LIVE UPDATES

Efektivi dhe miku i tij dhunojnë kamerierin 18-vjeçar në Vlorë! Pezullohet nga detyra, 3 në hetim. Rama: Përjashtojeni!

➤ Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një kamerier 18-vjeçar, Ron Balaj, është dhunuar nga një efektiv i Policisë së Shtetit. ➤ Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, 26 korrik, në një hotel në Vlorë, ku kamerieri u dhunuua gjatë orarit të punës në prani të klientëve të tjerë. ➤ Pas videos u identifikua se dhunuesi ishte ish-shefi i qarkullimit të Vlorës, Ardian Isufi, aktualisht nënkomisar në Policinë Kufitare të Dibrës, dhe një person tjetër i njohur për blutë e Vlorës, Leart Bimo. ➤ Pas këtij sherri, kryepolici Ilir Proda ka urdhëruar pezullimin e efektivit Isufi nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka kërkuar përjashtimin e Isufit nga reshtat e uniformave blu. ➤ Prokuroria e Vlorës informoi se në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.

4 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

“Po punon për shpenzimet e maturës”/ Reagon mësuesja e kamerierit që u dhunua nga Shefi i Policisë

Efektivi dhe miku i tij dhunojnë kamerierin 18-vjeçar në
Pamje nga ngjarja

VLORË- Një ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë ka tronditur opinionin publik, pasi një kamarier 18-vjeçar është dhunuar nga ish-shefi i qarkullimit Vlorë. Për ngjarjen e ndodhur me kamarierin 18-vjeçar, ka ardhur një reagim edhe nga Vali Veshaj, mësuese e të riut, e cila ka ndarë detaje nga jeta e të riut. Sipas saj, 18-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer dhe se punonte për të siguruar shpenzimet e maturës.

“Djali është nxënësi që sapo ka mbaruar klasën e njëmbëdhjetë dhe është me dhjeta. Është me një sjellje model dhe ka pjekurinë dhe kulturën që i mungon personit përballë. Është djalë i mrekullueshëm dhe po punon për shpenzimet e maturës. Unë që po ju shkruaj jam mësuesja kujdestare e tij,”-shkruan mësuesja.

Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkohet drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorët e dhunës. Mbi rastin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që autori të dalë përpara drejtësisë dhe të përjashtohet përjetësisht nga Policia e Shtetit. Kamarieri është dhunuar nga Ardian Isufi, efektiv policie jashtë detyrës dhe ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, person me të kaluar kriminale në prani të klientëve./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Dhunimi i kamerierit 18-vjeçar në Vlorë, Rama: Polici i Dibrës të përjashtohet pa kthim!

Efektivi dhe miku i tij dhunojnë kamerierin 18-vjeçar në
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar idhur me dhunimin e një kamarieri në Vlorë nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Në postimin e bërë në rrjetin "X", kryeministri Rama shkruan se polici do të përjashtohet nga detya dhe do të përballet me drejtësinë.

“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali. Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit. *Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh,”- shkruan Rama në postimin e tij në “X”.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të klientëve, si shkak i një shishe uji. Kamarieri 18-vjeçar, kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Efektivi Ardian Isufi dhe Leart Bimo, fillimisht kanë dhunuar 18-vjeçarin, por konflikti ka marrë përmasa më të mëdha kur në mbrojtje të kamerierit ka ndërhyrë pronari i lokalit, shtetasi Vasil Bedinaj, 53 vjeç, një emër i njohur në Vlorë si pronar i “Regina Group”./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

I dhunoi kamarierin! Pronari i hotelit në Vlorë, bën për spital efektivin, oficeri i Policisë Kufitare Dibër pezullohet

Efektivi dhe miku i tij dhunojnë kamerierin 18-vjeçar në
Vasil Bedinaj

VLORË-Oficeri i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi është pezulluar nga detyra pasi dhunoi kamarierin e një hoteli në Vlorë. Policia njofton se Isufi ndodhet në spital, pasi pronari i biznesit, Vasil Bedinaj kur ka parë skenën dhe faktin që kamerieri i tij është dhunuar, ka ndërhyrë duke e rrahur.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të klientëve, si shkak i një shishe uji. Kamarieri 18-vjeçar, kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Isufi dhe Leart Bimo, fillimisht kanë dhunuar 18-vjeçarin, por konflikti ka marrë përmasa më të mëdha kur në mbrojtje të kamerierit ka ndërhyrë pronari i lokalit, shtetasi Vasil Bedinaj, 53 vjeç, një emër i njohur në Vlorë si pronar i “Regina Group”.

Biznesmeni nuk është hera e parë që përfshihet në një konflikt fizik, ku një vit më parë u filmua duke goditur me grusht një qytetar pas një debati për hapësirën në plazh. Pak pas publikimit të pamjeve, Bedinaj u shfaq në video me personin që e qëlloi me grusht, duke thënë se ngjarja kishte ndodhur para një muaji e gjysëm dhe se të dy ata janë biznesmenë në Vlorë, në sektorin e turizmit.

Njoftimi i policisë:

Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:

-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.

Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.

10 MUAJ ME PARE

SKANDAL në Vlorë! Polici dhe një person me të kaluar kriminale dhunojnë kamarierin, i riu: Çova një shishe ujë më shumë

Efektivi dhe miku i tij dhunojnë kamerierin 18-vjeçar në
PAMJE NGA NGJARJA

VLORË-Një ngjare e rëndë është raportuar në ambientet e një hoteli në Vlorë, ku një kamarier është dhunuar nga një efektiv policie. Kamarieri është dhunuar nga Ardian Isufi, efektiv policie jashtë detyrës dhe ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, person me të kaluar kriminale në prani të klientëve.

Në pamjet më poshtë shihet momenti kur shkojnë drejt kamarierit, ku më pas Leart Bimo e dhunon fizikisht. E gjithë ngjarja ka ndodhur si shkak i një shishe uji. Kamarieri kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Klientët janë larguar menjëherë duke lënë lokalin bosh.

Kamarieri: Jam 18 vjeç. Dy zotërinj u ulën në tavolinë dhe e mori porosinë një kamarier tjetër, mua më thanë ta çoja. Porosia ishte një shishe ujë e madhe, një e vogël, një makiato, i çoj ujin.. dhe më thot pastaj vetëm një ujë më sill se është ai tjetri rrot k…., shau dhe me fjalë të tjera. I thash ta heq unë ujin se dhe ai tjetri pa dashje e ka bër, ia mora ujin. Më pas erdhën të dy burrat nga 40 vjeç e sipër në banak, më kapin me dorë, vjen ai tjeri më gjuan tre herë. Sa i mbusha 18 vjeç...edhe syzet mi hodhi. Më qëlloi edhe në qafë.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB