuar para agresionit të huaj; edhe këtë herë, përgjigjja e kombit iranian do të jetë vendimtare dhe do t’i bëjë agresorët të pendohen për aktin e tyre kriminal. Ministria theksoi se populli iranian do të ndjehet krenar që ka bërë gjithçka që mundet për të parandaluar agresionin kriminal përmes diplomacisë.”- thuhet në deklaratë./ZËRI
"Një operacion i madh ushtarak"! SHBA dhe Izraeli sulmojnë Iranin, Teherani përgjigjet me raketa në Jeruzalem
IRAN- Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një fushatë ajrore kundër Iranit, duke shënjestruar disa objekte të strategjisë ushtarake iraniane mëngjesin e sotëm.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar nisjen e operacioneve ushtarake të SHBA-së në një video të shpërndarë në Truth Social, duke e quajtur këtë një "operacion të madh ushtarak" dhe duke ofruar mbështetje të plotë për Izraelin.
Sulmi, i cili ka përfshirë një seri goditjesh ajrore dhe raketash, është përgjigje ndaj "kërcënimeve të vazhdueshme të Iranit" dhe agresionit të tij ndaj interesave të Perëndimit, sipas Trump.
"Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm. Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjaku”, tha Trump.
Në kundërpërgjigje, Iran ka lëshuar një breshëri raketash që kanë goditur qytetin e Jeruzalemit dhe disa zona përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për provokim të drejtpërdrejtë dhe kanë paralajmëruar se nuk do të hezitojnë të përdorin çdo mjet të mundshëm për të mbrojtur integritetin e vendit të tyre./ZËRI