LIVE UPDATES

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U vetëdorëzua, po kërkon azil!

➤ Ibrahim Lici, një prej 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare është vënë në pranga nga Policia në Turqi. ➤ Lokalizimi i tij në Turqi është bërë nga pala shqiptare, të cilët kanë ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar. ➤ Lajmi për arrestimin e tij u dha sot nga Policia, por familja ka versionin e saj lidhur me ngjarjen. ➤ Vëllai i tij, Hamza Lici pretendon se i vëllai është vetëdorëzuar për të kërkuar azil. ➤ Sipas tij, 31-vjeçarit i rrezikohet jeta në Shqipëri, ndaj edhe kërkon që të mbrohet nga Turqia. ➤ Por lidhur me pretendimet nuk ka asnjë reagim nga Policia e Shtetit. ➤ Këta të fundit kanë bërë me dije vetëm se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. ➤ Por kjo nuk është hera e parë që ka një aksion për kapjen e Licit. ➤ Në vitin 2022 dy agjentë të njësisë FAST, ndoqën një vajzë e cila dyshohej se ishte e dashura e tij, por nuk e gjetën në banesë këtë të fundit. ➤ Në media u raportua se ishte arrestuar, por vetë Lici i përgënjeshtroi lajmet duke postuar një foto ku shfaqej në krah të të vëllait Muhamet Lici me sfond urën e famshme të “Bosforit”. ➤ Lici është një person i njohur për policinë shqiptare, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale të bujshme që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës, por zyrtarisht akuzohet vetëm për vrasjen e Endri Mustafës. ➤ Prapa hekurave për ngjarjen ndodhet Ergys Malja, i cili është dënuar me 10 vite burg, pasi ishte vetëm 15 vjeç kur ndodhi ngjarja./ZËRI

6 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Merr FUND arratia e "Fantazmës"!

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Ibrahim Lici dhe Endri Mustafa

TIRANË- Ibrahim Lici, një prej 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare është vënë në pranga nga Policia në Turqi. Lokalizimi i tij në Turqi është bërë nga pala shqiptare, të cilët kanë ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar. Më pas është bërë njoftimi i autoriteteve vendase për të bërë të mundur prangosjen e tij. Për Licin ka pasur aksione dhe më herët për kapjen e tij në Turqi, pasi i ishte zbuluar baza ku ai vepronte. Në vitin 2022 dy agjentë të njësisë FAST, ndoqën një vajzë e cila dyshohej se ishte e dashura e Licit. Agjentët e FAST bënë një kontroll në banesën ku ajo qëndronte në Turqi, por, Lici nuk u gjet aty.

Në media u raportua se ishte arrestuar, por vetë Lici i përgënjeshtroi lajmet duke postuar një foto ku shfaqej në krah të të vëllait Muhamet Lici me sfond urën e famshme të “Bosforit”. Lici është një person i njohur për policinë shqiptare, i dyshuar si i përfshirë në disa ngarje kriminale të bujshme që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës, por në kërkim është shpallur pasi akuzohet si urdhëruesi i eliminimit të Endri Mustafës. Lici ishte dhe në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar, bazuar në përgjimet e dosjes Metamorfoza. Endri Mustafa, baba it re fëmijëve u vra më 15 maj të vitit 2021. Ai u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve pasi ishte qëlluar me 6 plumba. Prapa hekurave për ngjarjen ndodhet Ergys Malja, i cili është dënuar me 10 vite burg./ZËRI

1 VITE ME PARE

Arrestimi i Ibrahimit, Hamza Lici: Është vetëdorëzuar për azil! S'ka besim tek shteti shqiptar

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Ibrahim Lici

SHKODËR- Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, ka reaguar nga Turqia për lajmin e arrestimit të 31-vjeçarit nga Shkodra. Në një reagim të parë, Lici pretendon se 31-vjeçari nuk është arrestuar nga Policia, por është vetëdorëzuar me vullnet të plotë pranë shtetit turk, për të kërkuar azil. Sipas tij, i vëllai nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri, duke pretenduar se shteti po bashkëpunon me bandat dhe është në shënjestër për t'u eliminuar. Ndaj edhe ka vendosur që të dorëzohet vetë pranë autoriteteve turke. 

"Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë Policia e Shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale.

Ibrahim Lici i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, është arrestuar në Turqi. Lici u lokalizua nga policia shqiptare dhe u njoftuan autoritetet turke. Megjithatë pas pretendimeve të Hamza Licit se 31-vjeçari nuk është arrestuar, por vetëdorëzuar, nuk ka pasur asnjë kundërreagim nga ana e Policisë së Shtetit./ZËRI

1 VITE ME PARE

Fundi i Ibrahim Licit! Miti i "Fantazmës" së Shkodrës ra, Policia turke i vuri prangat

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Ibrahim Lici

SHKODËR- Mbrëmë u vendos në pranga 1 nga 5 personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit, Ibrahim Lici, i njohur gjërësisht me nofkën e tij, "Fantazma". 31-vjeçari nga Shkodra, ishte arratisur prej vitesh, e gjente stehë në Turqi, por një aksion i Policisë i vendosi prangat , duke i dhënë fund orëvatejeve të tij. Tashmë ka ardhur ora që Ibrahim Lici të përballet me drejtësinë për vrasjet që i rëndojnë mbi shpinë. I riu është i dyshuar për një sërë vrasjesh në Shkodër, por më të bujshmet kanë qenë vrasja e dy vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali në derën e shtëpisë së tyre në 2019-ën, por edhe për ekzekutimin e Endri Mustafës, po në Shkodër, në maj të 2021-shit. 

Por kush është Ibrahim Lici?

Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Emri i tij u përmend herët në qytet, ku bashkë me të vëllanë, Muhametin, akuzohej se u vinte gjoba tregëtarëve të Zdrales dhe rrugës së Kirasit, lagje kjo ku banonte edhe familja. Madje, si pjesë e pasioneve të adoleshencës, nxirrte dhe foto në rrjetet sociale me armë, maska dhe shoqëri të gjerë. Të dhënat ishin aty...Ibrahim Lici e dinte kush ishte dhe çfarë do bëhej!

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Me qark të kuq, Ibrahim Lici

Në vitin 2017, siç duket edhe nga pamjet e ReportTv, Ibrahim Lici u arrestua bashkë me të vëllanë, si pjesë e një grupi gjobëvënësish tek tregtarët. Nga frika, apo të detyruar, tregëtarët dolën vetë dhe folën për mediat duke mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë së Shkodrës. Përkundrazi, ata pretendonin se i paguanin vetë djemtë e rinj që t'i mbronin, madje përmendnin edhe shifrat që u kishin dhënë familjes Lici.

Çfarë thoshin tregëtarët në 2014?

"Asnjëri s'na ka ardhur të na bëjë presion. Ne i kemi paguar vetë lekët. Askush s'na ka ardhur të na kërcënojë."

"Kemi paguar roje për të ruajtur mallin tonë."

"Kemi paguar nga 2 mijë, 3 mijë. 10 mijë lekë kam paguar për tre dyqanet. Ne sot jemi pa roje, duhet të rrimë vetë dhe të ruajmë mallin."

Kjo ishte goditja e parë ndaj familjes Lici, të cilën, i ati i dy djemve të arrestuar e "mbështolli" me politikë. Në një deklaratë zyrtare, nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës transmetuar nga Starplus, Mustafa Lici (i ati i djemve), është shprehur se ky është një sulm politik që bëhet ndaj tij, duke paralajmëruar edhe të tjerë që do t'i vijë radha. Në kokën e tij kishte vetëm një person që po e sulmonte...kryeministri Edi Rama. 

"Makineria e krimit të organizuar të kriminelit të kohërave të Edi Ramës ka përgatitur një skenar ku akuzon për 300 gjobëvënie në qytetin e Shkodrës. Unë i drejtohem nga ky podium. Janë shumë 300 tregëtarë, 2 të na paraqesi në sallën e gjyqit se do të jemi shumë të lumtur dhe do ta pranojmë atë që thotë ai. Këta kanë qenë një grup rojësh. Për arsye dhe motive politike. Në lidhje me moralin tim. Po ju them edhe ju që mund të merreni me politikë, jeni shumë të pasigurtë, nëse nuk çmontohet kjo makineri, që të gjithë, ka filluar tek unë, mos mendoni që nuk do shkojë tek ju. Të jeni të vëmendshëm me lëvizjet me automjetet me çdo gjë,"-tha asokohe Lici.

Pak kohë pas ngjarjes, në qershor të vitit 2017, Ibrahim Licit iu ndërrua masa e sigurisë duke u lënë në “detyrim paraqitje”, ndërsa i vëllai u dënua me 13 vite heqje lirie. Megjithatë "karriera" për të nisi zyrtarisht, duke lënë shenjën e tij të parë të krimit në Policinë e Shtetit. Me kalimin e viteve, emri i tij është përmendur edhe shumë herë të tjera.

ZËRI ka përmbledhur disa nga vrasjet e bujshme që kanë ndodhur në Shkodër, të cilat mbajnë stampuar emrin e tij. 

2018, një vit pas kapjes për gjobëvënie, Lici rikthehet në terren dhe është emri i parë që përmendet për vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Të dy u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi, ngjarje që "shkundi" edhe njëherë qytetin. Nga burgu, i arrestuar vetëm pak kohë më parë si pjesë e grupi "Bajri", doli Astmer Bilali, i cili mori leje të posaçme për t'i dhënë lamtumirën e fundit dy meshkujve të familjes. Hetimet nisën, e në pranga për vrasjen e dyfishtë u vendosën dy bashkëpunëtorët e tij; Arsen Stojku dhe Mislim Rama, ndërsa vetë Lici u shpall në kërkim. Sipas Policisë, Lici ishte autori kryesor i atentatit, por më vonë Prokuroria e Shkodrës i rrëzoi akuzat e ngritura ndaj tij. 

Derisa...erdhi viktima e radhës.

Endri Mustafa, një nga shokët më të afërm të Astmer Bilalit, u ekzekutua barbarisht në zonën e Livadheve, atje ku digjej çdo makinë pas vrasjeve. Ishte data 7 maj 2021, ditë Bajrami, Endri ishte në shtëpinë e tij për festë, edhe pse ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës për një arsenal armësh që mbante në shtëpinë e tij. Ai u nxorr në pritë nga 15-vjeçari Ergys Malja, u dhunua barbarisht dhe më pas u vra me një plumb në gojë. Kufomën e gjeti e ëma, e cila kishte dale me një biçikletë ta kërkonte, pasi i biri nuk u kthye më në shtëpi pasi i doli një natë më parë. Emri i Ibrahim Licit i ngjarjes doli nga i mituri, i cili tregoi në Polici së ishte 31-vjeçari ai që i kishte kërkuar të nxirrtë në pritë viktimën. E pasi e kishte kryer detyrën e tij, i kishte thënë: Kaq ishte puna jote!

Por familja e viktimës mendon ndryshe. E veshur me të zeza, në ditën kur bashkëshorti përcillej për në banesën e fundit, Ingrid Mustafa foli për mediat, duke bërë vetëm një gjë të qartë. Sipas saj, është 15-vjeçari Ergys Malja që e ka nxjerrë bashkëshortin e saj nga shtëpia, duke i dërguar një mesazh të koduar në telefon, por theksoi se kurrëesi që ishte Ibrahim Lici ai që shkrepi këmbëzën e armës.

"Qeveria është duke kërkuar personin e gabuar. Nuk e ka bërë ai (Lici). Nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me familjen Lici. Burri im ka qene shok me djemtë e tij. Unë e kam thënë edhe në polici se Ibrahim Lici nuk ka lidhje me vrasjen. Habitem si e kanë nxjerrë sepse nuk ka asnjë lidhje dhe jemi 100% te sigurtë se nuk ka ndodhur prej djalit të tij. I kemi komshi dhe nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me ata,"- ka thënë ajo.

Siç tashmë e kishte bërë edhe zakon, për media doli në komunikatë zyrtare sërish Mustafa Lici. Sipas tij, i biri nuk ka lidhje me vrasjen dhe se marrëdhëniet me familjen Mustafa i kanë të shkëlqyera. Për mediat, Lici shprehet se madje ka shkuar në shtëpinë e Endri Mustafës ku ka përqafuar madje edhe nënë e tij, duke shtuar se edhe ata i kanë pohuar se "e dimë kush e ka vrarë, por...nuk flasim dot".

Qartësisht e ka fjalën për grupin rival, atë të Bajrave. 

“Sot ta merrni vesh të gjithë që jetojmë në epokën e horrave, dhe në epokën e vagabondëve kriminelë ordinerë. U dha një lajm mbrëmë që u shpall në kërkim Ibrahim Lici për vrasjen e një komshiut tonë këtu. Bashkëpunëtori i krimit i cili kreu krimin, është një fëmijë i mitur me grupin e Asmer Bilalit dhe të Bajrave. Punon pastrues i bajgave të kuajve të Asmer Bilalit prej 3 vitesh. I mituri ka marrë përsipër të deklarojë një bashkëpunim sikur kam kryer një krim me Ibrahim Licin. Por Ibrahim Lici dhe familja jonë qëndron e mbrojtur nga këta kriminelë duke jetuar nën kamera kudo që rrinë, kudo që hanë, kudo që pinë. Ky është një blof i përgatitur nga policia për të cilin mendoj se do ta realizojë duke i dhënë prioritet një fëmije, duke gënjyer një fëmijë dhe duke i thënë që ti do të kesh mbrojtjen tonë dhe do të ikësh jashtë dhe merr edhe këto pare. Por është një blof që do dështojë. Ky drejtor policie më datë 17 të muajit të kaluar e ka hequr personin nga kërkimi sepse kishte 2 vjet që e mbante në kërkim policor. Tani e shpalli sërish në kërkim me këto metoda. Ky është i njëjti krim që është përdorur në Livadhe vitet e kaluara ndaj familjes Frroca. Dhe aty ka folur po i vëllai, që tha ka qenë Ibrahim Lici duke e vrarë, sepse janë punonjës të tyre. Por fati dhe mbrojtja jonë janë vetëm kamerat, dëshmitë e shoqërisë së tyre. Ky blof është thjesht mediatik dhe nuk do të ketë asnjë flluskë uji mbi të, më tepër. Këta shërbëtorë që i marrin dhe i përdorin janë që të dy djem të rinj që punojnë pastrues bajgash tek Bilali dhe Bajri. Punojnë, merren me kuaj dhe punojnë nën praninë e tyre. Familja e tyre e di shumë mirë se kush e ka vrarë djalin dhe kush ja ka nxjerrë me 2 telefonata. Ky vetë personalisht se ka pasur telefonatat e Endrit, kanë vrarë një jetim. Ka pasur telefonatat e Endrit dhe ua kanë nxjerrë atyre që ia kanë kërkuar. Mos të kenë mbështetjen nga policia ta dini mirë se nuk arrijnë deri aty. Ne kemi armët tona shumë të fuqishme para drejtësisë. Kemi vendqëndrimin ku pimë kafe ku hamë dhe ku jetojmë në çdo orar se kështu na ka detyruar jeta. Mos e merrni për bazë këtë shpifje të radhës që këta përgatitën. Flluskat e sapunit do bien shumë shpejt, siç ranë mbasi e hoqën personin nga kërkimi, që i mbingarkuan disa vrasje, kjo është vrasja e radhës. Dhe këta kriminelë janë shumë frikacakë. Vrasin një njeri për të futur një që e kanë frikë në burg, vrasin dy për të futur një njeri që e kanë frikë në burg. Dhe rrjedhin këta kriminelë, janë bashkuar të gjithë bashkë. Kanë një trashëgimi që gjyshet dhe katragjyshet i kanë pasur të gjithë prostituta, që të gjitha këto familje. Dhe i bashkon prostitucioni bashkë çfarë merrni vesh që janë në miqësi me njëri-tjetrin. Ne e njohim se kemi 160 vjet në këtë qytet, dhe i bashkon ky mikrob. Ju do ta vërtetoni se koha do të flasë. Unë isha tek familja e tyre për tu pjekur, u përqafova me dajat, me të ëmën, me axhat, se ky ka qenë jetim është rritur me nënë të vetme. E dimë më tha Mustaf kush e vrau, jemi të gatshëm të deklarojmë edhe në polici. Të vijnë mediat u tregojmë edhe se çfarë marrëdhënie kemi me familjen Lici. Kemi pasur marrëdhënie të mira të shkëlqyera me këtë familje. Këta nuk e kanë problem të sakrifikojnë një njeri, të fusin një fëmijë të thotë jam bashkëpunëtor për të dënuar një që e kanë frikë. Asnjë më tepër nuk bëhet, vetëm nga frika e vdekjes së tyre, vetëm për këtë bëhen vdekjet në këtë qytet, sepse i tremben një njeriu ose i tremben dikujt,"-thoshte ai nga oborri i banesës së tij në Kiras.

Megjithatë asgjë nuk ndryshoi, Prokuroria ngriti akuzë ndaj tij, akuzë që sot e vendosi në pranga. Për herë të parë ndonjëherë, pas zyrtarizimit të akuzës, ai reagoi vetë. Në Shqipëri dolën lajme se ai ishte arrestuar, ndaj nga Turqia, Lici dërgoi një audiomesazh që u shpërnda në të gjitha media, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura ndaj tij nga organi i akuzës. Për shumë, zëri nuk ishte i Ibrahim Licit, për të tjerë, mesazhi është i vetmi që ka dhënë deri më sot.

Në sqarimin e tij, Ibrahim Lici shprehet me siguri se ka prova kamerat e sigurisë dhe tabulatet telefonike se ai ka qenë në Tiranë në momentin e vrasjes. Rrjedhimisht, nuk ka si të ketë qenë në Livadhe. Por këto prova nuk janë bërë publike deri më sot. Madje meqë ishte, bëri një sqarim edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali, edhe pse akuza ndaj tij kishte rënë. 

"Unë jam i lirë. Nuk jam arrestuar. Lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohem për vrasjen e Endri Mustafes, kam dorëzuar kamerat në prokurori dhe qelizat telefonike që vërtetojnë që unë kam qënë në Tiranë në momentin që ka ndodhur krimi. Kjo është e vertetuar me pamje dhe qeliza telefonike. Unë pres vendimin e gjykatës për të zbardhur ngjarjen dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e vërtetë. Edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali nuk kam qënë asnjëherë nën hetim nga prokuroria dhe jam shpallur në kërkim nga policia, pra në kërkim policor si person për t’u marrë në pyetje vetëm se nuk jam gjetur në banese. Nuk kam patur asnjëherë konflikt me vëllezerit Bilali. Shumë e çuditshme të kërkohet ekstradimi im në një kohë që nuk jam arrestuar dhe i bëj thirrje policisë të dalin në deklaratë se ku dhe kur më ka arrestuar sepse unë jam i lirë dhe në pritje në drejtesisë. Jetoj i lirë në Turqi dhe pres të zbardhet ngjarja. Fotot e mia tregojnë qartë jetën e lirë që bëj në shtetin turk,"-dëgjohet në audio. 

Përveç audio-s, ku përgënjeshtronte lajmi e arrestimit të tij në Turqi, Ibrahim Lici iu ka dërguar mediave edhe një foto të tij nga shteti turk si "fakt" për të vërtetuar lirinë. Nga pamjet ai shihet në krah të vëllait të tij Muhamet Lici, në Stamboll, teksa në sfond duket edhe ura e Bosforit.

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Muhamet dhe Ibrahim Lici

Megjithatë dëm i ishte bërë, edhe pse nuk ishte arrestuar. Policia duke i ndjekur të dashurën i ka gjetur bazën. Dy agjentë të FAST, të cilët në datën 19 tetor 2022 së bashku me policinë turke, bënë një kontroll të banesës ku ajo jetonte, por atë që kërkonin nuk e kapën dot.

Viti 2023, Ibrahim Lici rikthehet! Kësaj here si shënjestra! Fisi Bajri kërkon ta heqë qafe për shumë arsye dhe aleancë gjejnë tek Bilali, tek e fundit, ai e beson se është Ibrahim Lici ai që i vrau babanë dhe xhaxhanë. E gjithë biseda, plani për vrasjen dhe lëvizjet e Licit dolën në dritë nga përgjimet e "Metamorfozës". Rrjeti "SkyECC" u çkodua dhe dosja u publikua edhe në media me të gjithë detajet e planit për vrasjen e të riut. Mënyra e parë u gjet fill pas ceremonisë së varrimit të Indrit Rrajës, i cili ndërroi jetë nga koronavirusi në 2020-ën. Atë ditë do të ekzekutoheshin tre persona Ibrahim Lici, Dorian Duli dhe Genc Tafilit. Për vrasjen e tyre u angazhuan Astmer Bilali, Prekë Kodra, Aleks Ndreka dhe persona të tjera, ndërsa porosia vinte ekskluzive nga Behar Bajri, i ndihmuar me informacione nga biznesmeni Pëllumb Gjoka. Në zbardhjen e përgjimeve të aplikacionit SkyECC, Behar Bajri komunikon me Astmer Bilalin. Vrasjen e Ibrahim Licit e kërkojnë me çdo kush të dy, jo vetëm Behar Bajri, por edhe vetë Astmer Bilali, edhe pse kanë qenë shok fëmijërie. Tani atë e shihte vetëm si armik, si vrasësin e meshkujve të familjes së tij. 

Në një bisedë të të dyve, Astmeri i thotë Beharit: Ibrahim Licin duhet me u heq se s'bën; ndërsa Behari i kthehet: Nëse e merr vesh premtoi sa lekë don veq ta thojn shpin dhe sa lekë don hap gojën, kudo që të jetë hyj e vras. Marr njerëz boll dhe i organizoj vetëm tek shtëpia e vet të mos jetë.

Por edhe pse i ishin vënë pas, me ndihmë edhe nga Policia e Shkodrës, asgjë nuk ndodhi! Ndoshta "nëntoka" e krimit ka punuar më shpejt e dy palët kanë vendosur paqe; ndoshta, Lici qëndroi në lartësinë e reputacionit të tij...u bë fantazmë

Teksa jemi tek reputacioni i tij, më hapur për të kanë gazetarët e kronikës së zezë, Klodiana Lala dhe Artan Hoxha. Madje dhe kanë zbuluar detaje për të riun, ndoshta duke i dhënë detaje të vlefshme edhe Policisë. Për shembull: Lici është mëngjërash, pra gjuan më të majtën, në Shqipëri nuk ka shumë të tillë...

Artan Hoxha: Ibrahim Lici nuk ka kryer vrasje me pagesë. Edhe pse është më i rrezikshmi nga të gjithë këta. Njihet me nofkën “Fantazma”. Qëllon me të majtën. Kujto ngjarjen e Boran Bërcanës dhe Silvi Ndocit, ku është dyshuar dhe aty autori është qitës me të majtën dhe nuk është provuar. Të gjitha ngjarjet, këta janë vrarë më 15 Korrik 2018. Po atë vit në Shtator u vra Arjan Ferracaku, po atë vit në Nëntor u vra Fatos Ferracaku. Nuk është provuar dhe prandaj ekziston me këtë nofkë. Ibrahim Lici nuk është arrestuar, është tentuar të arrestohet. Është shoqëruar, madje ka shkuar vetë për të treguar që nuk ka qenë i përfshirë. Ai deri tani nuk është i dënuar. Vrasja e dy vëllezërve Bilali, ai ishte i dyshuari kryesor, por nuk ka dënim.

Klodiana Lala: Ibrahim Lici, është një ndër njerëzit që ka shumë saktësi. Edhe pse vetë nuk e pranon, qëllon me të majtën, është mëngjerash. Janë shumë të rrallë vrasësit me të majtën. E dini si jeton në Shkodër Ibrahim Lici? Ata kanë një banesë një katëshe që vetëm shqiponjat ose zogjtë mund ta shohin nga lart, sepse rrethohet nga një mur 5 metra i lartë, ka kamera sigurie të vendosura gjithandej dhe tela me gjemba. Dy fiset Lici dhe Bajraj janë në një konflikt të hapur dhe të vazhdueshëm që po prodhon viktima pafund.

Vërtetë përplasja ka shënuar viktima pafund, por tashmë prangosja e më të riut, më të frikshmit, ndoshta mund të ndryshojë diçka në kryeqendrën e Veriut. Nga pala tjetër, gjithashtu ka pllakosur qetësia. Në pranga ka përfundur Behar Bajri. Të dyja grupet tashmë janë "plagosur", Shkodra fle...por edhe për sa kohë!/ZËRI

1 VITE ME PARE

Arrestimi i Ibrahim Licit, Policia: I shumëkërkuar për vrasje, vijon puna për ekstradimin

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Ibrahim Lici dhe Endri Mustafa

TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e Ibrahim Licit, i shumëkërkuar për vrasje. Policia thotë se në kuadër të operacionit ‘Jehona’, është bërë e mundur kapja e Licit në Turqi, ndërsa tashmë kanë nisur dhe procedurat për ekstradimin e tij. Sipas Policisë, Lici ka qenë i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, e ndodhur rreth 3 vite më parë në qytetin e Shkodrës.

NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Shtetit/Bashkëpunim intensiv me partnerët, për kapjen e shtetasve të shumëkërkuar.

Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.

Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.

Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 31-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.

Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 31 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë./ZËRI 

1 VITE ME PARE

Në top listën e më të kërkuarve, si u arrestua në Turqi Ibrahim Lici, shënjestër e Bajrave

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Ibrahim Lici

TURQI- Ibrahim Lici, një prej personave më të kërkuar nga policia shqiptare është vënë në prangat e policisë në Turqi, shtet ku dyshohet se fshihej prje kohësh. Burime bëjnë me dije se për lokalizimin e tij ka pasur bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre turke.

Një person i afërt i familjes Lici është mbajtur nën vëzhgim pasi kishte fluturuar nga Shqipëria për ta takuar, dhe më pas ndjekja e tij ka çuar në arrestimin e të riut, që vazhdimisht i ka mohuar akuzat për vrasje. Ai ishte shpallur në këkrim për vrasjen e Endri Mustafës, ndodhur kjo në vitin 2021. Megjithatë familjarët e tij kanë deklaruar edhe përmes intervistave në media, se djali i tyre ka qenë i pafajshëm. Për Licin ka pasur aksione dhe më herët për kapjen e tij në Turqi, pasi i ishte zbuluar baza ku ai vepronte.

Në vitin 2022 dy agjentë të njësisë FAST, ndoqën një vajzë e cila dyshohej se ishte e dashur e Licit. Agjentët e FAST në datën 19 tetor 2022 së bashku me policinë turke, bënë një kontroll në banesën ku ajo qëndronte në Turqi, por, Lici nuk është gjetur aty.

Asokohe në media u aludua se ishte bërë e mundur arrestimi i Licit, por vetë ky i fundit do t’i përgënjeshtronte lajmet duke postuar një foto ku shfaqej në krah të të vëllait Muhamet Lici me sfond urën e famshme të “Bosforit”.

Lici njihej si kundërshtar i fisit Bajri në Shkodër, ndërsa këta të fundit në dosjen 'Metamorfoza' thurnin plane për vrasjen e tij. 

Si u ekzekutua Endri Mustafa?

Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre më 15 maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.

Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Një prej 5 më të kërkuarve nga policia, arrestohet në Turqi Ibrahim Lici

Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici! Familja kundështon Policinë: U
Ibrahim Lici

TURQI- Ibrahim Lici, një prej 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare është vënë në pranga nga policia në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK. Burime bëjnë me dije se lokalizimi i tij në Turqi është bërë nga pala shqiptare dhe më pas u njoftuan autoritetet vendase për të bërë të mundur prangosjen e tij.

Ai ishte shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur kjo në vitin 2021.

Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë shqiptare, i përfshirë në disa ngarje kriminale të bujshme që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës. Lici ishte në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar sipas dosjes Metamorfoza.

Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.

Policia turke ka rënë në gjurmët e tij duke ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar./ZËRI 

Poll

MOS HUMB