Ilir Lloshi i arrestuari i 4-ët nga SPAK/ Kush është ‘Licja’ e grupit ‘Çopja’? Alibej i nxori emrin në dëshminë e bujshme
TIRANË- llir Lloshi është një nga personat e arrestuar nga SPAK në operacionin e zhvilluar gjatë orëve të fundit. Emri i tij u zbulua nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erjon Alibejt, në gjyqin për dosjen ‘Plumbi I Artë’, në GJKKO. Siç u bë me dije më herët, dëshmia e bujshme e Erjon Alibej, ndihmoi SPAK-un në goditjen e këtij grupi kriminal, pasi nxori emra dhe detaje konkrete.
Kush është Ilir Lloshi?
Referuar dëshmisë së Erjon Alibejt, Ilir Lloshi njihje me nofkën "Liçja". Ai dyshohet se dyshohet se ishte edhe anëtari i grupit të Çopjave. Teksa tregonte lidhje e të vëllait me Çopajt në Angli, Alibej zbuloi disa përplasje ndërsa tregoi se si kishte shpëtuar Lloshin gjatë kohës që ishte rrahur për shkak të mallit të grabitur. Sipas asaj që dëshmonte Alibej, mësohet se Ilir Lloshi ishte dërguar tek ortaku anglez i familjes Çopja si personi që ka patur sasinë e mallit e më pasi po ai e humbi.
"Ne me vëllezërit Çopja kemi pasur lidhje dhe vëllai im Endriti shoqërohej me ta. Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë.
Ato e kanë bërë vetë lojën që t’i merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi, ‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin që ky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat. Unë shtroj pyetjen si ka mundësi që Liçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë, kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës. Vazhdova punën fuqishëm me shitjen e kokainës në Angli, dua të shpjegoj se është e pavërtetë që lufta ka nisur për një ngarkesë prej 50 kg drogë. Ilir Lloshi është shok fëmijërie i Hajdar Çopjas, më çoi një SMS dhe më tha dua të takoj se jam shumë keq, më tha që jam te shtëpia e një djali që quhej Foksi dhe ky shok fëmijërie i Hajdarit. Ilir Lloshi me çoi foto, ishte me sy të nxirë, e kishin goditur, shkova tek shtëpia e Foksit, dhe më tha desh më vranë, i shpëtova nga duart anglezëve, i thashë të paskan masakru, më tha që erdhi një ngarkese prej mbi 50 kg e ca kokainë Francit, unë me këta Çopjat s’po flisja më në këtë kohë, më tha që kjo ngarkesë ishte grabitur, kishte shkuar policia tek shtëpia ku mbahej, e mora 2 javë këtë Ilirin në shtëpi, më shpjegoi se Franc Çopja kishte një ortak anglez, morëm vesh se në shtëpinë ku mbahej droga kishin lidhur një djalë nga Elbasani dhe kishin marrë çfarë kishin gjetur.", tha Alibej në dëshminë e tij.
Kujtojmë se Ilir Lloshi është një nga të arrestuarit të operacionit të SPAK. Prokuroria e Posaçme urdhëroi Policinë e Shtetit për një aksion blic, për arrestimin e 6 prej të dyshuarve të dosjes së bujshme të trafikut të 6 tonëve kokainë me vlerë 411 mln euro nga Amerika Latine për tregun e Europës dhe më gjerë. Me kërkesë të SPAK u urdhëruan 7 urdhër-arreste, prej të cilëve u arrestuan 6 persona, ndërsa personi i shtatë është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në prnaga ranë dy vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani, Ermir Ndreaj, ndërsa iu është komunikuar masë sigurie Erjon Alibejt dhe Plarent Dervishaj./ZËRI
VIDEO- Goditja e SPAK ndaj rrjetit të drogës/ Me duar pas shpine dhe kokat ulur, publikohen pamjet e aksionit!
TIRANË- Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni "OROLOGI", i cili u zhvillua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku u ekzekutuan 6 masa sigure. Blutë bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë kryer kontrolle të shumta, nga ku janë sekuestruar automjete, skaf luksoz, para cash, ora të markave “Rolex” dhe “Richard Mille” si dhe lëndë narkotike.
Mësohet se është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" për 6 persona, të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”:
A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.
E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë.
P. D., 53 vjeç, banues në Durrës.
K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë.
E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan.
I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni “OROLOGI”
Ekzekutohen 6 masa sigurie.
Sekuestrohen armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.
Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasit:
A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.
E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë.
P. D., 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.
K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë.
E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.
I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.
Ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.
Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:
3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a dhe një Volksëagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar.
Operacioni i SPAK/ Del njoftimi zyrtar: 16 persona nën hetim, sekuestrohen 411 mln euro drogë, para kesh, ora "Richard Mille" dhe jaht luksoz
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar një natë më parë që çoi në shkatërrimin e një grupi që merrej me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në njoftim bëhet me dije se në total janë 16 persona nën hetim, ndërsa në pranga janë vënë gjashtë prej tyre. Të gjithë dyshohen për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim. Gjatë këtij operacioni, theksohet në njoftim, janë ushtruar dhe kontrolle në banesa e biznese si dhe janë sekuestruar automjete, skaf luksoz, para cash, ora të markave “Rolex” dhe “Richard Mille” si dhe lëndë narkotike. SPAK gjithashtu bën me dije se gjatë hetimeve të këtij grupi janë zhvilluar një sërë operacionesh ndërkombëtare dhe në total janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike. Dy prej të arrestuarve janë identifikuar dhe bëhet fjalë për Ermir Ndreajn dhe Artur Hoxhosmani.
Njoftimi zyrtar:
SPAK godet një rrjet ndërkombëtar droge – mbi 6 ton lëndë narkotike të sekuestruara me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, 16 persona nën hetim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet Evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim:
A. H.
K. H.
E.N.
E. A.
P. D.
I. Ll.
Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.
Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.
Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:
Shuma monetare në total:Euro: 43,470 €
Franga zvicerane: 5,000 CHF
Automjete:3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan.
Mjet lundrues:1 skaf luksoz i markës “Hull Ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.
Armë zjarri:3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
Ora të luksit:1 orë Rolex, model 126613LN
1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68
Telefona celularë:16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.
Karta bankare dhe dokumente financiare:19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.
Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
Pajisje elektronike:1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.
8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.
1 NVR Hikvision.
2 radio komunikimi Baofeng.
Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.
Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.
Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.
Etj.
Episodet të trafikut të drogës
Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Episode të sekuestrimi të kokainës
Spanjë – shkurt 2020
Sekuestruar 400 kg.
Belgjikë – prill 2020
Sekuestruar 989.1 kg.
Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020
Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe.
Holandë – qershor 2020
Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro (Burimi: https://ëëë.ad.nl/rotterdam/douane-vindt-2020-kilo-cocaine-met-een-ëaarde-van-ruim-151-miljoen-euro-tussen-bananen )
Holandë – tetor 2020
Sekuestruar 1484.07 kg.
Episode të sekuestrimit të hashashit
Rimini, Itali – korrik 2020
Sekuestruar 275 kg.
Bari, Itali – mars 2021
Sekuestruar 400 kg.
Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020
Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.
Episode të tjera
Francë – shkurt 2020
Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.
Modus Operandi
Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe. Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.
Sipas prokurorëve të çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi:
“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.”
Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.
Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.
Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/EÇ. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.
Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Haëala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.
Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia. Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.
Prokurorët e çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi, nënvizojnë se:
“Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/EÇ ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë thelbësor në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal.” /ZËRI/
Kush është Ermir Ndreaj, ish-pronari i “Cinco Cavalli” dhe i bizneseve elitare në Shqipëri, mediat belge e lidhin me Eldi Dizdarin
TIRANË- Ermir Ndreaj është një nga personat e vënë në pranga në kuadër të aksionit të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një aksion që nisi një natë më parë.
Deri më tani janë vënë në pranga katër persona, mes tyre dhe dy vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani si dhe Ermir Ndreaj. Një tjetër person raportohet se është vënë në pranga në Elbasan, por emri i tij nuk është zbardhur ende.
Por, ndryshe nga dy vëllezërit, Ermir Ndreaj nuk është një emër i padëgjuar, si për median shqiptare, ashtu edhe për atë ndërkombëtare.
Jo më larg se pak muaj më parë, gazeta belge shkruante për aktivitetetet e dyshimta në të cilat ishte përfshirë Ndreaj si dhe bashkëpunimin e tij në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Evropë me Eldi Dizdarin, të njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi.
Emri i Eldi Dizdarit nisi të lakohej me shkatërrimin e kartelit “Bello”, në kuadër të të cilit u bënë një sërë arrestimesh dhe sekuestrimi pasurie.
Por, ndryshe nga Dizdari që jetonte dhe fshihej në Dubai, Ndreaj jeton në Tiranë, pasi deri një natë më parë, për autoritetet shqiptare ai rezulton një biznesmen mjaft i fuqishëm pasi ka ngritur aktivitete si klub nate, restorant luksoz si dhe një klinikë estetike mjaft me emër.
Ndreaj njihet nga rrethi i tij i bashkëpunëtorëve si “Cinco”, pseudonim që e ka përdorur për t’i vënë dhe emrin një prej bizneseve të tij, “Cinco Cavalli”, në Durrës, të cilin tashmë nuk e zotëron më.
Një tjetër biznes që ai ka ngritur është edhe “Savoy Garden”, një nga restorantet më elegante në Tiranë, që frekuentohet nga persona publikë dhe kryesisht elitarë të vendit. Ky restorant ndodhet në kompleksin “Delijorgji”, aty ku një natë më parë zbarkuan agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në të njëjtën zonë, ndodhet edhe biznesi tjetër Clinique Cinq që bashkë me reatorantin menaxhohet dhe administrohet nga partnerja e Ndreajt.
Pjesë nga artikulli i medias belge për Ndreajn, botuar më 28 janar 2025:
Cinco Cavalli
Në Antverp, Matoshi është gjithashtu në kontakt me një tjetër shqiptar i cili do të luajë gjithashtu një rol të spikatur në skenën e drogës në Antverp: Ermir Ndreaj (44), i njohur ndryshe si Cinco. Cinco vjen gjithashtu nga qyteti i Bajram Currit. Emri i Ndreajt shfaqet në disa hetime të mëdha penale për kontrabandën e kokainës, përfshirë hetimin ndaj klanit Y. dhe Frank De Tank.
Nofka e Ndreajt vjen nga diskoteka e njohur Cinco Cavalli në Dürres, të cilën ai e zotëron. Në Tiranë, ai dhe gruaja e tij Elira drejtojnë restorantin elegant Savoy Garden. Ndërsa restoranti mund të jetë ekskluziv dhe tepër i shtrenjtë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhet i zhurmshëm ndonjëherë.
Javën e kaluar, kryetari i trupit gjykues në Dendermonde e dërgoi Ermir Ndreajn në gjykatë në një hetim në shkallë të gjerë për kontrabandën e drogës dhe pastrimin e parave. I arratisuri boshnjak i drogës Sani Al Murdaa është gjithashtu i dyshuar në këtë rast, si dhe biznesmeni nga Antëerp, Yasin M., i njohur ndryshe si Teentje.
Ndryshe nga Denis Matoshi, Cinco nuk fshihet në Dubai. Ai po shëtit nëpër Tiranë si një njeri i lirë, me të dashurën e tij Elira, një avokate, në krah. Meqenëse Shqipëria nuk i ekstradon qytetarët e saj, Cinco nuk ka pse të ketë frikë nga ekstradimi në Belgjikë. Nëse gjykatat shqiptare do ta lënë të paprekur është një çështje tjetër…
/ZËRI/

