LIVE UPDATES

Zgjedhje apo zgjidhje?! Dështon seanca për votimin e Presidentit të Kosovës, duhen dy kandidatë, në "tavolinë" vetëm emri i Konjucës!

➤Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se nuk mund të ketë seancë për të zgjedhur presidentin, nëse nuk janë të paktën 2 kandidatë në garë. ➤Ajo shtoi se ka edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. ➤Mandati i Vjosa Osmani përfundon më 4 prill. ➤Pak orë nga skadimi i afatit kushtetues, Lëvizja Vetëvendosje propozoi si president Glauk Konjufcën. ➤Menjëherë ka reaguar LDK-ja, sipas së cilës, qasja e LVV-së nuk reflekton përpjekje serioze për zgjidhje. ➤Konjucfa duhet të marrë mbështetje nga LDK dhe PDK. Në dy raundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në raundin e tretë 61 vota. ➤Nëse nuk zgjidhet presidenti, zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen brenda 45 ditëve.

4 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Zgjedhja e presidentit të Kosovës, Haxhiu: Nuk mund të mbahet seanca pa pasur dy kandidatë!

Zgjedhje apo zgjidhje?! Dështon seanca për votimin e Presidentit
Albulena Haxhiu

PRISHTINË- Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një deklarate për mediat tha sot se për të mbajtur seancën për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se ka edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026 dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. E para e shtetit të Kosovës ka thesuar se edhe nëse nuk zgjidhet presidente, do të vazhdojë angazhimin politik. Megjithatë, do të jetë Parlamenti i ri ai që do të vendosë./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për president! Reagon LDK: Vetëvendosja nuk reflekton përpjekje serioze

Zgjedhje apo zgjidhje?! Dështon seanca për votimin e Presidentit
Glauk Konjufca

KOSOVË- Pak orë nga përfundimi i afatit, mesnatën e sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se do të propozojë Glauk Konjufcën për President të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, LVV shkruan se ky vendim erdhi, pasi nuk u arrit që të arrihej një konsensus me opozitën për gjetjen e një figure konsensuale për President.

LVV-ja u bëri thirrje edhe një herë partive opozitare që të propozojnë kandidatët e tyre për postin e presidentit, duke ofruar madje mbështetje për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme nga grupi i saj parlamentar, nëse një gjë e tillë kërkohet. 

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës. Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.

Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit.

Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar.

Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.

Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.

Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar.

Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara.

Menjëherë pasi Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën për president të Republikës, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK deklaron se zgjedhja e presidentit duhet të zhvillohet me përgjegjësi institucionale. Sipas LDK-së, qasja e VV-së nuk reflekton përpjekje serioze për zgjidhje.

Komunikatë për media nga LDK-ja:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore.

Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar.

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional.

LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare.

Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Orët kritike për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës! Negociatat nuk 'prodhuan' emër, çfarë ndodh më tej

Zgjedhje apo zgjidhje?! Dështon seanca për votimin e Presidentit
foto ilustruese

KOSOVË- Orët vendimtare po afrojnë për emërimin e kreut të ri të shtetit në Kosovë, para se të përfundojë mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, më 4 prill 2026.

Kuvendi i Kosovës pritej të mblidhej në seancë në orën 19:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi për mediat se zgjedhja e presidentit nuk mund të zhvillohet nëse nuk ka të paktën dy kandidatë në garë. Ajo theksoi se seanca duhet të mbahet vetëm kur të jenë propozuar të paktën dy kandidatë nga deputetët, në përputhje me Kushtetutën.

Haxhiu u bëri thirrje partive politike që të marrin përgjegjësi dhe të paraqesin emrat e tyre për kandidat për president. Ajo paralajmëroi se nëse situata nuk zgjidhet deri më 6 mars, çështja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për interpretim dhe vendimmarrje mbi hapat e mëtejshëm.

So, 4 mars, kak orë para përfundimit të afatit, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën për President të Republikës së Kosovës. Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar pak ora nga skadimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, LVV shkruan se ky vendim erdhi pasi nuk u arrit që të gjendej një konsensus me opozitën për gjetjen e një figore konsensuale për President. Duke theksuar se në këtë fazë është e panevojshme mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, LVV fton edhe njëherë partitë opozitare që të paraqesin një kandidat për President.

Por, edhe pse VV ka propozuar emrin e Konjufcës, ai nuk ka marrë ende konfirmim ose mbështetje të garantuar nga partitë tjera, si Lidhja Demokratike e Kosovës apo Partia Demokratike e Kosovës, të cilat duhet të japin votat për ta zgjedhur atë.

Negociatat e dështuara-Qëndrimet e partive opozitare:

Përballë kësaj situate, lideri i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar 5 takime me kryetarët e dy partive opozitare, me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) e Bedri Hamzës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Lumir Abdixhiku.  

Negociatat mes udhëheqësve politikë kanë qenë intensive, por nuk u arrit konsensus për një emër të përbashkët për president. Takimet nuk kanë sjellë një marrëveshje konkrete, ndërsa opozita është ende e rezervuar për të dhënë votat e nevojshme në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka theksuar se është e gatshme të kontribuojë për një zgjidhje, por nuk është shprehur nëse do të votojë për Konjufcën. LDK konsideron se zgjedhjet e reja janë të panevojshme, por duhet të ketë një kontribut real në proces.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qëndrime kritike ndaj propozimit të VV-së dhe ka kërkuar që kandidatët të jenë të partisë së saj.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por nuk është përfshirë në propozimin e VV-së. Ajo ka deklaruar se edhe nëse nuk zgjidhet, do të vazhdojë angazhimin e saj politik.

Si funksionon zgjedhja e presidentit:

-Në dy raundet e para të votimit, kandidati duhet të marrë 80 vota nga 120 deputetë;
-Në rast se nuk arrihet kjo shumicë, në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota;

Çfarë thotë Kushtetuta?

Kushtetuta, në nenin për zgjedhjen e presidentit, thotë se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill. Sipas Kushtetutës, nëse dështon zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Orët e ardhshme janë vendimtare për të përcaktuar nëse Konjufca do të gëzojë mbështetjen e mjaftueshme parlamentare.

Situata mbetet e tensionuar, pasi nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e nevojshme deri në fund të afatit, sipas Kushtetutës, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

4 Marsi afati i fundit! Orët vendimtare për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

Zgjedhje apo zgjidhje?! Dështon seanca për votimin e Presidentit
kuvendi i kosoves

KOSOVË- Sot, 4 mars, është afati i fundit që Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë Presidentin e ri. Pas disa takimeve ndërpartiake pa rezultat, orët e fundit konsiderohen vendimtare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Sipas afatit kushtetues, të mërkurën në mesnatë përfundon afati kur duhet të zgjidhet presidenti i ri. 

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026 dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. E para e shtetit të Kosovës ka thesuar se edhe nëse nuk zgjidhet presidente, do të vazhdojë angazhimin politik. Megjithatë, do të jetë Parlamenti i ri ai që do të vendosë./ZËRI

Poll

MOS HUMB