Vendimi i Kushtetueses për TikTok, Rama: Trajtimi si "lule mos më prek" se përmirëson drejtësinë
TIRANË- Një tjetër çështje e sjellë në vëmendje nga kryeministri Edi Rama, këtë të dielë në podcastin "Flasim" ishte edhe vendimi i Kushtetueses për bllokimin e TikTok. Rama komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi bllokimin e TikTok-ut, të cilin e konsideroi të panevojshëm, pasi sipas tij, asi nuk kishte më konflikt dhe se çfarë diskutohej.
Kryeministri theksoi se falë atij bllokimi u arrit që sot të ketë një sërë filtrash dhe masa që lidhen me ndalimin e gjuhës së dhunës. Ndërkohë që u shpreh se qeveria së bashku me kompaninë ka marrë një sërë masash.
"Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t’u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë. Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate.
Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet. Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.
Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e vet. Një vendim i panevojshëm, në rastin më të mirë, sepse nuk kishte më konflikt dhe nuk kishte më se çfarë të diskutohej dhe ndërkohë, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi marrë atë që prisnim të merrnim nga bllokimi i TikTokut”, tha Rama./ZËRI
Anulimi i Porto Romano-s? Rama: Gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë (VIDEO)
TIRANË- Kryeministri Rama komentoi në podcastin "Flasim" edhe dështimin e tenderit për portin e Porto Romanos. Rama theksoi edhe një herë se ka pasur asnjë shqetësim apo presion as nga aleatët, SHBA dhe BE. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, një port i këtyre përmasave e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit.
"Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.", tha ndër të tjera Rama.
Megjithatë, sipas Ramës, jo të gjithë e mirëpresin këtë port. Ashru sikurse theksoi pak ditë më parë, Rama tha se bëhet fjalë për faktorë që lidhen me trafiqet dhe faktorë të tjerë politikë që nuk e duan këtë port, por theksoi se qeveria ka planin e shpejtë për të filluar ndërtimin.
“Kam një shënim të veçantë për sa i përket një çështje që ka marrë vëmendje mediatike dhe që, si të gjitha çështjet e tjera të kësaj bote, kur marrin vëmendje mediatike në kohën që jetojmë mbulohen nga një mjegull e madhe marrëzish, fantazish, budallallëqesh, ligësish dhe me një fjalë të vetme, dezinformimi. E kam fjalën për çështjen e portit të ri tregtar dhe ushtarak të Porto Romanos.
Tani, ne jemi, jo në të drejtën, por në detyrën tonë të riorganizojmë rrjetin portual të vendit, të ndryshojmë funksionin urban të zonës Durrësit; të shpëtojmë qytetin e dytë më të madh të vendit dhe qytetin e parë turistik të Shqipërisë në vijën bregdetare nga gangrena mu në mes të organizmit të vet urban, që është porti i vjetër; të rrisim kapacitetet tona përpunuese logjistike dhe gjeopolitike, duke u përputhur me standardet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s përmes ndërtimit të një nyje të re strategjike për, jo thjesht Shqipërinë, po për rajonin dhe për funksionimin e Korridorit 8 dhe në ndërkohë, të gjitha këto sfumohen nga lumi i marrëzive që shqiptarët janë të detyruar të përballin përditë, në çdo orë, në çdo minutë, sa herë që kanë kontakt me 700 tenxheret politike dhe mediatike.
Ideja e transferimit të portit tregtar në Porto Romano dhe e transformimit të portit aktual të Durrësit për funksionin e ri të një motorri të fuqishëm të industrisë së re të turizmit është absolutisht zgjidhja më logjike e pamundur në kohëra të mëparshme për shkak të Shqipërisë që ishte dhe plotësisht e domosdoshme për Shqipërinë tjetër që ne po ndërtojmë dita-ditës.
Porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. E përsëris, është një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin vital të Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike, ku përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe të Shkupit.
Siç e theksova në ditët e shkuara, në këtë proces nuk ka patur sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Evropian, përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike, por natyrisht, e kam thënë dhe e përsëris këtë port të ri jo të gjithë e duan, jo të gjithë e mirëpresin. Faktorë brenda dhe jashtë, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm të atyre që lidhen me trafiqet deri tek faktorë politikë dhe faktorë të tretë jashtë kufijve të Shqipërisë, s’kanë se si ta mirëpresin pasi në rastin më të mire, kjo është një fuqi e re që hyn në konkurrencën tregtare, detare të Mesdheut dhe në rastin më të ndjeshëm, ky është një faktor që merr pjesë nga, le të themi sofra, ku shpërndahet përfitimi i gjithë aktivitetit detar, tregtar në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë.
Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Më e qartë se kaq unë nuk e di si mund të jetë. Dhe në fund dua të them që, pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, tha Rama.
PS rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes, Rama: Balluku një çështje e mbyllur, Kuvendi i dha fund debatit! (VIDEO)
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar një nga çështjet më të nxehta politike të ditëve të fundit, atë të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku. Në podcastin “Flasim”, kreu i qeverisë u ndal te vendimi i Kuvendi për të mos pranuar kërkesën për heqjen e imunitetit të saj, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetes. Sipas Ramës, Kuvendi “i dha fund një diskutimi, debati, polemike dhe përplasjeje të gjatë” lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti.
Rama e cilësoi çështjen tashmë të mbyllur, duke theksuar se deputeti është i barabartë përpara ligjit si çdo shtetas tjetër. Megjithatë, ai nënvizoi se liria e një deputeti, ashtu si edhe ajo e çdo qytetari, nuk mund të kufizohet thjesht “me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe bëjnë çfarë të duan”.
Fjala e plotë e Ramës:
Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti.
Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur.
Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, të të gjitha vendeve të Këshillit të Euopës, jo të Bashkimit Europian, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar.
58% e popullatës që ne e kemi sot në sistemin e burgjeve të Republikës së Shqipërisë nuk janë gjykuar, por janë në burg dhe jetojnë me taksat e shqiptarëve, në vend se të jetojnë me punën e tyre jashtë burgut dhe të ndiqen në gjendje të lirë.
Natyrisht, nuk flas për të gjithë, sepse me siguri mes tyre ka edhe nga ata, liria e cilëve duhet kufizuar paraprakisht, pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, kanë kryer një vepër të rëndë penale, janë shoqërisht të rrezikshëm, etj, por në tërësinë e vet, përderisa Këshilli i Europës ka vënë alarmin për këtë çështje, ne nuk kemi se si jemi të shurdhët dhe ndërkohë që nuk kemi mekanizma për të frenuar një tërësi veprimesh të kësaj natyre, që janë vërtetë të rënda dhe justifikohen siç thotë raporti i Këshillit të Europës me fjalë të përgjithshme, në këtë rast me duart tona ne nuk mund t’i bashkoheshim kësaj kuturisjeje.
Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetësi tjetër, nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe ata bëjnë çfarë të duan.
Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit dhe Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon, sikur nuk mendon dhe të refuzojë të kryejë rolin e tij, duke praktikisht mbrojtur dinjitetin e tij, dinjitetin e parlamentarëve të Republikës së Shqipërisë që nuk mund të trajtohen si fajtorë pa qenë të shpallur të tillë nga gjykata dhe nuk mund të kufizohen në lirinë e tyre pa pasur asnjë kusht që të çon në këtë drejtim.
Pra, në këtë rast, siç dihet botërisht, kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim.
Dhe Kodi i Procedurës Penale është shumë i qartë: Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa tjera. Pra, hetimi vazhdon dhe drejtësia nuk pengohet.
Nga ana tjetër, deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv. E gjithë kërkesa ishte aty, kur ajo e ushtronte funksionin ekzekutiv dhe pavarësisht se ajo nuk është më në detyrë, prokuroria vazhdoi të kërkojë të njëjtën gjë, duke harruar se faktikisht nuk kishte asgjë të re që kishte ndodhur, përveç faktit që deputetja ishte thjesht një deputete dhe që nuk ka më asnjë kapacitet të ndikojë në asgjë për sa i përket hetimeve.
Kështu që, e përsëris, arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë.
Dhe dua të shtoj këtu, se të gjithë ata që vunë kujën për integrimin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që na qenkej kaq afër, kini parasysh, janë po ata të cilët deri në këtë moment predikonin ditë,natë se integrimi dhe anëtarësimi ishin shumë larg.
Se integrimi dhe anëtarësimi ishte “një ëndërr që unë e shisja për shqiptarët por që s’e besoja as vetë”, se “ne kurrë nuk do anëtarësoheshim në Bashkimin Europian” dhe papritur në të gjitha tenxheret u ngritën përpjetë kapakët sepse ëndrra u prish në çastin e fundit.
Këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak.
Është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të cilët kanë një opinion të ndryshëm, të cilët kanë komplet një tjetër qasje ndaj imunitetit në vendet e tyre se në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri. Ne kemi vetëm garanci për mbrojtjen e lirisë së deputeteve dhe kaq. Të tjerat kur thoshte At Gjergj Fishta janë dokrra hini.
Në seancën plenare të 12 marsit, Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Me këtë vendim, Kuvendi nuk e autorizoi arrestimin e Ballukut. Vendimi u mor pas leximit të raporteve nga të dyja palët, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Pas leximit të qëndrimeve, kërkesa e SPAK u hodh menjëherë në votim në sallën plenare dhe u rrëzua me shumicë votash./ZËRI
Rritja e çmimeve të naftës, Rama: Finalizojmë krijimin e faktorit shtetëror, për stabilizimin e tregut (VIDEO)
TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi në podkastin e tij "Flasim" se, qeveria po shkon drejt finalizimit të krijimit të një faktori shtetëror që do të ketë ndikim në tregun e brendshëm të naftës, me synimin për të stabilizuar çmimet dhe për të rritur transparencën në këtë sektor. Lidhur me situatën aktuale ku çmimet e karburanteve kanë pësuar një rritje të ndjeshme, Rama theksoi ngritjen e një Task Force.
Kreu i ekzekutivit bëri me dije se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kanë ngritur një Task Forcë të përbashkët për të parandaluar dhe monituar çdo rritje abuzive të çmimeve.
“Në kushtet e kësaj krize të papritur, jemi në momentin kur do të finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut. Ky mekanizëm do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet të rëndësishëm siç është garancia sovrane. Besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur një tjetër zotim të marrë me nisjen e mandatit të katërt, që nafta që tregtohet në Shqipëri të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare”, tha Rama.
/ZËRI