LIVE UPDATES

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema në Prishtinë, as Rama s'mungon

➤ Kosova është në prag të 25-vjetorit të Çlirimit, ndaj institucionet kanë paraparë manifestime për të festuar këtë datë të rëndësishme në historinë e vendit. ➤ Për të festuar këtë ngjarje kanë marrë pjesë personalitete të rëndësishme vendore, rajonale e ndërkombëtare. ➤ Mes të cilëve, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe ish-kryeministri italian, Massimo D'Alema. ➤Blair gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës tha se triumfi i ndërhyrjes të NATO-s nuk do të kishte ardhur pa vendosmërinë dhe trimërinë e popullit. Ai po ashtu u bëri thirrje vendeve të njohin shtetin e Kosovës. ➤I pranishëm sot në Kosovë është edhe kryeministri Edi Rama. ➤ Ky i fundit është takuar me presidenten Vjosa Osmani, por deri më tani në axhendë nuk ka asnjë takim me homologun e tij, Albin Kurti. 

8 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

VIDEO- Rama nderohet me “Çelësin e Qytetit” në Prishtinë: Tani mund të vij pa marrë leje

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema
Edi Rama dhe Përparim Rama

KOSOVË-Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama “Çelësin e Qytetit”. Gjatë fjalës së tij pasi mori në dorë “Çelësin”, Rama shtoi edhe një batutë duke thënë se tani është e sigurtë që mund të vij pa marrë leje se kam "Çelësin" me vete.

“I nderuar të marr çmimin “Çelësi i Qytetit” nga Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve”,- shkruan Rama në Facebook.

Kryekomunari i  Prishtinës, Përparim Rama vlerësoi punën e kryeministrit të Shqipërisë për punën e kryer në zhvillimin e hapësirës mbarëshqiptare.

“Pata nderin që t’ia dhuroj “Çelësin e Kryeqytetit” kryeministrit Edi Rama, që çmon angazhimin e tij të palëkundur për të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Gjuha, tradita, tolerance fetare janë të përbashkëtat e dy vendeve dhe kryeqendrave tona dhe fatet tona janë të gërshetuara dhe prihen nga i njëjti yll polar, që na orienton drejt përparimit dhe unitetit. Për këtë arsye e çmoj edhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e pakursyer që ka dhënë në arenën ndërkombëtare për Kosovën dhe e shohim si arma jonë e rëndësishme me të cilin jemi të lidhur fort e duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë, E përgëzoj për zhvillimin e hovshëm që ka bërë Shqipëria dhe populli shqiptar këto vitet e fundit”, tha kreu i komunës së Prishtinës, Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare është pritur në Prishtinë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, në nder të Presidentit, Ibrahim Rugova. /ZËRI

1 VITE ME PARE

S’ka takim! Zyra e Kurtit: Ka në axhendë "ata". Rama "no comment": S'më fusni dot në kurth!

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema

Albin Kurti dhe Edi Rama

KOSOVË- Marrëdhëniet e Kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij Edi Rama duket se nuk janë përmirësuar. Ose të paktën, diçka e re ka ndodhur dhe marrëdhëniet sërish nuk janë në ditët e tyre më të mira. Edhe pse Rama ndodhet sot në Prishtinë, nuk ka pasur dhe nuk e ka në axhendën e tij asnjë takim me homologun Albin Kurti. Këtë gjë e ka bërë të qartë axhenda e dy kryeministrave, që menjëherë u raportua nga mediat si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Të parët që reaguan për mediat ishin zëdhënësit të qeverisë së Albin Kurtit. Në një reagim zyrtar, Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu u shpreh se Rama sot po takohet me "ata" (përfaqësues së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenten Vjosa Osmani) që sheh si nevojë për të pasur raporte të mira. Sipas Kryeziut, Kurti e ka ftuar Ramën në një takim tjetër, më 12 qershor, datë në të cilën kreu i qeverisë shqiptare nuk e ka pasur axhendën e lirë. 

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet,”- thuhet në reagim.

Ndërsa nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka asnjë koment lidhur me mungesën e takimin mes dy homologëve. Por Rama është "ngacmuar" për një deklaratë nga gazetarët teksa po vizitonte zyrën e kreut të Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama. Ngacmimeve, edhe Rama u është përgjigjur me batutë, pa komentuar më gjatë takimin e munguar me Kurtin.

A ke ndonjë porosi për vëllain e vogël?

Rama: Vëllain e vogël e kam në Tiranë është drejtori i klubit Partizani, është Olsi Rama. Më bëtë pyetje me shpresën që do më fusnit në kurth, por jam mësuar me këto kurthe, por po rashë në kurth hidhem vetë nuk më fut dot njeri.

Pyetje: A mendoni se ka lider unifikues në Kosovë?

Rama: Nuk është çështje personash, është çështje e ndarjes interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Unë besoj që kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre ata janë një. Në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe pakicave dhe brenda gjërat mund të diskutohen, por interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai mbi të cilin përcaktohet edhe mënyra si të tjerët na shohin.

Marrëdhëniet e Kurtit dhe Ramës përgjatë kohëve të fundit kanë pasur ulje-ngritjet e tyre. Herën e fundit që Rama e përmendi Kurtin ishte në një intervistë të dhënë për Berat Buzhalën, ku kujtoi momentin që kryeministri i Kosovës, tentoi që të zinte vende në parlamentin shqiptar duke hapur një degë të Lëvizjes VetëVendosje në Shqipëri./ZËRI

1 VITE ME PARE

Rama këshillon Kurtin nga Prishtina: Dilni nga loja e ‘maces me miun’ me Serbinë! Mund të ngeleni pa miq

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të hënë nga Kosova për raportet dhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë ku nuk ka nguruar t’i japë dhe një këshillë homologut të Kosovës, Albin Kurti. Sipas Ramës, Prishtina zyrtare duhet të dalë nga kurthi i “lojës macja me miun”, ndërsa ka propozuar formimin e një grupi uniteti, për ta nxjerrë Kosovën nga kjo lojë.

Edi Rama: Kjo patjetër që mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtrar. Dhe në këndvështrimin tim, meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë macja me miun në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Europian duke i thënë ‘ne nuk duam të flasim më me Serbinë se s’kemi çka të flasim me Serbinë ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Europian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës, në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian dhe për t’u afruar me ju. Pastaj se çfarë bën Serbia, është punë e Serbisë, shkoni dhe merruni me Serbinë. Por ky konfrontimi macja me miun në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme, kuptohet, këto nuk çojnë asgjëkundi. Dhe unë nuk e kam kuptuar dhe as nuk kam për ta kuptuar ndonjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës, çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, që kërkon të hyjë në NATO, BE me se çfarë i bën e çfarë s’bën, çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë. Serbia mund të mos dojë kurrë t’i qaset idesë se duhet ta njohë kurrë Kosovën. Por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën kur të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar me të tjerët në komunitetin e shteteve. Dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi. Kjo gjë është e arritshme. Dhe jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme, por edhe ku në njëfarë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme.

Rama tha se Kosova dhe Shqipëria nuk janë qendra e botës. Sipas tij, Kosova i ka “të gjitha” dhe se ajo “duhet t’ia tregojë targën Serbisë dhe të iki përpara”. Ai tha se Kosova duhet të ecë përpra dhe jo të vrapojë rreth vetes së saj.

Edi Rama: E thashë edhe më parë: Ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla. Ne nuk jemi kërthiza e botës. Dhe sa herë kemi menduar se jemi kërthiza e botës e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si trimi i mirë me shokë shumë dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe të tjerëve në një kapital në të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë ta bëjmë gjënë e duhur. Kosova është shumë e bukur, Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbi kohë duke vrapuar rreth vetes së vet. I ka të gjitha ato që i duhen, i ka të gjithë partnerët, aleatët që i duhen, i ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme, ka talente, ka njerëz, ka energji, ka forcë, të gjitha. Thjesht dhe vetëm Kosova duhet t’ia tregojë targën Serbisë dhe të iki përpara dhe Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë se në fund të fundit nuk mund të mbahet fati i Kosovës i lidhur me interesat apo me pafuqinë e Serbisë për t’u përballur deri në fund me të shkuarën e vet./ZËRI

1 VITE ME PARE

Kosova mbledh figura të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare në prag të 25-vjetorit të Çlirimit

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema
Tony Blair

KOSOVË-Aktivitetet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës kanë nisur në vend. Në kuadër të organizimeve për ditën e veçantë në Kosovë janë pritur figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka munguar në ditën e veçantë për Kosovën, por as ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe ish-kryeministri italian, Massimo D'Alema. Kujtojmë se Britania e Madhe ishte ndër të shtetet e para që e shtyu përpara agjendën e çlirimit të Kosovës.

Gjatë konferencës ndërkombëtare për 25-vjetorin e Ndërhyrjes së NATO-s “Rugova dhe Perëndimi”, kryeministri Edi Rama, ka folur për liderin historik të Kosovës, të cilin e konsideron një gjeni, dhe një politikan jotipik në mesin e shqiptarëve. Rama ka deklaruar vendet e Ballkanit kanë një moment shansi historik që të qojnë parapa një projekt dialogu dhe orientimi drejt së ardhmes me secili guri i rëndë në vend të vet, e në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vet që askush nuk mund ta luaj, por duhet të zërë vend në mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare, duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

Fjalën në Kuvendin e Kosovës e pati edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili u shpreh se me padurim pret ta shoh ditën kur Kosova do të zërë vendin e duhur në familjen e kombeve si shembull për tërë botën. Sipas tij, lufta e popullit të Kosovës simbolizonte vullnetin për një të ardhme më të mirë si shtet i pavarur dhe sovran. Blair nënvizoi nevojën që e ardhmja e Kosovës të jenë në Bashkim Evropian. Ndër të tjera ai kërkoi që vendet që se njohin Kosovën të binden për ta bërë një gjë të tillë sa më shpejtë. Për kontributin e rij ai u nderua me gurin e Ibrahim Rugovës, po ashtu edhe me 'Çelësin e Qytetit" në Prishtinë.

Çfarë ndodhi në vitet ' 91-'99

Shpërbërja e Jugosllavisë filloi në vitin 1991 me shpalljen e pavarësisë nga Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia. Bosnjë-Hercegovina pasoi në vitin 1992. Serbia udhëhoqi ose nisi luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Heercegovinës, vetëm Maqedonia u kursye nga forcat serbe.

Edhe në Kosovë, shenjat e hershme tregonin për një përshkallëzim: qysh në vitin 1989, kryetari i Lidhjes së Komunistëve në Serbi, Sllobodan Millosheviq, i hoqi autonominë krahinës së Kosovës. Largimi i shqiptarëve nga administrata shtetërore dhe sektori publik (shëndetësia dhe arsimi) në Kosovë kishte filluar më parë dhe u zgjerua masivisht me heqjen e autonomisë. Për një kohë të gjatë pati rezistencë jo të dhunshme nga shqiptarët e Kosovës, të udhëhequr nga shkrimtari Ibrahim Rugova, i cili më vonë u bë presidenti i parë i Kosovës.

Më 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare. Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska. Negociatat e paqes mes palës serbe dhe asaj të Kosovës, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u zhvilluan në Rambuje afër Parisit në shkurt 1999. Bisedimet u mbajtën nën udhëheqjen e Grupit të Kontaktit. Këto ishin përpjekjet e fundit diplomatike të evropianëve dhe të SHBA-së për t'i detyruar shqiptarët dhe serbët e Kosovës t'i japin fund luftimeve me një marrëveshje.

/ZËRI

1 VITE ME PARE

Tony Blair në Kuvendin e Kosovës: Bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë ishin gjëja e duhur

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema

KOSOVË-Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, tha të hënën se bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë. Blair, i cili në Kosovë vlerësohet si një nga personalitetet kryesore që nxitën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, i bëri këto komente gjatë një fjalimi në parlamentin e Kosovës në kuadër të veprimtarive për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të saj.

Ai tha se triumfi i intervenimit të NATO-s nuk do të kishte ardhur pa vendosmërinë dhe trimërinë e popullit të Kosovës. Sipas tij, lufta e popullit të Kosovës simbolizonte vullnetin për një të ardhme më të mirë si shtet i pavarur dhe sovran. Blair nënvizoi nevojën që e ardhmja e Kosovës të jenë në Bashkim Evropian. Ndër të tjera ai kërkoi që vendet që se njohin Kosovën të binden për ta bërë një gjë të tillë sa më shpejtë.

Pjesë nga deklarata e tij në Kuvend:

Kosova më në fund u çlirua. Njerëzit janë në gjendje të jetojnë përsëri, të shpresojnë përsëri, të besojnë përsëri në një shoqëri të ardhshme të lirë dhe të drejtë, të lirë nga shtypja dhe padrejtësia. Sikur të kishim lejuar që Kosova dhe populli i saj të vazhdonin të brutalizoheshin, t’u hiqen të drejtat, t’u vidhet e ardhmja, e ardhmja jonë në vende si imi do të ishte pakësuar. Prandaj për mua ishte lufta për Kosovën jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne. 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i dhuroi Tony Blair gurin e Ibrahim Rugovës, po ashtu ish-kryeministri britanik u nderua edhe me 'Çelësin e Qytetit" në Prishtinë.

1 VITE ME PARE

Çlirimi i Kosovës, Osmani falenderon Blair: Ju jeni heroi i lirisë sonë. Ish-kryeministri britanik: Bëmë gjënë e duhur

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema
Tony Blair dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja Vjosa Osmani, gjatë aktiviteteve për 25-vjetorin e çlirimit të vendit, ka pritur në një takim ish-kryeministrin britanik Toni Blair. Osmani u shpreh se Kosova është një nga trashëgimitë më të suksesshme të ish-kryeministrit britanik dhe një nga mësimet se mbrojtja e paqes dhe demokracisë janë detyrim i secilitdo në çfarëdo kohe.

“Ta shihni mirënjohjen e qytetarëve tanë ndaj jush kur u radhitët në anën e së drejtës. Në ’99 roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO në Kosovë, ishte vendimtar, ishit hero i lirisë dhe demokracisë dhe sot i paqes për vendimin e drejtë të saj kohe.

Në prill të’99 e keni cilësuar ndërhyrjen në Kosovë si kauzë të drejtë. Me forcat aleate të NATO na shpëtuat nga shfarosje e regjimit gjeocidal të Millosheviçit.

Betejë mes qytetërimit e barbarisë, mes demokracisë e diktaturës. Kosova sot është një nga trashëgimitë tuaj  më të suksesshme, një nga mësimet se mbrojtja e paqes e demokracisë janë detyrim i secilit në çfarëdo kohe. Sot ajo nevojë për paqe e demokraci është ne Ukrainë, Evropa duhet të mbrohet me çdo kusht.

Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, disa prej të cilëve do i takojmë edhe sot. Ata sot po rriten krahas me Kosovë e njeriun që i dha shtytje lirisë sonë.

Sot jeni në Kosovë për herë të tretë që nga lufta dhe do shihni sa hapa para ka bërë Kosova. Trashëgimia juaj në Kosovë është trashëgimi e shpresës, lirisë e partneritetit të qëndrueshëm. Jemi të nderuar që ju kemi aleat të Kosovës”, tha Osmani.

Nga ana e tij, Blair deklaroi se ka pasur gjithnjë bindjen se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë gjatë luftës së Serbisë, ishte gjëja e duhur. Ai theksoi se mezi pret ditën që Kosova të hyjë në familjen e madhe europiane.

“Ju përgëzoj për guximin dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur që ta shfrytëzojë, të shohë të mirën e çlirimit të para 25 viteve.

Atëherë isha i bindur se ishte gjëja e duhur për tu bërë dhe tani jam i bindur se duhet të rrimë krah njerëzve të Kosovës që Kosova të jetë plotësisht në linjë me meritat e njerëzve të saj.

Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive që janë mësim për gjithë botë. Mesi pres të shoh ditën kur Kosova si popull i pavarur dhe sovran të zërë vendin e duhur në familjen e popujve dhe shembull për gjithë botën. Së shpejti do u adresohem deputetëve të Kuvendit dhe shpreh falënderimin e solidaritetin për njerëzit e Kosovës që e kanë përjetuar atë kohë”, u shpreh Blair./ZËRI 

1 VITE ME PARE

Edi Rama sot në Prishtinë/ Zyra e Kurtit e çon agjendën, s’ka njoftim për takim mes dy kryeministrave

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema
Albin Kurti dhe Edi Rama

PRISHTINË- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë, në kaudër të festimeve për çlirimin e Kosovës. Në Prishtinë, kreu i qeverisë sqhiptare ka një axhendë të ngjeshur me takime, por nuk ka asnjë "vend" për takim me homologun e tij, Albin Kurti. Kreu i qeverisë shqiptare e ka nisur ditën e tij në Prishtinë me një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më pas, kryeministri Rama, do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama, do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema.

Në vijim të agjendës, Rama do pritet nga kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit. Në fund, do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan./ZËRI

1 VITE ME PARE

Rama viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin, por jo me Kurtin

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Tony Blair dhe D'Alema
Edi rama dhe vjosa osmani

TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama do të jetë sot në Kosovë, në kuadër të organizimeve për 25 vjetorin e çlirimit të vendit.

Gjatë vizitës së tij, kryeministri Edi Rama u prit në një takim kokë më kokë nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, teksa nuk ka në agjendë një takim me homologun Kurti.

Më pas, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

Ndërkohë mediat në Kosovë, kanë publikuar dhe axhendën e plotë të aktiviteteve të presidentes Osmani:

Agjenda e aktiviteteve të Presidentes Osmani në nder të 25 vjetorit të çlirimit (10 qershor 2024)

Në orën 08:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim z. Tony Blair, ish-Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe z. Blair do të deklarohen për media.

Në orën 16:00, Presidentja merr pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB